Gjinia dhe feminizmi në planifikimin urban
Shkruar nga: Arben Vojvoda
Sektori i planifikimit dhe i ndërtimit karakterizohet nga kultura e burrave, që gjatë gjithë historisë së njerëzimit e ka ndikuar fuqishëm planifikimin e qyteteve. Kjo kulturë ka krijuar struktura të ngurta që si pasojë ka përforcimin e stereotipeve, në vend të shpërbërjes së tyre dhe hapjes së perspektivave të tjera gjithpërfshirëse.
Në çfarë mënyre janë të shprehura këto struktura në qytet?
Për një kohë të gjatë, ka qenë një perceptim i gabuar paragjykues se bartësit e gjinisë së caktuar do të shprehen në forma të ndryshme në arkitekturë. Kjo do të thotë se gratë arkitekte do të projektojnë forma gjeometrike të rrumbullakëta dhe të buta – e burrat do të projektojnë kryesisht forma katrore. Mirëpo, historia dhe përvoja na tregon se ky perceptim, natyrisht, nuk qëndron. Krejtësisht varet se kush ka qenë projektues, çfarë dhe për kë ka projektuar.
Ngjyrimet gjinore janë të shprehura në gjithë sferën publike. Statujat, janë një shembull. Shihet qartë se në hapësirat publike, në përgjithësi gratë janë paraqitur në figura nudo dhe pa emra, me fëmijë si nëna të devotshme që është prezentuar si vlerë universale. Nga ana tjetër burrat paraqiten si figura historike, figura muskuloze të vendosura në piedestal dhe me armë. Gjithashtu, tashmë është evidente se pjesa dërrmuese e rrugëve, e shesheve dhe e hapësirave të tjera publike janë të emërtuara me emra burrash. Të njëjtën kulturë e vërejmë edhe në shfrytëzimin e fondeve publike – siç është rasti me fushat e futbollit që përdoren kryesisht nga burrat.
Metoda për thyerjen e strukturave
Shembuj model nga vendet me traditë demokratike
Shteti i Suedisë njihet si vend lider sa i përket respektimit të vlerave demokratike e në veçanti në respektimin e të drejtave të grave. Në kuadër të qeverisë suedeze është edhe Ministria e Barazisë Gjinore, e cila merret ekskluzivisht për forcimin e pozitës së gruas në shoqëri. Suedia gjithashtu ka Strategjinë Nacionale për Barazinë Gjinore. Si derivat i kësaj strategjie edhe Ligji i Planifikimit dhe i Ndërtimit (2011) përcakton qartë detyrat e institucioneve sesi gratë dhe burrat kanë fuqinë e njëjtë në procesin e planifikimit dhe të ndërtimit. Kjo bëhet kryesisht nepërmjet pjesëmarrjes direkte të gruas në procesin e planifikimit. Shumica e komunave në Suedi krijojnë grupe punuese të përbëra vetëm nga gratë, që ato më lirshëm të japin idetë e tyre rreth planifikimit në zonat ku banojnë. Pastaj ato ide inkorporohen me idetë e mbledhura nga gjithë procesi i dialogut me qytetarë.
Në Finlandë, për të sensibilizuar problemin e dhunës ndaj gruas në shoqëri, qeveria ka lançuar një projekt që quhet ”Transparencë”. Objektet ku strehohen gratë që janë viktimë e dhunës, ndërtohen në qendër të qyteteve dhe nuk fshihen në periferi, ku nuk mund të shihen nga qytetarët. Këto strehimore janë të hapura për vizita të qytetarëve me orare të caktuara, ndërsa dhunuesit (burrat) mbahen nën kontroll të rreptë nga institucionet përgjegjëse. Si rezultat i kësaj, gratë e viktimizuara në këto qendra strehimore nuk stigmatizohen, objektet në fjalë krijojnë një ambient të sigurtë dhe ndihmojnë që viktimat të riintegrohen prapë në shoqëri. Ky koncept ndihmon në vetëdijësimin e shoqërisë se problemi i dhunës ndaj gruas ekziston dhe se transparenca është luftimi më efektiv i kësaj dukurie negative.
Në Kosovë objektet e tilla edhe pse janë të pakta, ndërtohen zakonisht në periferi, dhe kanë për synim fshehjen nga sytë e qytetarëve.
Një shembull i mirë është po ashtu Austria. Qyteti i Vjenës në vitin 2000 ka filluar një projekt që quhet Gender mainstreaming (Vienna- a model city for Gender Mainstreaming), i cili është një model i mirë se si duhen integruar aspektet gjinore në planifikimin hapësinor. Objektivi kryesor i projektit është që të përmbushë më mirë nevojat dhe kërkesat e të gjithë qytetarëve të saj, me fokus gratë dhe në të njëjtën kohë të përmirësojë cilësinë e shërbimeve publike./A.A.