“Teknologjia e avancuar favorizon abortet selektive në Shqipëri”
*Foto Ilustruese
Ligji shqiptar mbi abortin parashikon ndërprerjen e shtatzënisë deri në javën e 12-të. Pas kësaj periudhe aborti kryhet vetëm nëse rrezikohet jeta e nënës apo nëse fëmija ka anomali të rrezikshme për jetën.
Edhe pse nuk ka të dhëna të sakta mbi abortin në Shqipëri, raportet e publikuara nga Këshilli i Evropës tregojnë se për 100 femra lindin 112 meshkuj, shifër kjo që nuk përputhet me raportin natyror.
Gjinia e fëmijës nuk dallohet ekografikisht deri në javën e 16-të, kohë kur aborti është i paligjshëm. Megjithatë ka një ekzaminim i cili e përcakton gjininë e fëmijës që në javën e shtatë.
Gjinekologia Mimoza Keta tregon në një shkrim për gazetën “Shëndeti” tregon si teknologjia mund të favorizojë abortin selektiv:
Ka laboratorë të specializuar në Shqipëri që bëjnë një analizë të quajtur testi panoramik ose NIPT, e cila kryhet duke marrë gjak nga nëna. Ky test analizon AND-në e fëmijës e cila qarkullon përmes gjakut të nënës.
“Në gjakun e nënës qarkullojnë qeliza të bebit. Duke marrë gjakun e nënës, centrifugojnë qelizat dhe nxjerrin qelizat fetale. Duke nxjerrë qelizat fetale bëhet një analizë shumë e hollësishme e qelizave gjenetike ku gjenden jo vetëm sëmundjet infektive që mund të ketë ky fëmijë apo sëmundjet genetike por gjithashtu midis të tjerash përcaktohet edhe gjinia”
Nëpërmjet këtij testi, gjinia përcaktohet në një periudhë të hershme të shtatzënisë, në kohën kur gruaja është brenda kuadrit ligjor për të ndërprerë shtatzëninë.
“Kjo është ndoshta një nga shkaqet që ka ndodhur dhe është shtuar numri i aborteve selektive”, thotë Mimoza Keta.
Gjinekologia Keta tregon se ka hasur disa raste kur pacientët kanë dashur të heqin fetusin pasi kanë marrë vesh gjininë. “Jo një, disa…Ka pasur dhe raste që kanë ardhur, jemi mundur t’i bindim por nuk kemi arritur ti bindim. Kanë ikur dhe nuk janë kthyer më për konsulta. Në këtë rast funksionojnë klinikat private”.
/Shëndeti.com.al
Shkrimi i plotë: https://shendeti.com.al/teknologjia-e-avancuar-po-favorizon-abortet-selektive/
/l.k./