Trashëgimia kulturore e Iranit është kthyer papritmas në një temë me interes urgjent global, pasi Presidenti Trump kërcënoi të godiste monumentet e kulturës së Iranit, nëse vendi do të hakmerrej për vrasjen e gjeneralit Qassem Soleimani javën e kaluar nga Shtetet e Bashkuara në Irak.
Ditën e sotme, në orët e para të mëngjesit, Irani ka goditur me 22 raketa balisitike bazat ushtarake të Shteteve të Bashkuara në Irak, duke e cilësuar veprimin si përgjigje me reciprocitet ndaj veprimeve luftarake të ndërmarra nga SHBA.
Në një seri postimesh në Twitter, në mbrëmjen e së shtunës, Presidenti Trump shkroi se “nëse Irani godet ndonjë amerikan, ose pasuri amerikane”, SH.B.A. ka në shënjestër 52 site iraniane – “disa në një nivel shumë të lartë dhe të rëndësishëm për Iranin dhe kulturën iraniane”.
Ministri i Jashtëm i Iranit, Mohammad Javad Zarif, ka cekur në Twitter se shënjestrimi i vendeve kulturore në Iran do të konsiderohet si një krim lufte, ndërsa të hënën, Sekretari i Mbrojtjes i Shteteve të Bashkuara Mark Esper deklaroi se forcat amerikane nuk do të kryejnë kërcënimin e Trump, duke thënë: “Ne do të ndjekim ligjet e konfliktit të armatosur”.
UNESCO kundërshtori kërcënimet e kryera ndaj trashëgimisë kulturore botërore gjatë tensioneve midis Shteteve të Bashkuara dhe Iranit. Gjatë ditës së djeshme, drejtoresha e përgjithshme e UNESCO, Audrey Azoulay, priti Ahmad Jalali, ambasadorin e Iranit në UNESCO dhe diskutoi me të situatën midis SHBA dhe Iranit në lidhje me trashëgiminë dhe kulturën.
“Kjo është ajo që mbetet nga Xhamia e Madhe e Alepo, Siri. Ishte një nga më të vjetrat në botë. Asgjë, ne e përsërisim, asgjë, nuk mund të justifikojë shkatërrimin e trashëgimisë kulturore. Ne gjithmonë duhet të marrim cdo masë të nevojshme për të mbrojtur trashëgiminë e njerëzimit.”, shkroi UNESCO sot në një deklaratë për mediat.
Ndërkohë, një hashtag #peace dhe imazhe të 10 vendeve të UNESCO-s të Iranit, janë duke u shpërnarë me shpejtësi në rrjete sociale, duke u përpjekur të vendosin “flamurin e bardhë” të paqes në këto monumente në rast të një përshkallëzimi të mëtejshëm të konfliktit.
Xhamia e Sheik Lotfollahut në Iran dhe vendet e tjera të UNESCO-s me flamuj të bardhë japin një mesazh delikat, por të fuqishëm, i cili shpjegon në foto se si humbja e këtyre elementeve të rëndësishëm të historisë dhe kulturës së një vendi do të ishte një tragjedi jo vetëm për Iranin, por edhe për historinë tonë të përbashkët njerëzore.
Xhamia e Sheik Lotfollah me flamur të bardhë që simbolizon paqen / Burimi: Mohammad Hassan Forouzanfar Rrënojat e Arg e Bam, pasuri e mbrojtur nga UNESCO prej vitit 2004 / Burimi: Mohammad Hassan Forouzanfar
Foto: Xhamia e Madhe e Alepos, Siri / UNESCO