Sa duhet të paguajmë të na e lini parkun?
Nga Ened Mato*
E hëngrët, u pasuruat dhe e kafshuat deri në kafshatë të fundit këtë qytet. Ajo që kërkoni të hani tani është zemra dhe mushkëria e qytetit. Është turpi me bukë që duhet të hamë të gjithë nesër para brezave që do vijnë, para fëmijëve tanë, si hajdutë të së ardhmes, hajdutë të hapësirave dhe vrasës të parkut. Dhe për këtë do mbahemi mend gjate. Do mbahemi mend më shumë se një hajdut parash, nje hajdut profesionist a kriminel. Ne do jemi ata që shkulën pemët dhe mbollën betonin, zhduken hapësirat dhe i bënë letra në banke.
Eshte turpi i të përballurit nesër me brezat si barbarë të gjelbërimit, mjedisit dhe hapësires, 3 gjera që s’i mbulon dot me një shkelje syri, as me një psherëtime, eh mor bir….. Ne po ju heqim atyre të drejtën nesër të zgjerojnë parkun me një ambient sportiv, me një park tjetër të kuruar, me një kënd lojërash për fëmijet. Do mbahemi mend për ata që s’diten të respektojnë veten dhe jo më të ardhmen, për faktin se jemi hajdutë parqesh dhe veprojmë si të këtillë. Po vjedhim gjënë më të shtrenjtë që do i duhet këtij qyteti, pasi pushteti të dali nga verbëria, hapësirën pranë një parku dhe më pas parkun.
Dihet sa para fitoni nga ndertimet poshtë digës, dihet si do ndahen, dihet ku do shkojnë, për të ndërtuar e vënë prapë para. Po as 10 vetë nuk bëheni, sa lek do ju duhen? Ku do i coni? Na thoni ne qytetarëve që parkun kemi të vetmen pasuri që mund ti lëmë fëmijeve sa lek ju detyrohemi të na e lini parkun??? Ta paguajme ne që e duam parkun park.
Ju lutemi si qytetari qytetarit, mos e coni deri në fund barbarinë e hapësirave në park! Sot jeni të pangopur, nesër do jeni të mbingopur e do villni vet mbi ato pallatë.
Pse mos e blej qeveria atë hapësire të gjithën dhe ta bëje pjesë të parkut? Kemi paguar 7 mije lek të reja për një rrugë qe u vodh disa herë, ndoshta do paguanim më lehtë një taksë për zgjerimin e parkut, për një kënd më të madh sportiv a një kënd lojërash për fëmijët!
Zoti Kryeminister, mbas disa vitesh do vini dhe të Tirana e Re me çizme veshur, ndihma ngarkuar, ndoshta pa bageti dhe refrenin e zakonshëm në raste përmbytjesh, ….eh po vuajme ate qe i kemi bere mjedisit keto 20 vite…!!!
Qartë ju i keni borxhe ndërtuesve, por jo ne! Është më mirë ti shlyeni borxhet atyre dhe të ruajme parkun sesa ta paguajmë me të ardhmen e brezave qe do të vijnë!
/ecovolis.wordpress.com