Monologu brilant i Edit para Endrit
Kristi Pinderi
Irisi, Armela, Iva, Remziu, Mirela, Albani apo të tjerë që munda të spikasja nga televizori tek “pritja me gazetarët” në Pallatin e Brigadave, janë qytetarë të respektuar të këtij vendi që i kanë dhënë shumë medias, ashtu siç edhe kanë marrë shumë nga media.
Mirëpo, nuk mund ta quash “pritje me gazetarët” një aktivitet ku ul përpara një podiumi folësa e spikera lajmesh e imazhe televizioni, zëdhënëse shtypi, punonjës e përcjellës të showbiz-it, drejtorë organizatash, drejtues emisionesh a profesorë universiteti.
Ata janë vërtet njerëz që i japin nder këtij vendi, sinqerisht, secili e secila në fushën e vet, por… nuk përfaqësojnë dot gazetarët që na kanë mbetur më pak se gishtat e duarve!
Nuk është fare për tu habitur pse para një audience ku mungojnë gazetarët e mirëfilltë, ata që në 2015 kanë prodhuar investigimet e vetme në vend, kryeministri të shkëlqejë në fjalimin e tij.
“Dëgjuam një fjalim mbresëlënës”, komentoi një spikere lajmesh në një televizion që po e shfaqte ‘live’ “pritjen me gazetarët”.
Për 15 vjet unë kam dhënë e marrë shumë, herë me modesti e herë pa të, si punëtor i medias në këtë vend dhe më besoni, e di shumë mirë se treçereku i atyre që ishin atje të ftuar së bashku me kryeministrin dhe të gjithë aparatin e tij të komunikimit janë arsyeja e gjallë pse në këtë vend nuk ka më gazetari të përgjegjshme, media që investigon dhe gazetarë që venë para përgjegjësisë pushtetarët.
Jo se shumica në atë pallat mbretëror nuk do dëshironin të kishin kurorën e ndryshimit dhe mjeshtërisë.
Por sepse shumica atje janë, me dhe pa vetëdije, pjesë e sistemit të korruptuar e banal të “copy-paste”, të dhënies mend për çdo gjë e për këdo, të shitje-blerjes të medias, të talljes e batërdisjes së opinionit, lexues, dëgjues a shikues qofshin, etj. Ata janë në shumicën e rasteve njerëzit e dorëzuar të kësaj shoqërie, të dorëzuar para shfaqjes, impotencës për të ndryshuar gjërat e para pushtetit që herë i lëpin, herë i fshikullon me fjalime, e herë i tremb me dramën e papunësisë që mund t’i rrezikojë në çdo moment.
Ata thjesht nuk mundet të dalin nga vetja, a nga kutia ku i ka futur ky sistem, të cilin e kanë ndërtuar vetë, e ku për fat të keq mund të jemi dhe ne të tjerët pjesë: se përpiqen të na bëjnë pjesë. Pra, edhe sikur të përpiqen më gjithë çfarë kanë e dinë, prapë nuk munden…
Prandaj shkëlqen kryeministri sa herë ka përpara vetes “kolegë”: njëri është në qeveri, tjetra në Facebook, një tjetër te zyra e Fugës, një tjetër në studion e Fevziut, dikush tjetër në Twitter, dikush në Living (e në gjithfarëlloj revistash mode, pseudoluksi e seksi), e kështu me rradhë: janë të njëjtët aktorë e aktore që na imponojnë shfaqje çdo ditë e çdo natë.
E sigurisht, ai që shkëlqen më shumë është kryeaktori e regjisori i këtij sistemi (edhe kur mund të ketë në të njëjtën sallë edhe ndonjë pjesëtar tjetër të teatrit me rol “negative” si Mandi, apo me rol “kontrovers” si Mero…).
Prisja të shikoja, për shembull, Gjergjin, Besarin, Linditën, Aleksandrën, Ivanën…, pse jo edhe Fatosin! Mirëpo, po të ishin këta dhe disa të tjerë (që me siguri janë ndjerë të çliruar që nuk ishin aty), monologu i Ramës para fytyrës të vetkënaqur të Fugës nuk do të ishte aq viktimizues, triumfues e tragji-komik si ai fjalim brilant që mbajti para aktorëve të tjerë.
Përpara një audience tjetër, do duhet të fliste më pak, e të dëgjonte më shumë…
P.S. Asgjë personale me asnjë prej emrave ilustrues më lart.
/k.p./