Farmaceutika e së ardhmes
Do të kisha kërkuar ndjesë për “arrogancën” e shpalosjes së vizionit tim personal mbi të ardhmen e farmaceutikës, nëse nuk do të isha vazhdimisht në kontakt me kolegë të mi të rinj në moshë.
Ka dicka ndryshe tek këta kolegë.
Nëse ne nxitonim të iknim jashtë, të hapnim një farmaci si “biznes të sigurt” apo ta braktisnim fare këtë profesion, sot, farmacistë të rinj kthehen nga studimet nëpër botë. Ku ka fat më të madh për ne?!
Dua të them, po krijohet dalëngadalë një brez farmacistësh me ndërgjegjie europiane pune si ndaj profesionalizmit, ashtu edhe ndaj pacientit. Atëhere më lind natyrshëm pyetja:
Çfarë mund tu ofrojmë ne këtyre farmacistëve?
Në radhë të parë, një treg solid farmaceutik!
E kam thënë dhe e përsëris; Shqipëria është një treg i vogël që të tërheqë interesin e firmave serioze farmaceutike. Çështja ndryshon (edhe shumë do të thosha) nëse flitet për një treg farmaceutik kombëtar! Pra një bashkim procedurial dhe administrativ me Kosovën për sa i përket tregut farmaceutik, për mendimin tim është e ardhmja jo fort e largët!
E dyta; FARMAKOVIGJILENCA!
Duket një fjalë e rëndomtë por ësht ë thelbi i farmaceutikës moderne. Nuk është gjë tjetër veçse sistem funksional online dhe direkt i mbledhjes dhe raportimit të çdo efekti anësor të barnave nga pacienti, mjeku, farmacisti, firma mëmë, tek Agjencia e barnave.
Vetëm kur të bëhet e mundur kjo, kemi kujt t’i kërkojmë llogari dhe kemi si ta mbrojmë jetën e pacientit nga çdo abuzim.
Duhet thënë që me Ligjin e ri të barnave, kemi për here të parë një bazë të plotë ligjore për kë të temë. Por duhet zhvilluar njëherësh me dixhitalizimin e sistemit mjekësor në mënyrë që të funksionojë realisht.
E treta; Një marrëveshje bashkëpunimi e ndërsjelltë me organet tatimore në mënyrë që farmacisti të jetë vërtet nën kontroll të rreptë fiskal, por t’i ofrohet edhe rimbursim i shpejtë tatimor në rastet kur ndryshimet fiskale e kërkojnë.
Një marrëveshje e ndërsjelltë bashkëpunimi me Ministrinë e Ekonomisë për sa i përket liçensimit. Nuk kemi akoma një hartë të plotë e të saktë të sistemit farmaceutik në vend, dhe kjo, për shkak të ligjit të licencimit që nuk parashikon asnjë mundësi të aktorëve profesionalë farmaceutik (Urdhëri i Farmacistit, Agjencia e Barnave, Ministria e Shendetesisë) në licencimin e farmacive. Nëse nuk ke zë kur licencohet një farmaci, si mund ta kontrollosh ose aq më shumë ta mbyllësh??
E katërta; Farmacia hospitaliere! E di që përsëritem; kuptoj që mbase mund të mos kemi farmacistë të prodhimit farmaceutik ngaqë kemi vetëm një të tillë, por të mos kemi farmacistë hospitalierë???
Ka shumë çështje që koha i nxjerr me nxitim mbi tavolinë si sfida goxha të mëdha. Është për shembull një bazë ligjore më europiane dhe e saktë në regjistrimin e barnave, apo një sistem online si në importet, regjistrimin ashtu edhe në shitjen e tyre.Shteti po punon intensivisht në këto drejtime, po ajo çka dua të them unë është: Po ne farmacistët, çfarë mund të bëjmë për veten tonë për të arritur atë nivel shërbimi që duam? /Shqiptarja.com
Nga Ardiana Çapi (Presidente e Shoqatës Shqiptare të Farmacisteve të Shqipërisë)