A është progres ngrënia e çamçakëzit?
Nga Sofia Limani
Replikë nga autorja ndaj artikullit të mëposhtëm:
http://www.postbllok.com/a-eshte-progresiv-diversiteti-seksual/
Përtypja e çamçakëzit nuk është as progres, as trend i modernitetit. Ata shqiptarë si unë, që e konsiderojnë këtë akt si të neveritshëm dhe jonormal, s’janë as regresivë, as “jo-modernë”, pavarësisht faktit që media dhe makineria kapitaliste e perëndimit pa asnjë autoritet moral përpiqen të na thonë të kundërtën duke na imponuar shijet apo bindjet e tyre ideologjike.
Pak histori mbi çamçakëzin…
Prodhimi dhe tregëtimi i çamçakëzit nisi diku nga fundi i shekullit të nëntëmbëdhjetë, jo rastësisht në kulmin e industrializimit, proces i cili solli pasoja tragjike për vlerat e shoqërisë dhe pati nevojë të shkatërrojë moralin për të gënjyer e manipuluar masën si forcë punëtore. Çamçakëzi u bë befas mjet indoktrinimi për të mbajtur punëtorin larg mendimeve tradicionale dhe moralit, duke i zënë gojën me mllaçitje të panevojshme.
Kulmin e vet çamçakëzi e arriti pas Luftës së Dytë botërore, kur ashtu si në shumë aspekte të tjera, shoqëria u zhyt me kokë në indulgjencë, dhe qeveritë perëndimore të lidhura ngushtë me biznese mashtruan popullin me harbime imorale për të harruar sadopak traumën e një luftë. Pas lufte kompani si Orbit u përhapën së pari në Britani dhe Amerikë e më vonë në gjithë perëndimin duke propaganduar shije nga më të ndryshmet, dhe duke bindur konsumatorin që era natyrale e gojës është e pakëndshme (me pafund “studime” nga “shkencëtarë” mbi përmbajtjen biologjike të gojës etj), vetëm e vetëm për të shndërruar këtë produkt jonatyral në domosdoshmëri të paqenë.
Sot masa thuajse ka harruar plotësisht ç’është vlera e të ngrënit, dhe refuzojnë të shohin sesi një traditë ushqimi degradon në mllaçitje, dhe e tërë kjo vjen si pasojë e një shpërlarje truri prej pesëdhjetë vitesh që i ushtrohet dhunshëm dhe mendjeve më të pastra mbi Tokë. Njerëzit po harrojnë dalëngadalë trajtimin e shenjtë që feja i ka bërë ushqimit, duke ndaluar talljen, mllaçitjen, hedhjen dhe shpërdorimin e tij. Sot rinia mashtrohet me reklama pafund me VIPa që përtypen dhe kanë erë të freskët goje, reklama që trajtojnë çamçakëzat jo vetëm si normalë, po si të domosdoshëm: dmth ai i ri që nuk ha, është demode. Dhe kështu rinia bie pre e çmimeve të lira të çamçakëzave të cilët shiten kështu, paf, pa kurrëfarë problemi, në çdo cep lagjeje nga tregëtarë ambulante. Janë të pakët ata që sot këtij trendi i bëjnë ende ballë, dhe e ngrenë zërin dhe e thonë me plot gojë që s’hanë dhe s’kanë qejf as shijen as zhurmën e mllaçitjes së çamçakëzit, sepse sot njeriu druhet të thotë mendimin e tij, nga frika e paragjykimit si antiperëndimor dhe jomodern.
Pak biologji mbi çamçakëzin…
Neveria që kemi ndaj çamçakëzit është një proces natyral, është një kundërpërgjigje thuajse instiktive e njeriut ndaj diçkaje të panatyrshme dhe të përçudnuar. Sado të përpiqen të na thonë që jemi gabim, shumica nga ne hasim në një tik nervor, acarim që arrin në ankth dhe fobi kur dëgjojmë dikë që ha çamçakëz. Dhe kjo kurrësisoj nuk është e rastësishme, jo. Është thjesht kundërveprim biologjik ndaj një procesi antibiologjik që na ushtrohet.
Konsumimi i çamçakëzit bie ndesh me parimet më bazë të organizmit të njeriut, me funksionin më jetik: ushqyerjen. Çdo organ, çdo qelizë në trup ka një funksion jetik, pa përmbushjen e të cilit, mohohet natyra dhe humb kuptimi i vetë ekzistencës. Mosngrënia, ose mashtrimi i vetes me idenë e të ngrënit pa ngrënë realisht, bie ndesh me detyrën më të shenjtë të njeriut: vazhdimësinë e jetës së vetes. Është tallje, vetmohim dhe përbuzje ndaj evolucionit dhe natyrës përtypja pa ushqyerje të organizmit me vlera ushqyese jetike për të.
Dikush mund të dalë e të thotë që edhe mllaçitja është prapsëprapë proces natyror në vetvete, se dhe lopa kështu bën, por ne nuk ndajmë moral me kafshën, dhe lopa të paktën ushqehet realisht pas ripërtypjes. Dikush mund të dalë të thotë që edhe kur mllaçitesh, nofullat punojnë, receptorët nervorë të gjuhës dhe hundës aktivizohen, prodhohet pështymë dhe enzima në gojë, e medemek, mqs gjithë këto procese u kryekan, procesi është biologjikisht korrekt. Por jo, sepse prapsëprapë nuk plotësohet kushti final, kushti jetik, kushti evolucionaro-religjoz-ekzistencial: ushqimi, marrja e vitaminave, proteinave, yndyrnave të nevojshme për organizmin, jeta vetë. Dikush mund të dalë e të thotë po mirë, dhe ky funksion bazë jetiko-moralo-estetik mund të plotësohet në vazhdimësi, dmth dikush që ha çamçakëz, mund të hajë dhe tjetërsend më vonë për tu ushqyer realisht, sepse biologjikisht është mjaftueshëm i shëndetshëm dhe i pametë fizikisht për të ngrënë. Por jo, një perversitet ndaj ushqyerjes është perversitet i përjetshëm dhe çamçakëz-ngrënësve duhet t’i ndalohet rreptësisht ngrënia e ushqimit, pasi një individ që mohon dy mije vite traditë dhe moral, nuk mund t’i lejohet të luajë me ushqimin më, pasi shoqëria nuk ka kurrëfarë garancie që individi nuk do të gjejë forma përdhosjeje ndaj ushqimit sërisht.
Kështu që, si përfundim, sa herë t’ju bëjë vaki të dëgjoni dikë që përplas buzët parreshtur ngjitur me ju, guxon bën edhe tullumbaca me çamçakëz, e çan çamçakëzin plluf, i cili më pas i përngjitet nëpër fytyrë, dhe e rifut në gojë duke lëpirë veten e vet, mbani qëndrim, bëhuni kurajozë dhe thoni hapur mendimin tuaj. Ky perversitet s’ka qenë pjesë e traditës e moralit shqiptar (Hante gjyshja jote çamçakëz kur ishte sa ti?), dhe sado perëndimi të na trysnojë me shijet e veta estetiko-sociale, ne do t’i bëjmë ballë çdo antivlere që bie ndesh me natyrën, besimin dhe kulturën tonë (…”si kështjellë e pamposhtur ti qëndron/në mes dallgësh/shkëmb graniti vigan/s’u përkule, nga çdo stuhi e tufan” ).