Avokati i Popullit: Të rriten investimet publike për respektimin e të drejtave të fëmijëve
Çështja e investimeve publike që shkojnë për realizimin e të drejtave të fëmijëve u diskutua në formën e një debate publik mes institucioneve shtetërore, shoqërisë civile, fëmijëve dhe komunitetin në auditoriumin e organizuar nga Avokati i Popullit, Save the Children dhe UNICEF.
Avokati i Popullit dhe Save the Children kanë për qëllim të rrisin ndërgjegjësimin e insitucioneve publike për një koordinim mes strukturave të qeverisjes vendore me ato qendrore në lidhje me respektimin e të drejtave të njeriut në përgjithësi dhe të fëmijëve në veçanti.
Avokati Totozani rreshtoi disa nga shqetësimet e fëmijëve, ndërsa dha dhe rekomandimet e tij. “Duhet hartimi i politikave që sigurojnë shërbime cilësore shëndetësore, përfshirë sigurimin e fondit të posaçëm për fëmijët me sëmundje të rënda e që kërkojnë trajtim adekuat jashtë vendit.”
Totozani tha gjithashtu se duhet investim serioz në rritjen e cilësisë së arsimit, duke synuar gjithëpërfshirjen dhe qasjen në arsim, parandalimin e braktisjes dhe parandalimin e dhunës në shkolla. Si dhe vijim i mbrojtjes sociale për të gjithë fëmijët në nevojë nën kujdes rezidencial, përfshirë fëmijët e braktisur, ata pa përkujdes prindëror, fëmijët me nevoja të veçanta, fëmijët në varfëri, fëmijët e keqtrajtuar, viktimat e shfrytëzimit dhe trafikimit, fëmijët e përfshirë në punë të rënda etj”. /l.k./
/ATSH