Mamaja më mësoi se të jesh grua, mund të thotë shumë gjëra. Ajo është një feministe e vërtetë
E rritur në vitet ’70, mendova se mamaja e kujtdo mund të rregullonte kositësin e barit kur prishej. Mamaja ime e bënte.
Që nga viti 1975, nëna ime ishte e vetmja grua me servis në Melbourne. Ajo vishej me rroba të bëra me bojë dhe këpucë të vjetra pune, dhe çdo ditë ajo dilte për të rregulluar dyer, dritare, dhe të lyente shtëpitë në gjithë periferinë e Melburnit juglindor. Ajo madje mund të shndërronte garazhet në apartamente me një dhomë gjumi. Kur vinte të na merrte nga shkolla e mbuluar me njollat e bojës dhe naftës, na fuste në furgonin me vegla dhe bojëra. Ajo ishte mamaja më e lumtur që njihja.
Mamaja ishte feministe pa e dëgjuar kurrë këtë fjalë. E lindur në një familje emigrantësh katolikë Italianë të vendosur në Australi në vitet 1940, ajo nuk fliste anglisht derisa e mësuan murgeshat kur filloi shkollën. Nga dy vëllezërit e saj nuk pritej kurrë të ngrinin as gishtin ndërsa mamaja ime, si e vetmja fëmijë femër, duhet të ndihmonte nënën e saj të mbante shtëpinë pastër, dhe të kujdesej për ta dhe babanë e saj. Kuptohet që puna më e rëndësishme për të ishte të ishte e mbajtur dhe femërore në përgatitje për një martesë me shkesi me një burrë italian.
Në rininë e saj, ajo e kreu detyrën e saj në shtëpi, duke u lodhur bashkë me nënën e saj. Së bashku ato lanin dyshemetë, pastronin, gatuanin dhe e mbanin shtëpinë xixë. Mami ishte meraklie që të ishte gjithmonë me flokë të rregulluar, thonjtë me manikyr dhe veshjet me shije. Por ajo ishte gjithmonë një rebele. Ndërsa dukej në çdo centimetër si një vajzë e mbajtur italiane, në fshehtësi ajo e ndiqte babanë nëpër shtëpi, duke iu lutur që ta lejonte ti mbante veglat, gjithmonë duke e parë nga afër dhe mësonte. Në shkollë, ajo ishte vrapuesja më e shpejtë, e vendosur për të vërtetuar se mund të ishte njësoj me djemtë e madje edhe ti linte pas ata.
Dita kur një dhëndër i mundshëm dhe familja e tij u ftuan një ditë për çajin e pasdites për të diskutuar martesën, mamaja derdhi mbi të një tabaka çaji, duke bërë që negociatat të ndalonin menjëherë. Rebelimi i saj më i madh, kur erdhi, ishte aq i guximshëm sa ishte i pamendueshëm. Ajo njoftoi në tryezën e ngrënies se do të martohej me një burrë anglez, dhe babai i saj u kthye nga gjyshja dhe tha me ftohtësi: “Vish rrobat e zeza grua. Vajza jote vdiq.” Për mëkatin e martesës jashtë kulturës së saj, ai nuk i foli të bijës për gjashtë muaj.
Martesa e mamit me burrin anglez, babanë tim, ishte një histori dashurie që zgjati një jetë të tërë. Gruaja me të cilën babai u martua, ishte një princeshë mahnitëse dhe e mbajtur, e cila ndërronte çarçafët dhe fshinte shtëpinë çdo ditë. Por në fillim të martesës së tyre ai i tha me butësi se ajo nuk duhej ti bënte ato punë për t’i pëlqyer atij. Ai i tha se e donte për atë që ishte, jo se sa mirë e mbante shtëpinë, dhe ky ishte fillimi i mamasë që kam njohur dhe kam dashur gjithmonë.
Unë e di se çfarë mendonin burrat për të. E kam dëshmuar herë pas here se pa marrë parasysh se si vishej apo se çfarë bënte për të jetuar, ajo ishte një grua dhe gratë në vitet 70 dhe 80 kishin nevojë për “ndihmë” me të gjitha gjërat “mashkullore”.
