Unë jam Orialda Kajtazi
Shënim i nënshkruar nga Lediona Braho
Jam vajza e Hiqmetit dhe Anilës. Kam dy motra, Klevisën dhe një tjetër me probleme mendore. Jam nxënëse në shkollën “Leonik Tomeo” në Durrës. E pëlqej dijen, por jo shkollën. I dua librat, por jo mësuesit. Kam një mal me dëshira dhe ëndrra, por sot nuk dua të flas për to. Jam në garë me kohën, unë jam skllavja e saj tashmë, ndaj duhet të flas shkurt, shpejt dhe thjesht, që të më lexoni pa u munduar.
Sot dua të rrëfehem.
E di që do të ndaleni pak çaste për të më lexuar, të shtyrë nga arsye të shprehura e të pashprehura. Nëse vini dhe qëndroni, dua t’ju shoh drejt e në sy e të më shihni po në sy. Nëse ndokush nuk ka dëshirë të rrijë, mund të largohet kur të dojë.
Mund të më quani të paedukuar, kokëkrisur, kurvë, madje edhe kriminele të rrezikshme. Më quani si të dëshironi, por kini mirësinë të më dëgjoni më parë. Më dëgjoni dhe më pas, më prapagjykoni sa të mundni.
Nuk pretendoj të më kuptoni të gjithë. Dua vetëm të më dëgjoni.
Do t’ju rrëfej skutat e zemrës sime. Kam edhe motrën pranë, por sot ajo do të heshtë. Ajo do të rrëfehet kur ta ndiejë.
Një muaj më parë, u largova nga familja, bashkë me motrën e vogël. Jam e sigurt që të gjithë e dini historinë, ashtu siç jua kanë treguar e interpretuar. Po, desha t’i vija në gjumë të thellë mamin dhe babin, desha t’ua merrja paratë, desha t’i vija flakën shtëpisë. Gjithçka ishte e vullnetshme dhe e menduar mirë.
Ju i dini detajet. I njihni edhe skenaret “trafikim”, “prostitucion”, “akuza të shumëfishta”, “hakmarrje” e të tjera. Skenaret janë të bukur, se na arratisin në fabula filmash hollivudiane, që sa më jorealistë të jenë, aq më tepër çmime rrëmbejnë. Nuk dua të hyj në fantazinë tuaj. As në skemat ligjore e rrjedhën e hetimit. Akuza? Po. Prostitucion? Jo. Hakmarrje? Po dhe jo!
Unë dhe Klevisa jemi shumë të lidhura. Nuk e mendoj se dy motra mund të duhen kaq shumë, a t’i nevojten kaq shumë njëra-tjetrës. Ndoshta pasi dashuria jonë është farkëtuar në zjarr.
Tani më kujtohet sa herë e kam shpëtuar nga duart e Hiqmetit. Ajo më vështronte si shpëtimtare me ata sytë e mjegulluar. Ishte trupvogël, ashtu ka ngelur edhe tani. Nuk më del koha për t’u ndalur e rrëfyer sikletet dhe lotët e saj nga ndëshkime qesharake. “Për tre ditë nuk do hani vezë”. Por mohimi i bukës së gojës nuk është asgjë, asgjë fare. Njeriu mund të jetojë me ditë të tëra pa bukë e ujë, me ditë të tëra edhe pa gjumë.
Por a mund të jetojë për vite të tëra nën një çati që rrezikon të bjerë e të të zërë poshtë pa e kuptuar?
Që në fillesat e kujtesës sime, aty te 5 vjeç, gjej gjurmë gishtërinjsh, sysh të shqyer, zërash të çjerrë e krisje dyersh.
Mos vallë janë fantazmat e mendjes sime, që nuk më lënë të qetë këtu e 18 vjet? Mos jam e demonizuar dhe e pushtuar nga shpirtra të këqinj, që duan gjak njeriu?
Mësuesit nuk kishin vënë re gjë, derisa më larguan nga shkolla. Gjasme u çuditën, se isha nxënëse e urtë dhe e mirë. Por nuk mund të bënin gjë.
Psikologia më ka dëgjuar pak herë, por nuk më ka kuptuar. As unë nuk e kuptoj pse ajo rri dhe e ngroh atë karrige si pulë.
Shoqet më donin dhe i doja, derisa kuptova se ato jetonin në një botë tjetër. Bota e tyre ishte me ngjyra, ndërsa e imja zhgarravitej përditë. Më duhet t’ia nisja përditë nga e para, por kur kthehesha në shtëpi, shihja zhgarravina në mure.
Dëgjoja metal për t’u arratisur mendërisht prej vuajtjes sime, prej mosgjetjes së hapësirës për t’u shprehur.
Isha e mallkuar që në lindje, si një nga Princeshat e Diznejt.
Më ndëshkuan në fëmijëri. Më ndëshkuan edhe në adoleshencë. Dy vjet zgjati ndëshkimi dhe vuajtja e zezë me një njeri që ma futën me zor në shtrat. Më përdhunuan me zor. Masivisht.
Duartrokitën të gjithë. Në sytë e Anilës dhe Hiqmetit lexohej lehtësimi nga një barrë. Isha barrë për 15 vjet dhe tashmë po shpëtonin, po e hidhnin pas krahëve sikletin dhe po çliroheshin.
