Fëmijët, përballë rrezikut të konsumit të duhanit dhe të alkoolit
Në vendin tonë është shumë e lehtë që një fëmijë të blejë pije alkoolike, duhan apo të luajë lojëra fati, mjafton që të ketë para për të paguar. Në rrugët e kryeqytetit, por edhe në markete tregtohen produkte si duhan dhe alkool për këdo që mund të ketë para, qofshin këta edhe fëmijë nën moshën 18 vjeç. Emisioni “Fiks Fare” nisi një investigim për të treguar sesa të rrezikuar janë fëmijët në Shqipëri nga këto fenomene.
Ndalimi me ligj për përdorimin e alkoolit dhe duhanit nuk i pengon fëmijët të blejnë këto substanca. Ky tashmë është fakt i cili u soll në vëmendjen e shikuesve, duke bërë evident mosrespektimin e ligjit, kryesisht nga personat që i tregtojnë këto produkte. Investigimi i transmetuar mbrëmjen e kaluar tregon dy fëmijët, njëri 12 vjeç dhe tjetri 13 vjeç, të cilët e nisin me blerjen e një pakete cigare. Bazuar në ligjin nr. 9636, datë 6.11.2006 për mbrojtjen e shëndetit nga produktet e duhanit, konkretisht në nenin 9 të tij thuhet: Ndalohet shitja ose furnizimi, për qëllime tregtimi, i produkteve të duhanit personave nën moshën 18 vjeç. Të gjitha pikat e shitjes duhet të pajisen me tabelë të dukshme dhe të lexueshme, ku të shkruhet: “Ndalohet shitja e produkteve të duhanit personave nën 18 vjeç”. Tregtari nuk pyet fare për moshën, thjesht merr paratë, edhe në këmbim ofron produktin.
Terreni i lehtë për të blerë çfarë të duan i favorizoi fëmijët të bëjnë blerjen e dytë, pije alkoolike e tipit Vodka me 75% përbërje alkooli. Pasi hyjnë në dyqan, fëmijët i kërkojnë shitësit pije alkoolike. Ai u ofron fëmijëve llojet e pijeve që ka edhe i tregon se me çfarë shoqërohen këto pije. Dy djemtë, i tregojnë se e duan për të festuar ditëlindjen e një shoku, edhe shitësi me shaka u thotë: “Ta merrni pijen… Si mos ta merrni”??? Njësoj si në rastin e parë edhe në rastin e dytë, fëmijëve nuk u kërkohet mosha, e për rrjedhojë as dokument identifikimi për verifikim. Me shishen e pijes alkoolike, ato largohen nga dyqani…
Investigimi i emisionit “Fiks Fare” nuk u ndal vetëm me blerjen e këtyre produkteve. Dy minorenët tentuan hyrjen në një pikë bastesh bazuar në ligjin nr. 10 033, datë 11.12.2008 për lojërat e fatit, konkretisht në nenin 6 “Mbrojtja nga lojërat e fatit dhe pikat e basteve “kuptojmë se: “Organizatorit të lojërave të fatit i ndalohet të punësojë dhe të lejojë të futen apo të luajnë në mjediset e lojërave të fatit persona nën moshën 18 vjeç”. Fëmijët e kanë të ndaluar të luajnë nëpër pika bastesh, ndërkohë në kryeqytet ndodh krejt e kundërta. Bashkëpunëtorët e “Fiksit” hyjnë në pikën e basteve, marrin orientimet për ndeshjet përkatëse, vënë një skedinë dhe largohen. As këtu nuk ia kanë nevojën asnjë të rrituri. Shuma me të cilën fëmijët luajnë është 200 lekë, ndërsa shuma për të cilën luhet, arrin 7000 lekë.
/l.k./