Të gjithë ne jemi “magjupë”
Ndonëse kemi qenë vetë viktima të një diskriminimi të tmerrshëm nga të tjerët, neve, shqiptarëve, duket se nuk na ka shërbyer fare si mësim
Nga Adriatik Kelmendi
TË GJITHË U përfshimë, me të drejtë sigurisht, në një nga ato momentet histerike: qentë e kanë kafshuar për vdekje një vogëlush.
Mediat e raportuan lajmin dhe rrjetet sociale u vërshuan nga komentet kryesisht të skajshme.
Debati, si zakonisht, në rastet kur emocionet janë të arta, u polarizua në diçka që ndoshta mund të përkufizohet si dilema e kafshimit: a duhet lejuar që qeni ta hajë njeriun apo njeriu qenin?!
Por, më parë se pyetja “cilët janë këta qen?”, ajo që mbetej në margjina ishte pyetja tjetër –“kush ishte ky fëmijë?”. Dhe çka po bënte në çastet e tij të fundit të jetës së njomë?
Siç u raportua shkarazi, fëmija ishte rom. Në zhargonin popullor thuhej – kishte qenë magjup. As mosha nuk i ishte mësuar saktë. Nuk mund t’i biesh në fije se a ishte, 7-vjeçar apo vetëm 5.
Epo, pse të mësohet më tepër! Ishte “magjup”. Pikë!
EDHE KY EPISOD, ku ta di për të satën herë, po e shpërfaq në mënyrën më të vrazhdë diskriminimin e thellë si një damkë e rëndë që e përkufizon këtë shoqërinë tonë kosovare, me shumicë shqiptare.
Siç e kishte përshkruar kolegia ime B.Xh. “jo rastësisht, këta njerëz që shumica i quajnë ‘magjupë’ jetojnë aty ku hidhet bërlloku, jo rastësisht janë pa bukë, janë lypsarë… para se me i mbyt’ qentë, i kemi mbyt’ ne, ne shumica ‘shqiptare’”.
S’ka se si të jetë më saktë. Çuditërisht, ndonëse kemi qenë vetë viktima të një diskriminimi të tmerrshëm nga të tjerët (dikush mund të thotë se ende jemi), neve, shqiptarëve, duket se nuk na ka shërbyer fare si mësim.
Shumica, në raste edhe ata që veten e mbajnë për të edukuar e intelektualë, vazhdojnë t’i kritikojnë fëmijët e tyre duke u thënë: “Mos bëj si magjup!”. Duke e pasur fjalën, pra, për romët, ashkalinjtë ose egjiptianët. E tmerrshme!
Fëmijët infektohen me virusin e diskriminimit. U mësohet që në hapat e tyre të parë të dijes se më i ulëti veprim prej njeriu mund të cilësohet si veprim “magjupësh”. Se “magjupët” janë biologjikisht të një shkalle që dallon nga njerëzit e tjerë, diçka e krahasueshme me kafshët.
Për këtë arsye, siç duket, edhe u gjetën si caqe të lehta për ndjekje pas luftës, me pretekstin se “kanë bashkëpunuar me serbët”; se kjo legjitimoi pastaj edhe uzurpimin e shtëpive e pronave të tyre të tjera; se kjo bëri që të shihet si një problem jo shumë serioz edhe jetesa e tyre në kampin e Plemetinit, hapësirën ndoshta më të ndotur në Kosovë.
Dhe – po! – bëhet lajm dhe ngjall debat, vetëm kur shohim se një e zezë që e ka gjetur një fëmijë “magjupësh” mund t’i rrezikojë edhe fëmijët tanë. Qentë po kafshuakan!
SIDOQOFTË, SE JEMI shoqëri në masë të madhe diskriminuese, tashmë e kemi dëshmuar jo vetëm në relacion me komunitetin që e shohim më të dobët se ne, si romët, ashkalinjtë dhe egjiptianët.
A e keni parë se ai reagohet thuaja në unison prej korri të egër ndaj secilit që e shohim pak më ndryshe? Kur është pak më ndryshe edhe si homoseksual, kur është pak më ndryshe edhe si ateist, kur është pak më ndryshe edhe në ngjyrë lëkure.
Por duket se është për një studim të thuktë frojdian një kryediskriminim që ka dalë të jetë më i larti ndër ne – diskriminimi që para lindjes.
Statistika të pavarura kanë treguar se shqiptarët, duke iu falënderuar mundësive që na jep sot zhvillimi i teknologjisë, janë më të dalluarit sa i përket përzgjedhjes diskriminuese të jetës. Pra, duke mësuar gjininë që para lindjes, janë shtyrë të abortojnë më shumë gra shtatzëna, në të cilat është parë se bebja ka vagjinë dhe jo penis.
Besoj çdo koment këtu është i tepërt. Çdo shpjegim – i pakuptueshëm.
Vetëm çmenduria duket në këtë kontekst është buzë vijës së absolutes.
Për këtë arsye edhe lajmi për kafshimin e vogëlushit të vogël rom u trajtua si u trajtua.
Lexo versionon origjinal në Koha.net
Twitter: @adriatikk