Erjona, 8 muajshe shtatzënë dhe nënë e një fëmijë 3-vjeçar: “mbledh krom për të siguruar jetesën”
Gjatë një emisioni televiziv me fokus historitë njerëzore, një grua shtatzënë nga Bulqiza ka treguar për vështirësitë që kalon për të siguruar mbijetesën e saj dhe të të djalit tre vjeçar.
Gruaja quhet Erjona Balla dhe tashmë ka hyrë në muajin e tetë të shtatzënisë. Ajo është e detyruar që çdo ditë të mbledhë krom, për të siguruar minimumin jetik për veten dhe fëmijën. Erjona detyrohet të marrë dhe djalin me vete teksa shkon e punon për mbledhjen e kromit, pasi nuk ka se me kë ta lërë djalin gjatë orarit të punës.
Gjatë rrëfimit në emision gruaja tregon se nuk ka asnjëri pranë pasi bashkëshorti i saj ndodhet aktualisht në burg ndërsa asistenca e vetme financiare që merr nuk i mjafton as për të mbuluar shpenzimet e energjisë elektrike dhe ujit. Përpos skamjes ku jeton Erjona është e detyruar të ndihmojë financiarisht edhe bashkëshortin e saj në burg pasi gjendja e tij shëndetësore është e përkeqësuar brenda burgut .
Mbledhja e kromit është kthyer në punën e saj që prej 4 muajsh. Më poshtë gjendet dhe rrëfimi prekës i saj marrë nga emisioni “Njerëz në Fokus”:
‘’Prej 4 muajsh e gjysmë unë dal këtu, që të mbledh krom. Është e vetmja mundësi për të jetuar, dhe për të siguruar të ardhura për vete dhe djalin e vogël. Burri im ndodhet në burg. Dhe unë jetoj vetëm me një ndihmë të vogël ekonomike. Ajo nuk më mjafton për të paguar detyrimet e ujit dhe energjisë. Duhet të ndihmoj edhe bashkëshortin që ndodhet në burg’’
Pavarësisht gjendjes delikate shëndetësore të saj si dhe kushteve të vështira ekonomike si grua shtatzënë me bashkëshortin në burg, asistenca ekonomike si dhe të ardhurat minimale nga puna e rëndë në mbledhjen e kromit Erjona ende nuk ka marrë asnjë ndihmë sociale nga institucionet përgjegjëse.
k.m