Jeta e familjes Gjoci, me vajzën të paralizuar dhe shtëpinë e rrënuar nga tërmeti
Nuk janë të pakta familjet që jetojnë mes skamjes dhe varfërisë. Një nga këto është edhe rasti i familjes Gjoci nga fshati Ndërfushas i Mirditës i sjellë në vëmendje nga Report TV.
Tërmeti i rënë në muajin prill thuajse e rrëzuar për tokë shtëpinë e familjes ku jetojnë dy prindërit e moshuar dhe vajza e tyre e paralizuar 45-vjeçare. Mosha e madhe e kryefamiljarëve ka bërë që mos të kenë mundësi për të riparuar sadopak shtëpinë, por ajo që i shqetëson më shumë Pashk dhe Luiza Gjocin, është vajza e tyre e cila është e paralizuar në të dyja këmbët dhe e kanë të pamundur për t’u kujdesur për të.
Mimozës, si pasojë e një sëmundje të rrallë i kanë prerë njërën këmbë që në moshën 16 vjeçe, por me kalimin e kohës sëmundja i ka kapur edhe këmbën tjetër!
“Kam këputur këmbën që 16 vjeçe, Ma kanë prerë, nga sëmundja më ka kapur edhe këmbën tjetër. Tani nuk mund të lëviz fare. Tani më janë bërë edhe duart. Kam afër 30 vjet kështu”, ka thënë për Report TV Mimoza Gjoci.
E ëma e Mimozës, Liza Gjoci, i ka bërë thirrje institucioneve publike për ndihmë: “Unë jam Liza Gjoci në moshën 70 vjeçare, plaku 75 vjeç. Një fëmijë e kemi të sëmurë invalidë, para 30 vjetësh i është këputur këmba. Nga ajo këmbë i janë deformuar edhe duart dhe këmba tjetër… Po pati mundësi shteti të na ndihmojnë sa mundet. Ne nuk kemi mundësi ta përballojmë gjithë këtë që na ka gjetur, nuk mund ta rregullojmë, vetëm nëse na nxjerrin me skavator”.
Sipas vlerësimit të komisionit nga bashkia e Mirditës, banesa është në një gjendje ku nuk mund të jetohet, por ende nuk është marrë ndonjë vendim për zgjidhjen e problemit.
Burimi: Shqiptarja.com