Kandidatë “impotentë” për kryeqytetin?
Tre kandidatët kryesore për kryetarë bashkie të Tiranës kanë një profil qytetar e secili paraqitet edhe me një si aureolë te politikanit thuajse të pakorruptuar.
Mirëpo që të tre, Veliaj, Kosova dhe kandidati i pavarur Bojaxhi, janë personazhet më pak të aftë për të ndikuar në realitetin politik shqiptar. Për fat të keq!
Njëri është një ministër që nuk bën dot asnjë dalje publike pa e parë drejtori i komunikimit të Kryeministrit.
Tjetri është një doktor me reputacion të mirë që nuk ka as edhe mundësinë me të vogël të imponojë ndonjë mendim në partinë që e ka kandiduar.
Ndërsa tjetri është një kandidat me kollaro e me kostum sportiv që synon të bëjë për vete intelektualë dhe të rinj që i bashkon me njëri tjetrin vetëm ëndrra për një Tiranë më të mirë. Por përtej ëndrrës, asgjë konkrete…
Votuesit e Tiranës gjenden befas, për herë të parë, para tre kandidatëve secili më “i mirë se tjetri”, por njëkohësisht, secili më i dobët se tjetri, në peshoren politike.
A është ky një lajm i mirë, në kuptimin që më në fund punët lokale të Tiranës lihen në dorë të kandidatëve qytetarë që mund të jenë mjaftueshëm më palcë kurrizore sa për të patur interesat e qytetit më prioritare se interesat e kryetarit?
Apo tre kandidatët e qytetëruar të Tiranës janë në fakt produkt i nevojës së dy apo tre njerëzve për të vënë nën kontroll bashkinë më të madhe në vend duke kandiduar “qytetarët” më të kontrollueshëm?
Nëse është kjo e fundit, atëherë kemi të bëjmë me kandidatët më impotentë politikë në historinë e zgjedhjeve vendore.
Me ndonjë rezervë, në këtë drejtim, ndaj kandidatit të pavarur…
/Historia Ime/