Dita e dështimit të Akilit dhe dy rrugët që i mbeten
Kuvendi i Shqipërisë pritet të miratojë sot një ligj për barazinë gjinore.
Ligji do përmirësojë një ligj të vjetër të vitit 2008, do të fuqizojë mekanizmat që garantojnë barazi gjinore me synim mbrotjen e grave njësoj si burrat, jo vetëm në sferën publike por edhe në atë private, do të promovojë ndarjen më të drejtë të pergjegjësivë familjare dhe barazinë në përfaqësim politik e institucional, si dhe do të garantojë mosdiskriminimin me bazë gjinore.
Por ndërsa shqiptarët kanë arsye të ndihen optimistë sot, Akil Pano, do duhet të ndihet i zhgënjyer, pasi sot është dita e dështimit të tij.
Që më 25 korrik të vitit 2012, kur doli për herë të parë në ekran në një episod të Zonë e Lirë përballë meje e kolegëve të mi, ai u është imponuar shqiptarëve si një autoritet moral, që përmes lidhjes që pretendon se ka me Perëndinë, na paskërka ardhur të shpëtojë shoqërinë shqiptare duke i treguar asaj të vërtetën.
Dhe që atë ditë, nuk ka rreshtur së thëni se familjen shqiptare po e kërcënon jo mungesa e shpresës, por LGBT, jo mungesa e punës dinjitoze për të rinjtë, por LGBT, jo shkatërrimi absolut i sistemit arsimor, por LGBT.
Për 13 vjet rresht nuk ka rreshtur së thëni se familjeve tona po u kërcënon ekzistencën, jo mungesa e drejtësisë, por LGBT, jo mungesa e një sistemi shëndetësor ku mund të shkojë kushdo pavarësisht sa para ka në bankë, por LGBT.
Na ka thënë se përmes këtij ligji që Shqipëria miraton sot apo të tjerëve që ka miratuar më herët, jo vetëm do rrëmbejnë fëmijët, do u ndryshojnë atyre gjininë me biçak në dorë, por se “qëllimi kryesor është shkatërrimi final i këtij vendi”.
Sot Akili e ka për detyrë të na sqarojë pse nuk na mbrojti dot!
E nëse nuk e bën dot, pra nëse nuk del dot përpara të thotë pse dështoi, le të bëjë këtë gjënë tjetër:
Në ditën e dështimit monumental, ai mund t’i futet politikës, e t’i kapë patatet e nxehta me duart e veta.
Meqë si prift nuk na shpëtoi dot, le të na shpëtojë si politikan!
Se nëse është vërtet prift që e ditka apokalipsin që po i vika Shqipërisë, si mund t’ia lejojë vetes që të mos përpiqet me të tjera metoda e në të tjera nivele për të na ardhur në ndihmë?!
Ç’prift na qënka ai që i bën bisht thirrjes historike për të ndihmuar të tjerët?
Le ti masë aty, në Kuvend, idetë e veta, e përmes tyre të bëjë luftën për ne të gjithë që nuk e shikokemi dot atë që shikon ai.
Akili ka sot mundësi ta marrë besimin e qytetarëve përmes votës.
Le të marrë pastaj me vete edhe Armirin, Altinin, Kastriotin, po të duan edhe Dorinën, Aulonin e ndonjë tjetër dhe të bashkohen me Tritanin, Saimirin, Luçianon, Enon, e të tjerë si ata në Partinë Demokratike.
Këta të gjithë ama, dështimin e kanë mjet pune, e kanë pjesë të identitetit të tyre. Sepse edhe betejat i kanë me mullinjtë e erës.
Problemi është që Tritanit edhe I falej në 1995 frika nga homoseksualizmi, pavarësisht se pastaj u detyrua të votojë pro dekriminalizimit të tij.
Mesiles, kur e shikon sot, mund t’ja falësh panikun që kishte në 2010, edhe pse pastaj votoi – gjithashtu në rresht ku e vuri Saliu – pro ligjit kundër diskriminimit, që ishte ligji i parë që njohu në Shqipëri identitetin gjinor.
Pra bashkë me skuadrën që dështimin e ka thelb të jetës së vet politike, edhe Akili mund të vazhdojë luftën me mullinjtë e erës, pavarësisht se në 2025 ka më shumë shqiptarë jashtë Shqipërisë, të cilët janë të integruar në shoqëritë perëndimore ku jetojnë. E tek ta zor se ngjit morali panik.
