Lamtumirë, me respekt, Presidente
Një histori protagonizmi veshur me konspiracion dhe një rrëfim për Presidenten që, nën presionin e “burrave” ballkanikë, del zonjë e faqebardhë.
Ajo erdhi si grua. Erdhi si police. Erdhi e padëshiruar, e fyer, e përçmuar nga të gjitha anët. Dhe, shkoi nga posti i Presidentes së Kosovës si biografia më e pastër qe ka njohur historia politike në Ballkan. Por, jo vetëm e Ballkanit.
Historia e saj si Presidente ka një moment tjetër, që i parapriu ardhjes së saj. Rrëmujshëm u krijua një histori konspiracioni dhe protagonizmi.
Kur Behgjet Pacolli kishte vendosur që të mos rikthehej në Parlament, për t’i “përmirësuar” gabimet e qëllimshme të Kryeparlamentarit Jakup Krasniqi, me rastin e zgjedhjes së tij President i Kosovës, dolën shumë të papritura në rrjedhat politike post-zgjedhore.
Një konspiracion që ishte ndërtuar dhe frymëzuar nga dyshja e PDK-së, Jakup Krasniqi dhe Fatmir Limaj, si dhe një pjesë e Gjykatës Kushtetuese ishte pjesëmarrëse në rrënimin e një figure politike. Dy ambicie kishin lindur pas kësaj. Dy kandidatura priteshin te emëroheshin për President të Kosovës, me shkarkimin e një Presidenti.
Ambasadori Amerikan, Christopher Dell, ishte i bindur se kishte ndodhur një konspiracion kundër Presidentit Pacolli. Ai ishte krejtësisht i hapur në qëndrimin e tij se SHBA nuk do të bashkëpunojë me emrat që pretendonin për President. Pra, Presidenti nuk mund të dilte nga grupi që kishte ndërtuar konspiracionin.
Behgjet Pacolli nuk dëshiron që të kthehet në Parlament për ta vazhduar procedurën e rizgjedhjes President. Në vend të kësaj, në shtëpinë e tij, në praninë e Hashim Thaçit dhe Isa Mustafës, por edhe Ambasadorit Dell, kërkoi vetëm një gjë: Zgjedhjen e Presidentit drejtpërdrejt nga vota e qytetarit. Asgjë më shumë. Mori fjalën e Thaçit e Mustafës dhe me kaq u mjaftua.
Këtu lindi emri i ri i Presidentit.
Ky përshkrim është vetëm fillimi.
Atifete Jahjaga bëri histori edhe në shumë drejtime të tjera.
Ardhja e saj si Presidente e Republikës së Kosovës, në momentin e njohur, megjithatë ka relevancë të madhe historike, për shkak se nëpërmjet saj u bë thyerja radikale e traditës së shëmtuar e të përhershme të “burrave” me mentalitet arkaikë që ta sundojnë politikën, me këtë dhe me çdo post tjetër, deri në shkallën e këmbimeve primitive të dhënie-marrjeve.
Njerëzit e rëndomtë dhe ata publikë nuk njohin luftën e tmerrshme, dramatike, komike, e idiote, që bënin shumë burra fraksionesh të ndryshme partish, si LDK me Kullashin dhe Ramajlin, që refuzuan t’i “imponojnë” të vetët për President, ose nuk i dinë intrigat e të atillëve që nuk lanë sekretarë ambasadash, ambasadorë, diplomatë e lidhje tjera të vjetruara, pa i terrorizuar deri në paturpësi që t’i bëjnë me çdo kusht President.
Pas qëndrimit të Behgjet Pacollit për të mos marrë pjesë në këtë lojë të ndyrë konspirative, duke u ri-kandiduar, dhe pikërisht për t’i ikur kësaj situate burrash çmendurisht të etshëm për poste e pushtete, gjendje që rrezikonte të eskalonte edhe më keq, erdhi ideja amerikane: Atifete Jahjaga.
Po, Jahjaga është ideja amerikane që synonte dhe besonte në tri dimensione:
E para: Ta imponojë një grua në postin e Presidentit të një vendi ballkanik. Me këtë, për herë të parë në historinë e zonës kulturo-politike, ku me shekuj sundon mendësia arkaike e “burrit” sundimtar, erdhi Presidentja e parë. Para asaj kroate, ose ndonjë tjetre. Pikërisht në Kosovë.
E dyta: Amerikanët do të kenë qenë të bindur se me Atifete Jahjagën do ta sjellin dëshminë e saktë të një koncepti ku beteja është e vogël me një grua.
E treta: Gruaja është më e përshtatshme se “burrat” për të bërë shtet, ngase di të mos korruptohet dhe me mendësinë e vjetër të “burrërisë” s’ka perspektivë. Këta “burra” si deri sot, ballkanikë, s’janë për politikë.
Dhe ia dolën. Na e dëshmuan.
As sot, kur ajo tashmë ka lënë selinë e Presidencës, nuk ndalen dot hakmarrësit, duke prodhuar sulme të ndryshme e të neveritshme kundër Jahjagës.
Secilit i kujtohen intrigat, shpifjet, nënçmimet që nisnin që nga “fjalori jo-aq kreativ” i Presidentes, e deri te përfolja e privatësisë së saj si grua.
Përkundër gjithë këtij presioni, Atifete Jahjaga jo që nuk u demoralizua, por ajo mjeshtëroi veten si përfaqësuese, balancuese dhe ruajtëse e institucioneve edhe në momentet më kritike të tyre.
Po të mos ishte veprimi i saj i mençur dhe këmbëngulës, Kosova do të hynte në zgjedhje pas zgjedhjeve qysh 6 muajt e parë të legjislacionit të ri.
Kudo që shkoi në Perëndim, triumfoi me aktivitetet, fjalimet, seriozitetin, paanësinë dhe virtytet e saj si Presidente për respekt. Ajo ia shpëtoi imazhin vendit të bërë zi nga “burrat” e tij.
Të gjitha këto pozitivitete në favor të vendit të saj, Jahjaga i ka bërë në kohën kur Serbia i ngjitet furishëm diplomacisë europiane dhe kur Kosova udhëhiqet nga lufta e brendshme e burrave për pushtet.
Më e rëndësishmja, Atifete Jahjagën nuk arriti ta korruptojë askush. As materialisht, as strukturalisht.
E përfundoi detyrën e saj me aq dinjitet saqë vetëm mund t’i përulemi dhe ta falënderojmë për këtë shërbim të madh ndaj vendit dhe rajonit. Në Ballkan, si grua, Presidente, nën presionin e “burrave”, dhe të dalësh kaq zonjë dhe faqebardhë, është më shumë se histori e një Presidenteje./A.A.