Feminizmi nuk duhet, për burrat
Shkruar nga: Lyra Goga
Shumë besojnë se djemtë janë më të zgjuar, më të aftë, më të mirë se vajzat. Si feministe që jam, ju ndoshta mendoni se unë e kundërshtoj këtë. Epo, ja që jeni gabim. Edhe unë pajtohem me këtë, sidomos që janë më të zgjuar. Shumë më të zgjuar. Një vajzë që ka mësuar gjithmonë dhe ka dalë e para në mësime mendohet ta ketë arritur këtë vetëm sepse ka punuar shumë. Po ta pyesësh atë ajo vetë do të të thotë se vëllai apo ndonjë shok i saj është shumë më i zgjuar, por është dembel. Vetem falë përtacisë së djemve, ajo po arrin sukses, jo për shkak të mendjes së ndritur.
Lavdëron vëllain që është i zgjuar dhe skuqet kur të tjerët e lavdërojnë, duket sikur nuk i meriton këto lavdata. Sepse ajo vetëm punon dhe mundohet shumë, jo sepse është e zgjuar. Duke u rritur, kjo vajzë ka matematikën lëndë të preferuar. Dhe është e shkëlqyer në të. Ëndërron të bëhet arkitekte apo inxhiniere. Por këto nuk janë profesione vajzash. Dhe natyrshëm djemtë janë më të mirë në shkenca, çfarë i duhet asaj të përzihet atje? Le të bëhet mësuese, është profesioni ideal për të. Kështu ajo heq dorë nga ëndrra e saj duke u bindur që e ka gabim.
Të biesh pre e shoqërise, të dëgjosh të tjerët në vend të zemrës tënde është veprimi më pak i mençur që mund të bësh. Kur kjo vajzë, produkt i shoqërisë, përfundon universitetin, shpreson të gjejë një punë. Nuk ka ambicie shumë të mëdha sepse frikësohet që kjo do ta pengojë në krijimin e një familjeje. Sepse gratë duhet të zgjedhin mes karrierës dhe familjes, nuk ndodh e njëjta te burrat. Kështu, në pozita udhëheqëse janë burrat, sepse ata janë “më të mençur” plus, sepse vendi i grave është në kuzhinë.
Kjo vajzë fillon të takohet me djem. Takon djalin e ëndrrave dhe fillojnë të dalin bashkë. Ai dalëngadalë fillon edhe të ndërhyjë në jetën e saj. I tregon me kë të dalë, ku mund te shkojë, deri kur të vonohet e gjëra të tilla. E bën këtë sepse e do vetëm për vete, ah sa romantike që është kjo… Ai, nga një ëndërr e bukur shndërrohet në një makth. Por ajo përsëri nuk ankohet. Duhet të durojë. Beson që i dashuri i saj ka të drejtë të ushtrojë pushtet mbi të, është normale. Shumica e lidhjeve janë kështu. Një vajzë që vullnetarisht nënshtrohet në këtë mënyrë, pas disa viteve, martohet dhe bën fëmijë. Burri punon dhe ka një rrogë të mirë, andaj ajo nuk ka nevojë të punojë edhe pse pas aq shumë viteve që i ishte përkushtuar shkollës… ajo duhet të kujdeset për fëmijët dhe burrin, të gatuajë, të pastrojë dhe mundësisht të jetë e gatshme t’i bëjë këto në çdo kohë. Është një grua model: nuk e kundërshton bashkëshortin asnjëherë. Ai fundja është i zoti i shtëpise dhe fjala e tij është ligj. Dhe gruaja tanimë është mësuar të nënshtrohet. Sepse ai është roli i saj, e burri në anën tjetër… epo ai është burrë. Kaq mjafton.
Ka shumë e shumë gra që thonë se nuk kemi nevojë për feminizmin. Që është mjaft mirë kështu si është. Që gratë duhet t’i pranojnë rolet që u janë caktuar dhe të mos rebelohen. Mjaft të drejta kemi! Burrat dhe gratë nuk ka kuptim të jenë të barabartë, nuk do ishte e natyrshme. Ka aq shumë gra që mendojnë keshtu, që janë pajtuar me këtë fat. Në anën tjetër burrat, ata, të privilegjuarit, që përfitojnë aq shumë nga kjo gjë: heshtin. E pse të lodhen ata të luftojnë për të drejtat e grave, kur ato vetë nuk e bëjnë?! E kush i bie të jenë më të zgjuar tani?! Burrat? Kam frikë se po./A.A.