Vaj medet Ilir Beqja – Nga Kristi Pinderi
Ministri i Shëndetësisë Ilir Beqja është ministri me kreditet më të ulta sot në qeveri. Për shumë njerëz ai është dhe ministri më i përçmuar, sepse qytetarët e shumtë që kërkojnë shërbimet në spitale nuk ndjejnë as më të voglin ndryshim në cilësinë e shërbimit.
E në momentin kur një furtunë e vërtetë e opinionit publik është drejtuar nga shëndetësia, ministri ka kërkuar sot të bëjë pak më shumë PR politik. Ka dalë dhe është mburrur me faktin se në Shqipëri po zbatohet më shumë ligji për mos pirjen e duhanit në ambiente publike.
Nuk ka bërë asgjë më shumë Ilir Beqja nga Nard Ndoka në këtë drejtim! As nuk janë shtuar kontrollet e as nuk janë shtuar në mënyrë të qënësishme gjobat. Qëndrimi i qytetarëve dhe i bizneseve në këtë drejtim ka të bëjë më shumë me një frymë të përgjithshme e më të përgjegjshme karshi respektimit të ligjit. Madje, më shumë ka bërë punë statura kërcënuese e Ramës dhe Tahirit në këtë drejtim, se statura e gjatë dhe e thatë e këtij ministri, sipas meje, tërësisht dështak dhe arrogant.
Kryeministri Rama i ka dalë si mburojë këtë javë ministrit të vet dhe të dy bashkë janë marrë me çështjen e testimit të doktorëve.
Me siguri këtë do e shesin si reformë e sukses. Mirëpo, askush deri më sot nuk është ankuar për cilësinë e doktorëve aq sa është ankuar për cilësinë e sistemit dhe të shërbimit që marrin në spitale.
Problemet janë po ato: Mungojnë ilaçet në spitale. Mungon shërbimi dinjitoz i personelit. Mungon pothuajse totalisht shërbimi i urgjencës. Mungojnë aparaturat. Pacientëve kronikë ua bëjnë jetën ferr me njëmijë dokumenta të panevojshëm. Mungon në tërësi menaxhimi nëpër spitale. Janë shtuar si kërpudha pas shiut recepsione e kompjutera pas të cilave qëndrojnë gra apo burra që nuk dinë të shtypin as tastierën (problemi këtu, që të kuptohemi, nuk janë kompjuterat!).
Në spitale mjekët nuk komunikojnë me njëri tjetrin: një pacient me sëmundje kronike që kërkon vëmendjen e doktorëve që mbulojnë patologji të ndryshme i duhet të shkojë deri në 5 doktorë brenda të njëjtit spital vetëm pse mungon pikërisht ky komunikim (që duhet të ishte elektronik në shumicën e rasteve).
Pacientët shndërrohen në hamallë apo në qenie që me dorë në bark e në zemër e me frymëmarrje të rënduar duhet të shkojnë nga një vend në tjetrin e tek çdo vend duhet të kalojnë më parë te këto kompjuterat unikë që nuk lidhen me asnjë sistem unik.
Për shembull: një paciente kronike që shërbehet me dializë, për çfarë arsye duhet të shkojë në tre zyra e dy pavione rresht çdo 6 muaj për të marrë dy tre ilaçe të shtrenjta të rimbursueshme? Për çfarë arsye duhet të bëjë analiza formale çdo 6 muaj, a mos ndoshta ka në botë ndonjë rast që dikush me këtë problem shëndetësor të jetë shëruar e mos ketë më nevojë për këto ilaçet e rimbursueshme?!
Ose, për çfarë arsye shpenzohet aq shumë për fasadën dhe pllakat e urgjencës së re, mirëpo nuk shtohet një aparaturë e dytë për ekon? Pse fëmijët e shkretë që shkojnë në urgjencës e pediatrisë, duhet të presin në rradhë për tre orë derisa eko e vetme në urgjencën e QSUT të jetë liruar?
Ku janë doktorët e urgjencës gjatë netëve dhe pse ai spital mbushet me lloj lloj inferemierësh që bëjnë praktikën e nuk dinë as të të thonë ku është tualeti psh?
Zoti Rama dhe zoti Beqja: edhe sa vjet duhen për të bërë gjëra minimale organizative në spitale?
E di përgjigjen standarte në fakt: Nuk e bëjmë dot atë që është zhbërë në vitet e Saliut, – thotë Rama kur e pyet për këtë e madje u hakërrehet atyre që e kritikojne, ndërkohë që në fakt, duket sikur as nuk e kanë nisur punën, aq sa dhe aleati, LSI, nuk humbet asnjëherë rastin ti kritikojë e tu japë mend. #VajMedetIlirBeqja