Asnjë lajm veç faktit që shumica e shqiptarëve nuk beson më te politika
Pak orë pas mbylljes së qendrave të votimit duket se nuk ka pothuajse asnjë gjë të re për tu theksuar përveç dy fakteve: LSI vazhdon të shtojë elektoratin e saj ndërsa shumica e shqiptarëve nuk besojnë më se mund t’i ndryshojnë gjërat përmes votës.
Nëse më pak se gjysma e shqiptarëve del të votojë (pa numëruar këtu ato vota që janë nxjerrë të pavlefshme me ndërgjegje e duke u tallur me sistemin apo dhe votat e protestës që mund të kenë shkuar tek të pavarurit si Bojaxhi) kjo nuk tregon vetëm se këtë herë ka patur më pak emigrantë që kanë ardhur të votojnë apo se kjo është tendenca e zgjedhjeve vendore.
Kjo tregon asgjë më shumë e asgjë më pak se qytetarët sot janë të lodhur nga politika dhe nuk besojnë se mund ta ndryshojnë realitetin e tyre duke dalë në votime.
Eshtë interesant edhe fakti që ndonëse për një muaj rresht partia më e madhe, PS, e bazoi fushatën e saj duke inkurajuar dhe ftuar gratë e vajzat të votojnë, sërish përqindja e vajzave dhe grave që votuan ishte më pak se 40 %. Do të thotë që 3 ose 4 gra nga 10, dolën sot për të votuar! Kush ka dështuar për këtë rezultat? Unë nuk besoj se ka dështuar vetëm PS që e bazoi si asnjëherë tjetër më parë gjithë vëmendjen gjatë fushatës te fuqia e gruas. Besoj se ka dështuar i gjithë sistemi dhe e gjithë klasa politike.
Fakti tjetër që LSI vazhdon të shtojë shifrat e saj, edhe pse opinioni e lidh atë parti më shumë se çdo parti tjetër me korrupsionin, tregon gjithashtu se shqiptarët nuk u besojnë premtimeve apo programeve. Kur mundin, ata votojnë thjesht për pragmatizëm (një ofertë për punë, një shans për t’u afruar pranë mekanizmit të shpërblimit të votës cilido qoftë ky mekanizëm, etj).
Kristi Pinderi