Fëmijët shqiptarë braktisen në vendet e BE për të fituar azil
Katër shtetas janë vendosur nën hetim për braktisje të të miturve në vendet e BE, me qëllim marrjen e azilit. Fëmijët e mitur udhëzohen që të deklarojnë se janë të braktisur e jetojnë në kushte të vështira, për të përfituar kështu nga shërbimi social që është i detyrueshëm në këto vende.
Sipas Top Channel, një raport i policisë italiane tregon se çdo muaj, mesatarisht 70 të mitur shqiptarë dorëzohen pranë shërbimeve sociale të deklaruar si të braktisur nga prindërit.
Avokati i popullit ka reaguar për këtë fenomen përmes një deklarate për mediat.
“Institucioni i Avokatit të Popullit apelon që zgjidhja e vetme e problemit të braktisjes masive të fëmijëve shqiptarë në rrugët e vendeve të huaja, të gjendet te kurimi i origjinës së problemit që e gjeneron këtë fenomen: varfërisë së skajshme, pabarazisë shoqërore dhe mungesës së theksuar të vëmendjes shtetërore për fëmijët dhe shtresat e tjera vulnerabël në vend”, thuhet në këtë deklaratë.
Avokati i Popullit nënvizon se është thelbësore që institucionet tona të tregojnë:
- Kujdes dhe mbrojtje ndaj fëmijëve, siç parashikohet në Konventën për të Drejtat e Fëmijës.
- Standarde më të larta të shëndetit dhe aksesin në shërbimet e kujdesit shëndetësor.
- Të drejtën për arsimim falas dhe të mundësueshëm për të gjithë fëmijët.
- Asistencë të veçantë për prindërit dhe kujdestarët ligjorë në ushtrimin e përgjegjësive të tyre për mirërritjen e fëmijëve.
Ndihmës-komisionerja për mbrojtjen e të miturve pranë këtij institucioni tha për Top Channel se të njëjtën skemë prindërit shqiptarë po e përdorin këtë skemë për fëmijët e tyre edhe në Britani e Francë.
Deri më tani, Gjykata e Tiranës ka dënuar dy shtetas, pasi, sipas hetimeve, rezultojnë nga sistemi TIMS të kenë udhëtuar jashtë vendit me fëmijët e tyre, por janë kthyer pas pa ta.
/l.k./

 
		    				        
 
								     
								     
								        
								        
								       






 Historiaime.al është një zë i pavarur në mbrojtje të të drejtave të njeriut. Ne raportojmë si për shkeljet e të drejtave të njeriut ashtu edhe për histori njerëzore që i promovojnë këto të drejta. Ky projekt synon të ndryshojë qëndrimet jo fort etike karshi të drejtave të njeriut nga ana e medias kombëtare si ajo e shkruar, ashtu edhe ajo vizive dhe media e re online.
Historiaime.al është një zë i pavarur në mbrojtje të të drejtave të njeriut. Ne raportojmë si për shkeljet e të drejtave të njeriut ashtu edhe për histori njerëzore që i promovojnë këto të drejta. Ky projekt synon të ndryshojë qëndrimet jo fort etike karshi të drejtave të njeriut nga ana e medias kombëtare si ajo e shkruar, ashtu edhe ajo vizive dhe media e re online.