Boko Haram ka rrëmbyer 110 adoleshente të tjera
Më shumë se 100 vajza adoleshente janë zhdukur pas një bastisjeje të dyshuar të Boko Haram në një shkollë nigeriane javën e kaluar, siç thanë zyrtarët kombëtarë të djelën, në një nga rrëmbimet më të mëdha të grupit terrorist që nga rrëmbimet në Chibok të vitit 2014.
Kryengritësit sulmuan Kolegjin “Government Girls Science Technical” në qytetin e Dapchi, Yobe State, më 19 shkurt, duke detyruar qindra vajza dhe mësues të largohen për të shpëtuar jetët e tyre nëpër pyje. Ministria e Informacionit e Nigerisë tha të dielën se 110 nga 906 studentet në shkollë nuk janë gjetur ende.
Presidenti nigerian Muhammad Buhari i përshkroi rrëmbimet masive si një “katastrofë kombëtare” dhe ka vënë në dispozicion avionë luftarakë, avionë mbikëqyrjeje dhe helikopterë në kërkimin e vajzave të zhdukura në verilindje të vendit.
“Na vjen keq që ndodhi, ndajmë dhimbjen tuaj. Më lejoni t’ju siguroj se forcat tona të armatosura do t’i gjejnë dhe do t’i kthejnë të gjitha vajzat e zhdukura, “tha Buhari të premten në Twitter, duke iu drejtuar familjeve të vajzave të zhdukura.
Kachalla Buchar, babai i 14-vjeçares Aisha Buckar, tha për BBC se prindërit donin që qeveria të bënte gjithçka që ishte në fuqinë e saj për t’i kthyer vajzat sa më parë.
“Ne nuk duam që këto vajza të qëndrojnë gjatë me ata militantë. Mund tu ndodhë çdo gjë,” tha ai. “Ne po lusim qeverinë që ta kontrollojë situatën shpejt.”
Dëshmitarët treguan se sulmi filloi kur një kolonë kamionash dhe motoçikletash që mbanin burra të armatosur përparuan në qytet, duke qëlluar njerëzit në mënyrë të rastësishme. Disa nga sulmuesit mbanin maskim, duke bërë që disa vendas të mendonin se ishin ushtarë qeveritarë, raportoi Reuters.
Prindërit e vajzave të zhdukura janë zemëruar më shumë nga informacionet e pasakta të dhëna nga autoritetet, të cilët fillimisht mohuan se vajzat ishin rrëmbyer, duke thënë se thjesht po fshiheshin nga xhihadistët. Zyrtarët shtetërorë të Yobe më pas lëshuan një deklaratë të mërkurën se dhjetra vajza ishin shpëtuar, vetëm për ta tërhequr këtë deklaratë ditën tjetër, duke thënë se ajo ishte bazuar në informacione të gabuara.
Boko Haram, emri i të cilit përkthehet si “Arsimi perëndimor është i ndaluar”, po kryen një kryengritje brutale islamike në Nigerinë verilindore në përpjekje për të krijuar një shtet islamik. Fushata e tij ka vrarë më shumë se 20,000 njerëz dhe ka nxjerrë nga shtëpitë e tyre 2 milionë që kur filloi në vitin 2009.
Grupi fitoi famë të keqe globale në prill të vitit 2014 për rrëmbimin e më shumë se 270 nxënëseve nga qyteti i Chibok, rreth 275 km në jugperëndim të Dapchi. Pothuajse katër vjet më vonë, shumë prej këtyre vajzave janë liruar si rezultat i negociatave, por më shumë se 100 mbeten të zhdukura./A.A.