Populizmi dhe turmat e protestave dhe stadiumeve
Nga Ahmet Shqarri
Nga: AHMET SHQARRI*
Termat populizëm e turmë, të ngjashme por edhe të ndryshme në të njëjtën kohë, janë keqpërdorur dukshëm gjatë këtyre ditëve prej ca njerëzve dallkaukë. Të shfaqura si dukuri gjatë protestës së fundit të organizuar nga opozita, por edhe në çorganizimin e paparë të ndeshjes së vonuar sa s’ka më e pa asnjë arsye për të qenë kështu, ndërmjet Tiranës e Partizanit, thirrjet e shumta e të vazhdueshme si dhe entuziazmi i shtirë për grumbullimin e turmave në këto ngjarje nuk bëri gjë tjetër veçse, ashtu si dhe herë të tjera, shërbeu përsëri për t’i shërbyer qëllimit dhe synimeve djallëzore të politikanëve të këqij, që ky vend i ka me shumicë, ndërkohë që kërkoi të mbulonte si gjithmonë, nëpërmjet strategjisë së dalë boje të populizmit, prapësitë dhe matrapazllëqet pa fund të tyre. Si gjatë protestës, ku nëpërmjet parullash me turli emra fshatrash kërkohej të vihej në dukje se të ardhurit vinin nga çdo cep i këtij vendi, me demek që t’u jepnin zgjidhje halleve e problemeve të tyre, kur në fakt në prapaskenë vazhdon të luhet një shfaqje e ndyrë për karrige pushtetesh, ashtu edhe për ndeshjen e shumëpërfolur mes Tiranës e Partizanit, përsëritet e njëjta gjë, duke ndjellë turmat për në stadium, nëpërmjet një teorie gjithashtu populiste, a thua se me këtë pjesëmarrje të rrallë dhe të pompuar të tyre, futbolli ynë do të mund të shihej ndryshe nga ç’njihet në fakt prej të gjithëve, si i sëmurë dhe pa shpresë shërimi. As vrasja e dikurshme e presidentit amerikan Xhon Kenedi nuk pat kaluar përmes një historie të tillë kaq të bujshme dhe aventureske për këtë vend, sa kjo e “Tom Doshit”, që ka dalldisur këto ditë turmat tona, që nëpërmjet thirrjeve populiste për “ndryshim”, dynden plot zell nëpër protesta dhe herëherë shkojnë të hipnotizuar edhe në ndonjë stadium, por pa zgjidhur asnjë nga problemet shqetësuese që ata kanë në të vërtetë! Mund të qëllojë që një ndeshje tek ne të luhet mes një pranie të shumtë tifozësh dhe ndonjëherë edhe mund t’i kënaqë pritshmëritë e tyre, por ajo gri e shëmtuar, gati në të zezë, që shihet shpesh e zakonisht në fushat tona sportive është tjetër gjë dhe krejt në kundërshtim me atë ç’ka shfaqet nëpër botë, ku ngjyrat e ndezura nëpër tribuna dhe niveli i lartë i ndeshjeve bëjnë dallimin ekstrem mes së keqes sonë dhe atij vezullimi që vjen prej andej. Një nga ndjesitë e shumta të pakëndshme që u kanë rënë për fat shqiptarëve për t’i përjetuar këto kohë gjatë përditshmërisë së tyre është edhe rasti kur pas një ndeshjeje futbolli të një kampionati të huaj që shihet nga ekrani, je i detyruar të shohësh edhe një lojë nga këto tonat. Nuk po flas për raste ekstreme si ato të ndonjë ndeshjeje nga ato magjiket që shfaq Barcelona me Messin e saj të papërsëritshëm, por për çfarëdo tjetër që na vjen prej asaj bote të zhvilluar, që ka një dallim shumë të thekshëm dhe aspak të krahasueshëm me gjithçka pa vlerë që shihet në futbollit tonë, që më shumë kuturbon me pisllëqet që shpërndan, se sa përpiqet të argëtojë. Për të ta bërë edhe më të trishtë e më të mërzitshëm këtë futboll tonin shërbejnë edhe këta të ashtuquajturit komentatorë apo analistë të ekraneve të ndryshëm, që përroin psiqik të “dijeve” që pretendojnë se kanë, e derdhin turbullisht tek ata që duke dashur t’u shpëtojnë të papriturave të pakëndshme nëpër stadiumet tona gërmadhë e pa asnjë komoditet, bien ndërkohë viktima të dhunës verbale të këtyre pseudogazetarëve që nuk përtojnë së lëshuari mbroçkulla e marrëzi të pafundme nëpër transmetimet e shumta të ndeshjeve! Duke u kthyer te titulli nga ku merr edhe trajtesën e tij ky koment, teori si kjo e populizmit apo edhe patriotizmi, i shfaqur shpesh artificialisht nëpër protesta dhe nëpër stadiume, ku gjatë një ndeshjeje më shumë sheh të shfaqen parulla politike dhe me synim të kundërvënies ndaj njeritjetrit, se sa flamuj dhe simbole sportivë, më së shumti i bën turmat mosbesuese ndaj atyre që për interesa thjesht vetjake kërkojnë vazhdimisht të shfrytëzojnë forma të tilla mashtrimi. Ndryshimi midis dy ngjarjeve këtu qëndron në atë se, nëpër protesta, edhe pse mashtrimi është fare i dukshëm dhe turmat janë të vetëdijshme për këtë, megjithatë ato vazhdojnë të gënjehen duke iu bashkuar në çdo rast gënjeshtarëve(!), ndërsa nëpër stadiumet tona ky lloj mashtrimi ka ngecur, me gjithë propagandën e shfrenuar populiste për t’i joshur turmat nëpër tribuna, ç’ka duket në bojkotimin e shumicës së tyre, përveç ndonjë rasti të veçantë, që gjithsesi nuk do të thotë aspak se me një lule mund të vijë pranvera…