“Dy dhunues: i pari të godet, i dyti të injoron”
“Një grua e dhunuar përballet në fakt me dy dhunues: me dhunuesin e vërtetë dhe me indiferencën e institucioneve të shtetit.” — Endri Shabani, Avokat i Popullit
Këto fjalë u thanë gjatë prezantimit të raportit të parë rajonal mbi mbrojtjen e grave LBQ nga dhuna me bazë gjinore. Një dokument i përgatitur nga ERA LGBTI, me mbështetje nga EuroCentralAsian Lesbian Community (EL*C) dhe Bashkimi Evropian. Raporti mbulon Shqipërinë, Bosnjën dhe Hercegovinën, Kosovën dhe Serbinë.
Avokatja Dea Nini, nga Aleanca LGBT e cila është kontribuesja kryesore për gjetjet e Shqipërisë, e vendosi problemin në themelin e tij. Shqipëria ka ratifikuar Konventën e Stambollit dhe ka kuadër antidiskriminues që njeh orientimin seksual dhe identitetin gjinor. Por sipas avokates Nini, ky kuadër ka zbrazëtira thelbësore.
“Këto mungesa ligjore çojnë në përjashtim nga mbrojtja ligjore dhe tregojnë një model të qëndrueshëm të përjashtimit strukturor.” — Dea Nini, avokate, Aleanca LGBT
Pengesat ligjore janë konkrete. Në Shqipëri mungon legjislacioni për martesën civile dhe bashkimet e së njëjtës gjini dhe mungon njohja ligjore e identitetit gjinor të grave transgjinore. Pasojat janë direkte. Dhuna brenda një marrëdhënieje të të njëjtës gjini nuk mund të klasifikohet ligjërisht si dhunë në familje, urdhrat mbrojtës nuk lëshohen dhe mbështetja emergjente nuk aksesohet.
Avokati i Popullit Endri Shabani theksoi se zgjidhja nuk mund të mbetet te trajnimi i zyrtarëve. Kërkohet përgjegjësi ligjore e drejtpërdrejtë ndaj atyre që nuk veprojnë, sepse mosveprimi institucional ndaj dhunës nuk është lapsus, është model.
Bazuar në grupe fokale me organizata të shoqërisë civile, rishikim ligjor dhe vlerësim me Konventën e Stambollit, raporti i ERA LGBTI dokumenton një sistem që dështon gratë LBQ në çdo hallkë, nga momenti i dhunës deri te momenti kur ato kërkojnë ndihmë.
| 89% | e viktimave nuk i kanë raportuar rastet e dhunës në asnjë institucion shtetëror |
| 3% | e grave që kanë përjetuar dhunë të rëndë nga partneri aktual e kanë raportuar atë në polici” |
| 52.9% | e grave të rritura në Shqipëri kanë përjetuar dhunë gjatë jetës. Këto janë shifra të INSTAT, pa ndarje sipas orientimit seksual |
| 40% | e personave LBTI+ hasin vështirësi për të aksesuar shërbime shëndetësore |
| 50% | e nxënësve LBTI+ diskriminohen nga bashkëmoshatarët. Vetëm 18% ndihen të sigurt në shkollë |
Raporti dokumenton edhe format specifike të dhunës ndaj grave LBQ që rrallë emërtohen si të tilla. Ato janë praktika korrigjuese, martesa të detyruara, izolim nga familja, shantazh financiar, dërgim te psikologë ose imamë dhe në raste ekstreme, mbyllje në institucione psikiatrike.
Gratë LBT gjithashtu hasen me përjashtim nga shërbimet publike shëndetësore dhe me izolim social. Një tregues i padukshëm por domethënës i kësaj gjendjeje është edhe niveli i lartë i migrimit brenda këtij komuniteti.
Historia Ime është ndërtuar mbi bindjen se zërat realë kanë peshë që statistikat nuk e kanë. Ndaj, para se të vazhdojmë me rekomandimet e raportit, duam të ndajmë një histori, jo si rast i jashtëzakonshëm, por si ilustrim i rregullit.
| DËSHMI PERSONALE Unë jam grua lezbike. Para dy vitesh, pas një kërcënimi serioz në rrjetet sociale me marrje jete familjarisht, e denoncova. Çështja shkoi në prokurori. Kanë kaluar mbi dy vite dhe nuk kemi marrë asnjë përditësim, asnjë thirrje, asnjë informacion mbi gjendjen e çështjes. Unë jam nga ato gra të privilegjuara. I di të drejtat e mia, jam e pavarur ekonomikisht, di ku të drejtohem, kam kontakte mediatike dhe rrjet mbështetës dhe perseri çështja ime nuk gjeti jo zgjidhje, por as interesin minimal për zgjidhje nga ana e institucioneve. Tani imagjinoni sa e vështirë, sa e frikshme, sa e pakonceptueshme është ideja e denoncimit për një grua apo vajzë në një qytet rural, nga një komunitet çfarëdo e cila nuk ka dalë hapur në familje. Për ato, sistemi nuk është i ngadalshëm. Ai është plotësisht joekzistent. |
Kjo nuk është histori e jashtëzakonshme. Është modeli i përditshëm që jetojmë në Shqipërinë tonë. Dhe raporti i ERA LGBTI e dokumenton këtë model me metodologji, me dëshmi, me analizë ligjore, duke i dhënë emër institucional asaj që shumë prej nesh e kanë jetuar.
Ky raport paraqet rekomandime konkrete që kalojnë nga deklarata në veprim:
- Njohja ligjore e dhunës në partneritete të të njëjtës gjini dhe miratimi i Ligjit për Partneritete të të Njëjtës Gjini
- Trajnim i detyrueshëm dhe mekanizma llogaridhënieje për policinë, prokurorët, gjyqtarët, mjekët dhe punonjësit socialë
- Ndalim eksplicit ligjor i terapisë së “konvertimit”
- Të paktën një strehë e specializuar dhe e financuar plotësisht për personat LGBTIQ (në Shqipëri e kemi)
- Studim kombëtar mbi dhunën me bazë gjinore me tregues specifikë për gratë LBQ
- Njohje formale dhe financim publik i organizatave të shoqërisë civile
Me këtë artikull Historia Ime hap një seri të re mbi dhunën ndaj grave LBQ dhe boshllëqet e sistemit shqiptar. Në muajt e ardhshëm do të sjellim:
- Intervista me gra LBQ që kanë tentuar të denoncojnë dhe historitë e tyre
- Analizë ligjore: çfarë ndryshon konkretisht nëse miratohet Ligji për Partneritete
- Fact-checking i deklaratave institucionale mbi mbrojtjen e komunitetit LGBTIQ
- Materiale edukative mbi të drejtat ligjore për gra LBQ në Shqipëri
Nëse ke një histori për të ndarë, anonimisht, me kushtet e tua, Historia Ime është këtu./E.M.
“Mungesa e të dhënave nuk do të thotë mungesë e dhunës. Do të thotë mungesë e vëmendjes.” — Dea Nini, avokate, Aleanca LGBT
Burime:
Jovanovska, B. (2025). Analizë mbi Barazinë Gjinore dhe Parandalimin e Dhunës ndaj Grave LBQ. ERA LGBTI / EL*C / BE.
Deklarata: Endri Shabani, Avokat i Popullit — prezantimi i raportit ERA LGBTI, Mars 2026.
Deklarata: Dea Nini, avokate, Aleanca LGBT — prezantimi i raportit ERA LGBTI, Mars 2026.
www.lgbti-era.org · Historia Ime / ProLGBT







