Kriteret e reja për të hyrë në Universitet
Në projektligjin e ri për arsimin e lartë janë ndryshuar disa prej kritereve të pranimit në universitet. Institucionet e arsimit të lartë do të përcaktojnë në rregulloren e tyre notën mesatare me të cilën kanë të drejtë të futen studentët e ciklit të parë (bachelor). Pranimi në programet e studimit të ciklit të parë është i mundur për çdo kandidat që ka përfunduar me sukses ciklin e arsimit të mesëm dhe që plotëson kriterin e notës mesatare të përcaktuar çdo vit me vendim të Këshillit të Ministrave.
Kriteri i mesatares do të jetë i vlefshëm edhe për studentët që do të vazhdojnë masteri, qoftë atë professional apo të shkencave. Për të vazhduar ciklin e dytë në “Master të shkencave” është kriter pranimi edhe njohja nga kandidati e një prej pesë gjuhëve të huaja të Bashkimit Evropian: anglisht, frëngjisht, gjermanisht, italisht, spanjisht. Nëse individi ka fituar një diplomë të një programi studimi të kryer në një nga këto gjuhë, diploma e fituar shërben si dëshmi për plotësimin e këtij kriteri.
Në projektligj është shtuar në ciklin e tretë të studimeve edhe programi i studimeve “Master Ekzekutiv”. Programet e studimeve “Master Ekzekutiv” ofrojnë arsimim të një niveli të lartë shkencor dhe profesional. Ato kanë kohëzgjatje normale një ose dy vite akademike dhe organizohen përkatësisht me 60 ose 120 kredite. Pranimi në programet e ciklit të tretë të studimeve është i mundur vetëm për kandidatët që kanë fituar diplomën “Master i Shkencave” dhe plotësojnë kriteret e pranimit, të përcaktuara nga institucioni i arsimit të lartë.
Ndërkohë studimet e doktoratës do të zhvillohen me kohë të plotë pranë njësisë bazë, ose me kohë të pjesshme në ato raste kur doktoranti është i punësuar si personel akademik. Për kryerjen e studimeve të doktoratës, studenti mund të përfitojë edhe financime nga subjekte të tjera apo të vetëfinancohet.
/shqiptarja.com