Por unë nuk mund të qëndroja e robëruar nga morali dhe mentaliteti i ndëshkimit. Zemra ime ishte bosh. Po varfërohesha, kopshti im po thahej. Virgjërinë ma mori me dhunë. Lirinë ma rrëmbeu pa luftë.
A do të vazhdoja të rrija kështu, duke qenë spektatore e jetës sime?
Sa herë rebelohesha më kujtohej vargu i Gëtes: “Guximin ke humbur/gjithçka ke humbur/të jesh i bindur, do ish’ më mirë të mos kishe lindur”. Dhe bindesha sa herë e nëpërmendja se unë nuk po jetoja vërtet, se unë po i kundërvija jetës vdekjen.
A mund ta varrosja jetën time kështu, për së gjalli? Të merrja pjesë në funeralin tim dhe të bëja sikur vajtoja, sa për sy e faqe të botës atje jashtë?
Ah, por ajo, “bota atje jashtë” më trandte nga brenda. “Bota atje jashtë” ishte bota brenda mureve të shtëpisë sonë. Shtëpia jonë mbante erë. Grindjet mes tyre nuk kishin fund. Kur mbyllnin derën, shtëpia kthehej në një skenë orgjie psikiatrike. Motra tjetër vuante brenda kafazit të saj të hekurt. Orialda vuante ngacmime nga jashtë, meraqe nga brenda.
Isha e pafuqishme. Doja të kërkoja ndihmë në polici a gjetkë, por nuk mundesha. Isha rritur e mbrujtur me ndjenjën e pafuqisë. Me parimin se po gabove do ndëshkohesh.
Por Kuçedra i nxirrte kthetrat edhe për zhurmën më të vogël në pyllin e saj.
A mund të qëndroja si spektatore?
Ndaj vendosa të rebelohem.
I dhashë duart atij: Merri, i thashë, të mjaftojnë për t’u kënaqur. Por trimëria m’u shpërblye me sharje, fyerje, mallkime dhe dru.
Furra digjte dru brenda shtëpisë sonë, por nuk ngopej kurrë. Ata ishin të vendosur të na “digjnin” të gjallë.
Gjendja u përkeqësua dhe ne nuk po njihnim më fytyrat e njëri-tjetrit. Më dukeshin të huaj njerëzit e shtëpisë sime. Më dukeshin si të burgosurit që e thërrasin njëri-tjetrin me numra e pseudonime.
Ishim si të depersonalizuar.
Mendja e motrës tjetër i ngjante një akrobati në fije të perit. Mendja e mamasë dhe babait ishte një zhurmuese profesioniste cirku. Sytë e Klevisës kërkonin shpresë.
Ku ta gjeja forcën për të ikur? Guximin për të shkallmuar derën e shtëpisë, derën e moralit, dyert e një keqprindërimi të gjatë e të lodhshëm?
Demonët e mi u bënë më të fuqishëm se kurrë. E keni parasysh skenën kur Eva dhe Adami largohen nga parajsa? Gjarprin, mollën, Zotin që zemërohet e lëshon stuhi mbi ta ?
Ashtu përngjante shtëpia jonë atë mbrëmje kur kapërcyem pragun.
Aty filluan peripecitë, aty zuri fill liria. Aty shijuam çdo pikë shiu që hodhën zotat për të na maskuar, për të na mbrojtur.
Për 30 ditë jetova siç nuk kisha jetuar e ëndërruar plot 18 vite të jetës sime.
Jetova pa çati, pa frikën se çatia mund të shkërmoqej e të na zinte poshtë… ndoshta në gjumë… për t’u gdhirë të nesërmen në faqet e para të gazetave.
E në fakt, edhe pa çati, pranë në faqet e gazetave ishim.
Na njihnin të gjithë, ndaj u detyruam të maskoheshim, të fshiheshim, të vidhnim qoftë edhe disa minuta a disa orë më shumë nga liria jonë e fituar rrëmbimthi.
E pranoj se ishte e vështirë. Klevisa filloi të frikësohej.
A e meritonim ne këtë liri? A mund të jetonim të lira, kur gjithë jetën tonë ishim mësuar si ai qeni që jargavitet në laborator?
Fillova të dyshoja te liria ime e rrëmbyer përmes ndëshkimit.
Fillova të pendohesha.
Jo se kisha bërë bujë e të gjithë mund të më mallkonin, jo se kisha lënduar e zemëruar prindërit e mi, jo se kisha idhnuar a bërë ziliqare motrën e tretë.
Pendesa lidhej me mua. U pendova se nuk e ndërtova vetë lirinë time. Se nuk luftova për ta nisur gjithçka nga hiçi, të rropatesha e të djersitesha për të.
Lirinë e vodha dhe tani jam e detyruar ta kthej.
A po them se liria ime u përkiste prindërve të mi? Faktikisht, po. Prindërit shpesh bëhen pengmarrës, ndoshta edhe pa e kuptuar.
Prindërit e mi ishin pengmarrës të duruar dhe kishin krijuar një skemë fantastike ndëshkimi.
Askush nuk mund të më shpëtonte prej kthetrave të tyre, përveçse vetes sime. Por zgjodha rrugën e gabuar. Zemërimi ishte i beftë dhe ma përvëloi logjikën.
A ishte ky akti i parë dhe i fundit i lirisë sime?
Nuk e di, por di se Adami dhe Eva nuk u kthyen më në Parajsë.