CHwB Albania reagon pas akuzave se Hamami nuk përngjan me origjinalin
Ne zakonisht lëmë punën tonë që të flasi për ne. Megjithatë, në rastin e hamamit, duket se janë hapur debate interesante. Ne e kuptojmë habinë, dhe ndonjëherë zemërimin tuaj, kur patë dy fotot krahasuese të hamamit. Edhe në Gjermani, kur u hap Muzeu Neues i restauruar nga David Chipperfield, publiku pati një reagim të ngjashëm kritik. E njëjta gjë edhe për Reichstag-un e bërë nga Norman Foster, apo librarinë J.P. Morganin në New York, muzeu i Kolumba-s, British Museum New Court, kështjella në Hastey, apo dhe Hamamin e Nicozia-së. Ne ndihemi sikur na është marrë një pjesë e historisë apo identitetit tonë. Por, a na është marrë? Në rastet e mësiperme të gjitha mbetjet autentike janë aty dhe ka patur shtesa – shtesa qartësisht të dallueshme – të bëra në mënyrë që monumenti të rikthehej në funksion. Kur monumenti risillet në funksionin e vet origjinal, ai e vazhdon përmbushjen e qëllimit për të cilin ishte ndërtuar. Kjo risjell punësim, sjell zhvillim dhe, ajo që është më e rëndësishme, e mbron atë monument.
Nga ana tjetër, teksa pamë që kishte aq shumë komente dhe aq shumë njerëz të vëmendshëm ndaj trashëgimisë kulturore, na u bë vërtetë zemra mal, sepse deri më sot mendonim që vetëm një pakicë njerëzish merakosej vërtetë për këto çështje.
Në këtë mënyrë shpresojmë të hapim një debat për mundësinë e të punuarit më mirë dhe më shumë në shërbim të mbrojtjes së trashëgimisë tonë kulturore. Cfarë duhet të mësojmë, çfarë duhet të bëjmë dhe si ta bëjmë më mirë në mënyrë që monumentin t’u a përçojmë brezave të ardhshëm si një dëshmi.
Tani le të flasim pak për rastin e hamamit në Krujë.
Hamami u ndërtua në shek. XV. Sipas Valter Shtyllës, ai ka qenë në përdorim deri në fund të shek. XIX. Më pas, nga fundi i shekullit të XIX është përdorur si një depo armatimesh nga ushtria osmane (xhibehane). Në fillim të shek. XX ai u dogj dhe u braktis. Me rastin e 500 vjetorit të vdekjes së Skënderbeut, ai u restaurua nga Instituti i Monumenteve të Kulturës në vitin 1967. Në foton 1 mund të shihet gjendja në të cilën u zbulua objekti në vitin 1967. Instituti restauroi kupolat dhe çatinë dhe la vetëm muret në pjesën hyrëse. Pjesa e brendshme u mbush me inerte dhe u ndryshua niveli i hyrjes kryesore të Hamamit.
Ne e filluam punën në vitin 2012. Dokumentimi dhe studimi zgjatën 12 muaj. Pas pajisjes me leje filluam punimet në objekt. Përgjatë 6 muajve të parë u morëm vetëm me pastrimin e kujdesshëm dhe me kuptimin e ç’ka kishte mbetur nga monumenti.
Ajo që kishte mbetur ishte struktura e plotë e hamamit me muret dhe kupolat, sistemi i hipokaustit – sistem i gjendur nën dysheme i cili mundësonte qarkullimin e ajrit të ngrohtë – tubat prej qeramike nëpër mure dhe shtresën e parë të dyshemesë mbi hipokaust. Më tej, suvaja ishte e dukshme pothuajse gjithkund – por ajo nuk ishte tërësisht e qëndrueshme për shkak të lagështisë konstante brenda në objekt (çatia pikonte) – dhe shenjat e zjarrit që ishin të pranishme kudo në objekt.
Çka mungonte në monument ishte çatia e pjesës hyrëse, mobiliet (stolat) dhe disa pjesë të dyshemesë.
Pra, gjendeshim përpara një monumenti, baza materiale e të cilit në një masë të madhe ishte ende aty. Një pjesë e detajeve të dobishme për restaurimin u mbështetën te shkrimet e Valter Shtyllës. Disa të tjerë te fotot e vjetra të Theodor Ipen-it, diplomat austriak dhe autor i një prej fotove më të hershme të qytetit të Krujës, ku patëm mundësi të zbulonim që ka pasur një çati mbi pjesën hyrëse si dhe të përcaktonim pjerrësinë e saj. Detajet e tjera u mundësuan nga matjet tona dhe analizat e bërë në vend dhe në laborator.
