Rëndësia e barazisë gjinore në lidership
Duke pasur parasysh rrethanat sfiduese në Kosovë, si do të përfitonte shoqëria nga barazia gjinore?
Barazia gjinore përmirëson performancën e organizatave dhe shoqërive të cilave ato iu shërbejnë. Nuk ka më asnjë dyshim apo argument të vlefshëm kundër kësaj. Për më shumë se dhjetë vite, vazhdimisht ka pasur të dhëna të sigurta nga sektori i korporatave dhe ai qeveritar, që barazia gjinore jo vetëm që është një imperativ etik dhe i përket drejtësisë shoqërore, por që sa më shumë të ketë diversitet gjinor në udhëheqësi, aq më e mirë është performanca.
Konsideroni të dhënat e shumta nga sektori i korporatave. Botimi i vitit 2014 i Raportit Gender 3000 dy vjeçar nga Credit Suisse tregon që në gjashtë vitet e para të vitit 2014, aksionet e kompanive të mëdha me menaxhment të përbërë nga dy gjinitë, kishin 26% performancë më të mirë se ato që në përbërje kishin vetëm burra.
Dhe nuk mjafton me kaq. Të dhënat e raportit tregojnë që sa më i madh të jetë proporcioni i grave në sektorin e menaxhmentit të lartë, aq më e mirë është performanca e korporatës. Krahasuar me kompanitë e udhëhequra nga burrat, fitimi vjetor në kapital ishte 24% më i lartë në kompanitë ku gratë përbënin 25% ose më shumë të menaxhmentit të lartë, dhe 29% më i lartë kur 50% e menaxhereve të larta ishin gra.
Ky nuk është një fenomen apo informacion i ri. Në vitin 2004, analiza e Catalyst/Banka e Montrealit mbi 353 kompani Fortune 500 brenda pesë sektorëve të industrisë, gjeti një lidhje të qartë midis menaxhmentit me diversitet gjinor dhe performancës së shkëlqyeshme korporative. Analiza gjithashtu gjeti që kthimi në pasuri ishte 35% më i lartë në kompanitë që kishin më së shumti gra në pozita të menaxhmentit të lartë.
Të dhëna të ngjashme mund të gjenden edhe në sektorin qeveritar. Të dhënat e pyetësorit mbi analizën e performancës nga 33 agjenci federale amerikane (3) tregojnë që departamentet/agjencitë e udhëhequra nga gratë janë të renditura më lartë sesa ato të udhëhequra nga burrat në katër kriteret e performancës: lidership dhe menaxhimi i dijes; kultura e performancës së orientuar në rezultate; menaxhimi i talentit; dhe kënaqësia në vend të punës.
Pse prezenca e grave në pozitat e larta menaxhuese rezulton në performancë shumë më të mirë? Analiza e Credit Suisse tregon që gratë në këto pozita e analizojnë rrezikun më në thellësi dhe ekzaminojnë vendimet strategjike në mënyrë më kritike.
Analiza e të dhënave në ShBA dhe Evropë nga Carnegie Mellon School of Business (4) tregon që gratë në pozita të vendimmarrjes në sektorët politik dhe publik, kanë prirje për të ndërmarrë një pikëpamje më të gjerë sesa burrat rreth ndikimit të politikave, duke marrë në konsideratë rezultatet rishpërndarëse ose të drejtësisë sociale, dhe ndikimet e efiçiencës procedurale dhe shpërndarëse. Analiza gjithashtu ka gjetur që balanci dhe diversiteti gjinor në një grup është një ndër faktorët kyç që ndikon inteligjencën kolektive të grupit dhe aftësinë për të marrë vendime të suksesshme.
Si përdoren këto të dhëna? Analiza e Credit Suisse na jep disa tregues. Nga menaxherët burra të intervistuar në raportin e vitit 2014 Gender 3000, 74% ose nuk kishin dëgjuar, ose kishin injoruar, ose nuk dëshironin të dinin për hulumtimet që tregonin ndikimin pozitiv të diversitetit gjinor dhe barazisë në lidershipin e korporatave.
Ekzistojnë të dhëna të qarta mbi përfitimet e shoqërisë nga barazia gjinore. Ajo çfarë nevojitet është vullneti për të vepruar sipas tyre./A.A.