Po ç’rëndësi ka kjo? Rëndësi ka që Akili ka mundësi që nga ai podium politik, ku përgjegjësia publike ka peshë reale, të na mbrojë meqë qënkemi në rrezik, e të na thotë se çfarë vizioni ka për Shqipërinë, cfarë ideje ka për ta mbrojtur familjen, si mendon ai se mund ta fuqizojë shoqërinë shqiptare t’u bëjë ballë sfidave të mëdha me të cilat përballet, e kështu me rradhë.
Nëse Saliu nuk e do në parti, Akili si burrë që ka vendosur që jetën që i ka mbetur ta jetojë “me qëllim” (siç tha dje te emisioni i shokut), pra meqë do të jetojë në mënyrë të domethënshme, le ta krijojë ai partinë e parë të ekstremit të djathtë.
Nëse emërtimi ekstrem i djathtë nuk i duket i drejtë, le ta quajë partinë si të dojë, rëndësi ka ta provojë njëherë t’u shkojë shqiptarëve ballë për ballë e t’u thotë cilët janë ata politikanë që duan ta shkatërrojnë Shqipërinë, cilat na qënkan këto forca madhore që dashkan të ndryshojnë me biçak në dorë gjininë e fëmijëve, e t’u thotë pastaj kush është ai vetë, çfarë ëndrre ka, ca idesh ka për Shqipërinë dhe si mendon t’i mbrojë shqiptarët nga gjithë këto të këqia që mendon se u kanosen.
Në vend që të fusë djalin në listat e PD, apo të çojë Linditën sa në një banak televiziv në tjetrin për të na thënë se si LGBT po shkatërron familjen, le të dalë vetë a t’u thotë qytetarëve ca plani ka ai për ta shpëtuar familjen shqiptare.
Akili akuzon shpesh “ata të ekstremit të majtë”, por pa thënë emra. Unë nuk di kujt i thotë kështu, se as Taulanti i grupit të PS, e as Toni Gugu i kishës së vet në qeveri nuk duken as të majtë, e jo më ekstremisht të majtë, po kjo është çështje tjetër. Le të dalë pra ballë për ballë me armiqtë e shqiptarëve – cilëtdo qofshin ata, me apo pa emër – dhe të na thotë se si do na shpëtojë.
Por nuk ka për ta bërë këtë.
Jo vetëm pse Saliut i intereson që Akili të rrijë aty ku është, që pishtarin ultra konservator në Shqipëri ta mbajë Saliu, e jo Akili, por edhe sepse Akili e di që sapo të hyjë edhe zyrtarisht në politikë, nuk mund të fshihet më pas paralajmërimeve qiellore, apo pas fantazive me karakter apokaliptit.
Sapo të kërkojë votë, e di edhe që duhet të japë llogari.
Dhe atë ditë, nuk i lejohet më të trembë shqiptarët me rrëmbime fëmijësh, me operacione imagjinare, apo me lloj lloj komplotesh që vetëm ai arrin t’i shohë.
Nuk e bën dot këtë, sepse e di që sapo ta heqë petkun e priftit e të veshë xhaketën e politikanit, Akilit i bie maska më e rëndesishme që ka, ajo e viktimës.
Nuk mund të qajë më pastaj se po e përndjek Xheni e LGBT apo se po i mbyll gojën komisioneri kundër diskriminimit.
E nëse nuk bëhet dot për lajm për portalet fetare në anglisht si një martir të cilin duan ti mbyllin gojën, ç’i mbetet të jetë?
Në ditën e dështimit monumental, kur e vetmja gjë që e bën relevant dhe që e mbron nga të dhënit llogari për humbjen, është petku i priftit dhe roli i shpikur i viktimës, si mundet ai ti lerë këto?
Humbja e këtij roli pra, sidomos sot në ditën e humbjes më të madhe të tij, i sjell edhe humbjen e pushtetit.
Se nëse nuk do të ishte njeriu me pushtetin që i vjen nga mundësia që i ka krijuar vetes të tmerrojë shqiptarët me lloj lloj skenarësh apokaliptikë, ç’mbetej të ishte pastaj Akili?
Boksieri që nuk u bë dot?
Apo filozofi me PhD të cilit nuk i gjendet disertacioni?
Nga Kristi Pinderi.