Kjo u bë edhe më e qartë për mua pasi vdiq babai, kur mamaja ishte vetëm 44 vjeç.
Për t’u përballur me pikëllimin e saj, ajo vendosi të na ndërtonte një pishinë. E vetme. Ajo gërmoi tokën, e shtroi me beton dhe shtroi pllakat.
Megjithatë, mes gjithë kësaj, mamaja duhet ti ulte veglat, ndërsa miq dhe fqinjë burra me qëllime të mira vinin për vizitë për të ofruar këshilla se si ta ndryshonte vajin e makinës apo se si ta rregullonte kositësin. Shpesh më duhej të shkoja në dhomën time për të qeshur. Dua të them, sinqerisht, kush mendonin ata se i kishte bërë këto gjëra gjatë gjithë këtyre viteve? E kam dashur babin, por ai më shumë ka pasur një libër ose një kitarë në dorë, sesa një çekiç.
Të gjithë këta burra po gjykonin njohuritë dhe aftësitë e mamasë time thjesht mbi gjininë e saj dhe asgjë tjetër. Ishte një thirrje zgjimi për mua si një e re. Unë jam rritur në një familje ku kjo thjesht nuk ndodhte.
Mami kurrë nuk i ka gjykuar njerëzit në bazë të gjinisë së tyre ose shprehjes së tyre gjinore. Ajo nuk supozonte se për shkak se ata ishin burra, ata duhet të dinin se si të përdorin një sharrë. Gjithashtu, kurrë nuk supozoi se të gjitha gratë do të kishin qejf tualetin dhe fustanet.
Unë mendoj se mamaja ka qenë gjithmonë e hapur. Ndoshta sepse ajo gjithmonë është ndjerë pak e ndryshme. Në punën e saj të parë në zyrë, ajo zuri miqtë e saj të parë të vërtetë jashtë familjes së saj të madhe. Me njërin prej të cilëve u bë veçanërisht e afërt ishte një djalosh i ri dhe shumë i dashur. Ai dhe mamaja ishin të dy të huaj në shoqëri. Mamaja ishte vajza italiane që nuk dinte asgjë për kulturën australiane dhe nuk i lejohej të shoqërohej jashtë rrethit të familjes së saj. Ai gjithashtu kishte jetuar një jetë shumë të vetmuar. Ai vinte në punë i veshur si burrë, por jashtë punës vishte fustane dhe bënte tualet.
Të dy të huajt patën një lidhje të veçantë. Asnjëri prej tyre nuk ishte i përshtatshëm për pritshmëritë kulturore. Lidhja e tyre doli jashtë punës dhe vazhdoi edhe pasi mami u martua dhe pati fëmijë. Unë isha mjaft e rritur për të kujtuar ditën kur nëpërmjet një telefonate ajo mori vesh se shoku i saj ishte vetëvrarë. Mamaja ishte e pangushëllueshme. E trishtuar dhe e zemëruar se bota nuk ishte gati për atë djalë. Si një fëmijë i vogël, më kujtohet që mendova të njëjtën gjë. Pse ishte kaq gjë e madhe që ai vishte fustane dhe bënte tualet? Pse njerëzit ishin aq paragjykues?
Pa u përpjekur, vetëm duke qenë vetëvetja, mamaja më mësoi feminizmin e vërtetë. Që gjinia vjen nga brenda. Nëse vërtet doni të njihni dikë, mos gjykoni vetëm duke i parë ata. Bisedoni me ta. Dhe dëgjojini.
Ajo më mësoi se jo të gjithë përshtaten në kutitë e vogla, qoftë identiteti gjinor, shprehja gjinore, ajo që vishni, apo pritshmëritë e kulturës dhe familjes suaj.
Ajo më mësoi se të jesh një grua mund të thotë shumë gjëra të ndryshme. Për mua, të jesh një grua do të thotë që jam e fortë, dhe interesat dhe arritjet e mia, janë vetëm të miat për të zgjedhur, dhe gjëja e fundit nga të cilat ato kufizohen, është gjinia ime./A.A.