Përse na duhet Meta që qeveris njëherë MBI njërin e njëherë MBI tjetrin
Nga Kristi Pinderi
Disa pyetje të sinqerta ndaj Ilir Metës, të thëna troç edhe pa asnjë kompleks nga gazetarja e Zërit të Amerikës kanë ngjallur te një pjesë e publikut shqiptar dyshimin se Meta nuk është i paprekshëm dhe nuk është aq i qetë sa duket.
Dhe bashkë me këtë dyshim për paprekshmërinë politike të tij është rindezur dhe njëherë në bisedat e qytetarëve pyetja: Si ka mundësi që këtij njeriu, emri i të cilit me apo me pa të drejtë asociohet me korrupsionin, prapë nuk i hyn gjemb në këmbë?
Do apo nuk do një pjësë e jona, Ilir Meta u hyn në punë shumë shqiptarëve. Ai ka shumë të drejtë kur i përmend gazetares së Zërit të Amerikës ato mbi 200 mijë votat që ka marrë, se aty qëndron sekreti pse shqiptarët kanë nevojë për të.
Në atë mënyrën e vet, Ilir Meta nuk ka pse të shqetësohet për akuzat që i bëhen përsa kohë qëndron në këmbë e qeveris, njëherë mbi njërin, e njëherë mbi tjetrin.
Meta u hyn në punë atyre shqiptarëve që nuk e kanë besuar asnjëherë se politika është një gjë e pastër dhe e moralshme. Atyre shqiptarëve që kanë mësuar nga jeta e tyre fatkeqe se politika nuk ka pse të jetë një mënyrë për të diskutuar e debatuar e për të bërë punë të ndershme. Kur ka qene keshtu ndonjehere?!
U hyn në punë pikërisht për të konfirmuar mendimin që kanë se politika, në fakt, për ta nuk është thjesht arti i të mundurës, por arti me anë të së cilit dikush duhet të ndytet që ndytja e gjithë të tjerëve të marrë kuptim. E pastaj, kur ky të dalë i pastër “si kristali”, të tillë të dalin dhe ata vetë!
Që të jemi të sinqertë: vërtet besojmë se shumica e shqiptarëve e konsiderojnë politikën mënyrë për të folur mbi ide e për të zgjidhur problemet mbi parime të demokracisë? Është një gallatë po të besojmë se kështu mendon shumica në këtë vend!
Dhe nëse është kështu, për çfarë arsye nuk duhet të tolerojnë një njeri të papastër në politikën të cilen që në gjenezë nuk mund ta konceptojne dot si te pastër?
Meta u hyn në punë të gjithë hallexhinjve që mbajnë mend që në kohën e Enverit shteti kishte për detyrë t’u gjente punë. Pyetini pak ata 50 vjeçarë e kusur sot se a e kanë me tërë mend kur thonë: “atëherë mor vëlla, kishe një derë ku të trokisje”!
Patjetër që e kanë me tërë mend! Nuk ka rëndësi nëse e zgjidhnin apo jo hallin, rëndësi ka që tjetër gjë është të kesh “një derë ku të trokasësh” e tjetër gjë është të kesh një shtet rrumpallë që nuk të thotë as ku të shkosh të trokasësh!
Dhe këtu, Ilir Meta bën diferencë! Të tillë që shumica e shqiptarëve e konsiderojnë si vlerë: “Ai, të paktën i pret njerëzit e vet”. Disa të tjerë shkojnë më tej: “Ai të gjen punë o vlla!”.
Ilir Meta u duhet shumë shqiptarëve që në botëkuptimin e tyre nuk ka rëndësi të jesh i ndershëm, por rëndësi ka të mbijetosh! Ai është treguesi më i prekshëm, mish edhe kockë, i …mbijetesës! Dhe mbijetesa, është apo jo vlera ndaj së cilës përulen shumica e shqiptarëve?!
E çfarë rëndësie ka që Ilir Meta ka një fjalor prej maksimumi 750 fjalësh kur flet?!
Kujt i hyn në punë se sa i zoti ka qenë ai në shkollë?
Po ç’punë kemi ne se vishet si klloun?!
Se mos po na e ndrit ky tjetri që vishet me shije?
Për çfarë arsye duhet të sëkëlldisemi se në partinë e tij askush nuk guxon të mendojë ndryshe?
Mos po lenë këta të tjerët mendimin ndryshe në partitë e tyre?
E çfarë pastaj se e kanë akuzuar për korrupsion?
Mos vallë nuk kanë akuzuar për korrupsion këta të tjerët?
E çfarë pastaj se paska vilë në Gjirin e Lalzit? Mos nuk kanë dhe këta të tjerët?
Apo ai tjetri në Surel?
“Të paktën ai të pret në zyrë”…! “Te LSI gjen punë!”.
Ilir Meta i duhet mbi të gjitha politikës shqiptare. Cdo qeveri e ka shumë më kollaj të akuzojë Metën për dështimet e veta. Qoftë qeverisë që ishte, qoftë kësaj që është.
Kur Meta akuzon qeverinë e kaluar për dështimet ne ekonomi edhe pse ne të gjithë e dimë se ai ishte pjesë e asaj qeverie e detyrimisht edhe pjesë e atij dështimi, neve nuk na bën shumë përshtypje! Se fundja, a votuan shqiptarët kundër Berishës, apo votuan kundër Metës? Sigurisht që nuk votuan kundër Metës, se e dinin që në fillim që Meta mbijetoi e Meta do ishte prape!
Një njeri që mbijeton, edhe pse nuk di të flasë, apo nuk di të vishet, apo nuk di të qeshë apo nuk di të sillet e nuk ka asnjë ide, ka më shumë vlerë në Shqipëri se çdokush tjetër që pretendon të jetë ndryshe nga ai.
Sepse, për fatin tonë të keq, çdokush tjetër që ka pretenduar të jetë ndryshe nga ai, ka përfunduar bashkë me të… Apo nuk eshte keshtu?!
Ndaj nuk na e ka fajin aspak Ilir Meta…