Mos ia vini veshin zemërprishurve: gjeniu Einstein i shkruan zonjës Curie
Më 1903, Marie Curie (7 nëntor 1867 – 4 korrik 1934) ishte bërë femra e parë që kishte fituar Nobelin. Ishte nderuar ajo dhe bashkëshorti i saj, Pierre, për fushatën kundër radioaktivitetit. Më 19 prill 1906 ajo mbeti vejushë pas një aksidenti tragjik ku Pierre ndërroi jetë. Marie Curie vuajti në zi për vite me radhë. Më 1910 Curie gjeti prehje te njeriu më i dashur i Pierre – profesori riosh i kulturës fizike që quhej Paul Langevin, i martuar, por i ndarë fizikisht prej gruas që po e abuzonte atë. Ata u bënë dashnorë. E zemëruar dhe e bërë tym, gruaja e Langevinit kishte angazhuar dikë që ta thyente derën e banesës ku ata takoheshin, dhe vodhi letrat e tyre të dashurisë. Ato pastaj përfunduan në faqet e gazetave të kohës. Dhe shtypi u tregua i pamëshirshëm, duke e akuzuar Curien si «shkaktaren e huaj hebraike» që prishi një martesë. Teksa po kthehej prej një konference historike për shkencën në Bruksel, ku ajo ishte takuar me Albert Einsteinin (14 mars 1879 – 18 prill 1955), Curie pa një bandë të mllefosurish para derës së shtëpisë së saj në Paris. Ajo dhe të bijat u detyruan të qëndronin në shtëpinë e një miku të familjes. Einsteini e konsideronte Curie «person të pashembullt të ndershëm», me «inteligjencë të jashtëzakonshme». Kur e mori vesh lajmin për skandalin, ishte tmerruar prej vrazhdësisë së shtypit – tabloidet kishin futur hundët në jetën private pa pasur kurrfarë respekti për njerëzillëkun dhe nuk u kursyen duke shkatërruar edhe reputacionin shkencor të Curie. Si mjeshtër i letrave ngushëlluese dhe si kampion i mirësjelljes me përqendrim në aspektin shpirtëror të njeriut, Einsteini i shkroi Curie me solidaritetin e përkrahjen më të madhe, duke i dhënë zemër që të mos gjunjëzohej për shkak të komenteve të paskrupullta. Letra, që është gjetur në biografinë e jashtëzakonshme të Walter Isaacsonit «Einsteini: Jeta dhe universi», është testament bujarie – kryevepër e asaj që ai e quante «gjenialitet shpirtëror». Einsteini, që më vonë do të nënvizonte se «Marie Curie është e vetmja në mesin e figurave të njohura, që nuk kishte lejuar të korruptohej në emër të famës», shkroi: «Fort e nderuara zonja Curie, Mos më përqeshni pse ju shkruar pa pasur asnjë shkas për t’ju thënë diçka të ndjeshme. Por fort jam zemëruar prej mënyrës së ulët me të cilën disa njerëz kanë guxuar të merren me ju, saqë nuk gjej qetësi pa ju shkruar se çfarë ndjej. Sidoqoftë, mua askush nuk ma ndërron mendjen se ju do ta kaloni edhe këtë, megjithëse kjo ka për qëllim të prek epshin për sensacion. Më duhet ta them me përulësi se sa shumë e admiroj intelektin tuaj, fjalën e drejtpërdrejtë dhe të ndershme, dhe ju them ishte kënaqësi që u takuam në Bruksel. Kushdo që nuk bën pjesë në llumin e këtyre pakurrizorëve, padyshim që është i lumtur, sidomos tani që kemi persona të shumtë, si ju dhe Langevini, që keni botë të madhe. Ndihem i privilegjuar që pata mundësi t’ju njihja. Nëse turma vazhdon të të marrë me vete, atëherë thjesht mos i lexo ato profka, por më mirë lërja zvarranikut për të cilin ishte fabrikuar e gjithë kjo histori. Me të falat më të sinqerta për ty, Lagevinin dhe Perrinin, i juaji, A. Einstein» Menjëherë pas skandalit, Curie mori çmimin e dytë Nobel – kësaj here në kimi për zbulimin e elementeve të radiumit dhe poloniumit. Deri më sot, është e vetmja që u shpërblye dy herë me Nobel për shkenca të ndryshme. Ajo ishte një prej mendjeve më vizionare të njerëzimit. Ishte edhe e dashur. Gazetarët që i ishin vërsulur asaj duke e njollosur, ishin diskredituar prej të gjithëve./A.A.