Hendeku gjinor për të cilin askush nuk flet
Para disa vitesh, kalova disa ditë me një çift Tanzanez, Anna dhe Sanare dhe gjashtë fëmijët e tyre. Dita e Anna-s fillonte në 5 të mëngjesit me ndezjen e zjarrit për të gatuar mëngjesin. Pasi pastronim, mbushnim ujë (kova e Anna-s peshonte rreth 18 kg),ndiznim zjarrin përsëri për drekë. Pas drekës shkonim në pyll për të prerë dru për zjarret e ditës së ardhshme. Pastaj shkonim për më shumë ujë, pastaj milnim dhitë, pastaj darka, pastaj pastrimi.
Ky orar nuk i linte Anna-s fare kohë për të bërë gjëra që mund ta bënin jetën e saj më të mirë në afat të gjatë kohor. Nuk kishte kohë të hapte një biznes, ose të kishte një punë të paguar. Nuk kishte kohë për të çuar fëmijët e saj te mjeku. Ajo duhej të kujdesej për nevojat themelore të familjes në 24 orë.
Potenciali njerëzor që është humbur për shkak të kësaj mënyre jetese, dhe dëmi që i bëhet vendeve me të ardhura të ulëta të cilat po përpiqen të shpëtojnë, është i pamundur për tu llogaritur. Ky është hendeku gjinor për të cilin askush nuk flet.
Unë po përpiqem ta ndryshoj këtë gjë. Çdo vit, Bill dhe unë shkruajmë një letër për përparimin e botës kundër varfërisë. Këtë vit, unë po hedh pakëz dritë mbi mënyrat se si ne nënvlerësojmë kohën e grave -dhe se si kjo nuk na lejon të ecim përpara.
Me imazhet e prerjes së druve dhe mjeljes së dhive, mund të duket sikur po jap një shembull shumë të largët. Por, në fakt, hendeku gjinor i kohës është një realitet i përditshëm edhe në Shtetet e Bashkuara dhe në çdo vend tjetër të pasur. Gratë amerikane shpenzojnë një mesatare prej 4 orësh në ditë duke bërë punë të papaguara në familje, ndërsa burrat amerikanë shpenzojnë vetëm 2,5 orë. Koha shtohet. Gratë shpenzojnë 500 orë plus çdo vit duke bërë punë shtëpie të papaguara familjare -orë që ato mund ti kalonin duke bërë diçka tjetër.
Të them të drejtën, normat gjinore kanë ndryshuar shumë që kur isha një vajzë në Dallas në vitin 1970. Por asgjë nuk ka larguar ende supozimin bazë se gratë janë përgjegjëse për tu kujdesur për disa gjëra: gatimin, pazarin, pastrimin, logjistikën, dhe kujdesin për të tjerët, qofshin ata fëmijët e vegjël, miq të sëmurë, apo të afërm në pleqëri.
Pjesa e frikshme është se ky supozim vepron në mënyra të pashprehura dhe shpesh kalon pa u vënë re. Vajzat bëjnë 100 orë më shumë punë se sa djemtë në një vit. Djemtë kanë 15 për qind më shumë gjasa të paguhen për punët e tyre. Nënat ndoshta nuk janë më të lidhura me zinxhirë në sobë, por ato ende bëjnë tri herë më shumë pastrim dhe katër herë më shumë larje rrobash se burrat. Vetëm një në çdo 50 njerëz që ju shihni në reklama televizive duke larë rrobat ose duke vrapuar pas fëmijëve është burrë.
Pa marrë parasysh se kush je, këto supozime do të luajnë një rol të madh në jetën tënde. Nëse je një grua, edhe nëse jeton vetëm, ose ti dhe partneri yt përpiqeni të ndani punët e shtëpisë në mënyrë të barabartë, ti ende mund të shikosh se prej teje pritet të shkosh në punë më pak, ose të marrësh pak më shumë përsipër në shtëpi, sapo një nga prindërit e tu sëmuret, ose nëse keni një fëmijë. Nëse je burrë, ti mund të (ose mos) të vësh re se nga gratë në jetën tuaj pritet të përshtaten me më shumë përgjegjësi në më pak kohë.
Pra, çfarë mund të bëjmë për këtë? Në vendet me të ardhura të ulëta, teknologjia për të shpëtuar kohën mund të ndihmojë. Një sobë dhe një rubinet janë më të efektshme se transportit i druve të zjarrit dhe kovave me ujë.
Por teknologjia e vetme nuk e zgjidh problemin. Ne gjithashtu duhet të ndryshojmë normat kulturore mbi mënyrën se si gratë dhe burrat kalojnë kohën e tyre. Duhet të rishpërndajmë punën e papaguar në mënyrë që gratë dhe burrat ta ndajnë atë në mënyrë të barabartë. Kur të ndodhë kjo, të gjithë do të përfitojnë. Studimet tregojnë se burrat që marrin lejen e atësisë kanë një marrëdhënie të fortë me fëmijët e tyre gjatë gjithë jetës. Dhe një raport i fundit i McKinsey tregon se, pasi hendeku kohor ngushtohet, më shumë gra amerikane bashkohen me forcën e punës së paguar dhe bëhen udhëheqëse korporatash – duke kontribuar potencialisht me $ 12 trillion të GDP-së globale deri në vitin 2025.
Por që kjo të ndodhë, ne së pari duhet të pranojmë se ky është një problem. Kjo është diçka që secili nga ne mund ta bëjë që tani. Nëse tashmë keni një familje, filloni një bisedë me partnerin tuaj se kush bën çfarë- dhe nëse kjo ka kuptim për familjen tuaj. Nëse nuk e keni krijuar familjen tuaj ende, bëjani të ditur partnerëve tuaj potencialë se sa e rëndësishme është për ju që të punoni në shtëpinë tuaj në mënyrë të barabartë. Dhe edukoni dhe flisni me miqtë tuaj, kështu që ata të mund ti fillojnë këto biseda në familjet e tyre.
Pasi kur një problem i padukshëm nuk është më i padukshëm, më në fund mund të fillojmë ta zgjidhim atë./A.A.