Me rikthimin e debatit te miratimi i paketës ligjore për rregullimin e mediave online, të cilësuar dhe si paketa anti-shpifje, organizatat vendase, ato ndërkombëtare, AMA, OSBE dhe delegacionet e huaja të vendosura në Tiranë kanë dalë sërish hapur kundër ndryshimeve ligjore të pakonsultuara me ta.
Ditën e sotme, një ekspert i thirrur nga Zyra e Përfaqësuesit të OSBE-së për Lirinë e Medias Harlem Desir rrëzoi sërish projektligjet e propozuara nga qeveria, duke i konsideruar si jo në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe si të tilla, ato nuk ofrojnë garanci për lirinë e shprehjes në Shqipëri.
Deklarata e përfaqësuesit të OSBE vjen një ditë para se komisioni parlamentar i ligjeve të vijojë procedurën e konsultimit të projektligjeve.
Reporter.al shkruan se deklarata e tij bie ndesh me pretendimet e mazhorancës në parlament për dakordësimin e OSBE mbi ndryshimet ligjore. Më herët deputetja socialiste Klotilda Bushka ka deklaruar se draftet e fundit në shqyrtim “janë konsultuar” me zyrën e Desir. Pas publikimit të opinionit të zyrës së Desir, rezulton se qeveria me të vërtetë është konsultuar, por draftet e prezantuara prej saj në parlament nuk kanë reflektuar vërejtjet e dhëna nga zyra e Desir dhe se ato vijojnë të mos jenë në përputhje me detyrimet që Shqipëria ka ndaj OSBE-së.
Gjithashtu ditën e sotme kundër projektligjeve kanë dalë dhe shtatë organizata ndërkombëtare të medias në një deklaratë të përbashkët.
Organizatat nënshkruese së kësaj deklarate janë European Centre for Press and Media Freedom (ECPMF) , ARTICLE 19 ,European Federation of Journalists (EFJ) , South East Europe Media Organisation (SEEMO) , International Press Institute (IPI) ,Committee to Protect Journalists (CPJ) dhe Reporters Without Borders (RSF).
Ne vërejmë se propozimet nuk janë në përputhje me praktikat më të mira të vetë-rregullimit dhe mund të kenë ndikim negativ në lirinë e shprehjes në Shqipëri, pikërisht në kohën kur Shqipëria do të marrë Presidencën e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë (OSBE) në Janar 2020
Në deklaratë ato shprehin shqetësimin e tyre për kthesën negative që pritet të marrë gjendja e medias në Shqipëri, nëse projektligjet votohen dhe i bëjnë thirrje Kuvendit të heqë dorë nga miratimi i projektligjeve, duke e nisur procesin nga fillimi dhe në përputhje me praktikat ndërkombëtare.
Në prag të konsultimeve, sjellim në vëmendje se në muajin nëntor dhe vetë bordi drejtues i AMA votoi në shumicë kundër ndryshimeve që e kthejnë Autoritetin e Mediave de-facto në një gjykatë.