Në këto kushte u përballëm me një dilemë: çfarë të bënim, ta mbulonim sërish hipokaustin me mbetje dhe ta kyçnim ndërtesën, apo të përdornim raste të ngjashme dhe ta kthenim atë në hamam funksional?
Që prej ndërtimit të tij Hamami pa diskutim që ka funksionuar si i tillë.
Në atë moment vendosëm me bindje të plotë të ruanim pjesët autentike të mbetura duke i rikthyer funksionin fillestar monumentit. Përse? Sepse po ta kishim mbuluar dhe ta kishim lënë sërish në gjendjen në të cilën e gjetëm, me kalimin e kohës, ky monument do të zhdukej, nuk do të ekzistonte më, qoftë dhe vetëm për shkak të efekteve të motit mbi të.
Ndoshta do të ishte dashur që vetëm të pastronim dhe të ekspozonim hipokaustin dhe muret e djegura, duke vendosur panele interpretimi për të shpjeguar si ka qenë dikur monumenti. Po, kjo është një përqasje e mundshme, por që i shkon më për shtat një konservimi të tipit muzeor, dhe që në thelb e respekton më së shumti vërtetësinë e monumentit. Por është dhe një qasje e cila i lë të zbuluara shtresat që dikur ishin të mbuluara, duke i ekspozuar kështu ndaj kushteve atmosferike dhe klimaterike, dhe që krijon një përshtypje të gabuar sepse hamami kur u ndërtua kishte një pamje të brendshme krejtësisht ndryshe.
Në vijim, e sollëm dyshemenë në nivelin e dikurshëm, duke mbuluar hipokaustin saktësisht me të njëjtat pllaka të shtresës së parë që dikur ka patur. Përveç kësaj, ne kemi riparuar të gjitha tubacionet qeramike brenda në mure dhe kemi konsoliduar gjurmët e suvasë së vjetër, aty ku ishte e mundur të shpëtohej. Pjesët që ranë, u rimbushën me saktësisht të njëjtën suva tradicionale duke përdorur vetëm gëlqere, pluhur tulle, rërë dhe të bardhë veze, në varësi të shtresës ku aplikohej. Duke qënë se hamami ndodhet në pjesën e poshtme të kalasë, edhe transportimi i të gjithë materialeve është bërë në mënyrë tradicionale, ngarkuar mbi dy gomerë që ngjiteshin përgjatë rrugicave.
Sfida më e madhe ishte kur erdhi puna tek pjesa e brëndshme, ku duhet ta pajisnim me hapësira për t’u ulur (mobilie) dhe për të krijuar mundësinë për larje me ujë.
Sërish, nuk kishim asnjë gjurmë të stolave, por shenjat në suva e tregonin qartë se deri ku vinte niveli i tyre i dikurshëm, prandaj ne i vendosëm sërish në atë nivel. Përveç kësaj, mes mbetjeve ne gjetëm një copëz kurna (lavaman i gurtë) prej së cilës ne arritëm të kuptonim që ishte e bërë prej guri gëqeror vendas (malet e Krujës) dhe që kishte përmasa 40×40 cm, por duke qënë se ishte shumë e dëmtuar, e kishim të pamundur për të përcaktuar lartësinë e saj. Duke pasur parasysh tubat e ruajtur qeramikë të vendosur në mure, si dhe daljet për ujin, kuptuam se ku ishin pozicionet e çezmave dhe se si ishin të vendosura.
Pra, në pjesën e brendshme, duke ndjekur nivelet e dyshemesë dhe shpërndarjen e tyre, vendosëm stolat për tu ulur dhe lavamanet. Këto janë të vetmet shtesa që i janë bërë hamamit, për të cilat jemi bazuar në shembuj të ngjashëm hamamesh të ndërtuar në të njëjtën kohë, në mënyrë që të mundesonim vend për tu ulur në kohën e përdorimit të hamamit. Materiali i përdorur është vendas, ashtu si dhe për kurnën. Nuk pretendojmë që forma e stolave është si ajo e dikurshmja, por përkundrazi, stolat janë të rinj, dhe mund të hiqen në çdo moment, për t’u rikthyer kështu në gjendjen fillestare dhe të njëjtët parime janë ndjekur dhe për dyshemenë.
Si përfundim, ky hamam do të përdoret si një hamam, dhe duke e përdorur si të tillë ne e mbrojmë atë.
Nga ana tjetër çdo ndërhyrje që është bërë është tërësisht e rikthyeshme në gjëndjen fillestare!
CHwB gjen rastin këtu për të ftuar çdo person të interesuar që të na kontaktojë, që të kemi kështu mundësi të shkojmë së bashku tek hamami, për të folur në vend rreth ndërhyrjeve të kryera, duke i marrë me rradhë gur pas guri, e sipas rastit, tullë pas tulle ndërhyrjet e bëra.