HRW: Policia serbe, po dhunon azilkërkuesit
Azilkërkuesit dhe emigrantët në Serbi po përjetojnë ngacmim dhe abuzim nga ana e policisë serbe. Human Rights Watch ka intervistuar disa prej emigrantëve dhe azilkërkuesve, të cilët kanë thënë se ka pasur sulme të dhunshme, kërcënime, fyerje dhe grabitje, si dhe mohim të kërkesave për mbrojtje të veçantë të fëmijëve të pashoqëruar.
Disa nga familjet dhe fëmijët e pashoqëruar kanë thënë se janë larguar me forcë dhe janë lënë në të ftohtë, kur janë përpjekur të regjistrohen si azilkërkues.
“Autoritetet serbe duhet t’i mbrojnë azilkërkuesit dhe emigrantët, jo të lejojnë policinë t’i përndjekë ata”– shprehet Emina Cerimovic, nga HRW.
Human Rights Watch ka intervistuar 81 emigrantë në vende të ndryshme të Serbisë nga të cilat doli se emigrantët përjetojnë abuzime nga duart e policëve veçanërisht në zonën e Suboticës, një qytet kufitar me Hungarinë.
Njëzetë emigrantë, mes të cilëve dhe shtatë fëmijë kanë deklaruar se kanë qenë pre e grabitjeve. Shumica e emigrantëve të intervistuar janë sirianë dhe afganë të cilët thanë se policia i ka ndaluar në rrugë apo në kampet ku janë strehuar, i ka ofenduar, i ka detyruar të dorëzojnë paratë, telefonat celularë, si dhe i ka kërcënuar se do ti kthejnë mbrapsht.
Pesë prej fëmijëve thanë se janë goditur me shkelma dhe grushta, si dhe dy prej tyre thanë se policët i kanë hedhur në sy lëndë djegëse.
Megjithëse policia serbe ka deklaruar se prioritet për marrjen e azilit kanë gratë shtatëzëna, fëmijët e pashoqëruar dhe familjet me fëmijë, gjatë vizitave në kampin e Beogradit, HRW pa se jashtë qëndronin shumë familje me fëmijë të vegjël si dhe gjashtë fëmijë të pashoqëruar.
Serbia është vend kandidat për në BE dhe ndjekja e këtyre politikave është gjithashtu në kundërshtim me ligjet europiane të azilkërkuesve, mbrojtjen kundër dëbimit si dhe masave mbrojtëse proceduriale për kthimin e emigrantëve të parregullt.