Pse policia e shtetit ndihmon në realizimin e klipit që promovon shpërndarjen e drogës dhe vrasjen e policëve?!
Institucionet shtetërore shfaqen së fundi si kontribues në realizimin e një klipi të Çiljetës dhe Noizit, dy protagonistë të muzikës komerciale vulgare të adresuar ndaj konsumatorit të pakultivuar, kryesisht adoleshentëve.
Klipi i gjatë 12 minuta, titullohet Gangsta Love dhe është një himn për banditizmin dhe devijancën sociale, e cila evokohet me nota romantike në një miks banal aventure, dhune, luksi dhe pa dyshim seksi.
Subjekti tregon jetën e një çifti të rinjsh (Noizi dhe Çiljeta), liderët e një grupi gangsterësh, që merren me shpërndarje droge, dhe, në pjesen e mbetur të kohës, me qejfin e shthurur, falë parave të fituara me valixhe (një tjetër stereotip i konsumuar brutalisht nga kjo tematikë). Djali arrestohet në shtëpinë e tyre, një vilë luksoze diku në vendet perëndimore, dhe prej këndej vajza do të nisë organizimin e arratisjes së tij nga burgu me ndihmën e pjesës tjetër të bandës.
Sigurisht që ia dalin, dhe për të shtuar dozën e aventurës vrasin të gjithë grupin e gatshëm të forcave speciale (që, si për ta shtuar dozën e bajatjes, mbajnë logo të FBI-së), të cilët u kishin zënë rrugën.
Së fundmi, e tërë banda shfaqet në Puerto Rico, buzë detit, duke shijuar frytet e suksesit në luftë me ligjin dhe institucionet e rendit.
Deri këtu gjithçka është e kuptueshme për realitetin ku jetojmë dhe shpërfytyrimin kulturor të kësaj shoqërie, e aq më tepër te shumica e të rinjve.
Sigurisht që klipi do të bëjë bujë, e do të ketë numrin e merituar të klikimeve nga soji i vet.
Në media, dy protagonistët vlerësohen si «dy yje» të muzikës shqiptare dhe më tej shkruhet se “mbrapa gjithë asaj pune fshihet një skuadër e tërë profesionistësh”.
E pakonceptueshme për pritshmëritë e një njeriu normal është fakti që institucione të rëndësishme shtetërore, për më tepër institucione që përgjigjen në mënyrë të drejtpërdrejtë për rendin dhe sigurinë, bëhen mbështetës të realizimit të një klipi të tillë që promovon krejt të kundërtën e asaj për të cilën këto institucione ekzistojnë.
Në fund të klipit producentët nuk harrojnë të falenderojnë mbështetësit e tij ku, ndërmjet të tjerash, nën siglën ’Special Thanks’, përfshihet në listë edhe vetë Policia e Shtetit.
Nuk dimë ekzaktësisht se cili ka qenë kontributi i tyre. Mesa duket, disa prej xhirimeve duhet të jenë kryer në burgun e Durrësit, ndërsa nga Policia e shtetit mund të jenë ofruar mjetet logjistike për realizimin e klipit.
Por cilido të ketë qenë ky kontribut, qoftë edhe fare modest e i pallogaritshëm, përfshirja e këtyre institucioneve është totalisht joserioze dhe qesharake.
Teksa Policia e Shtetit tejkalon detyrat e saj dhe merr përsipër të bëjë edukatorin e shoqërisë, duke shkuar nëpër pubet e Vlorës, për t’iu kujtuar njerëzve që të bëjnë kujdes me përdorimin e automjeteve në gjendje të dehur, ajo kontribuon gjithashtu në realizimin e klipeve që promovojnë vagabondazhin dhe joshjen prej botës së krimit.
/postbllok.com
/l.k./