Mbetet në rrugë me fëmijët. Zyra e Punës i siguron mbështetje
TIRANE – Ka një diplomë të studimeve të larta në infermieri dhe sikur të mos mjaftonte fakti që është e papunë dhe gëzon një urdhër mbrojtjeje nga gjykata, ajo nga sot nuk do të ketë më as një strehë ku të mund të jetojë bashkë me dy fëmijët e mitur.
Organizata “Save the Children” ka denoncuar sot në faqen e saj në Facebook rastin e një gruaje e cila për një kohë të gjatë ka qënë viktimë e dhunës nga bashkëshorti i saj dhe që nga sot do të jetë e pastrehë. Pembe Hajrrullau, është 36 vjeç, dhe ka qënë viktimë e një dhune të gjatë fizike dhe ekonomike. E divorcuar ajo duhet të kujdeset edhe për dy fëmijët 9 dhe 6 vjeç. Hajrullau ka përfunduar arsimin e lartë në degën infermieri por prej disa muajsh nuk ka asnjë çati mbi kokë dhe strehë e saj është bërë një dhomë në konviktet e Qytetit studenti.
Por, sipas “Save the Children” prej ditës së sotme ajo nuk do të mundet më të qëndrojë as në këtë dhomë pasi ka nisur nënshkrimi i kontratave dhe meqë Hajrulla nuk mund ta paguajë tarifën e përcaktuar, drejtoresha e konvikteve do ta nxjerrë atë bashkë me fëmijët nga dhoma. Sipas shoqatës, prej muajit dhjetor komuna Paskuqan i ka ndërprerë 36 vjeçares edhe ndihmën ekonomike prej 3000 lekësh që merrte çdo muaj.
Shtëpia në të cilën ajo banonte para divorcit tashmë i ka kaluar ish-bashkëshortit dhunues pasi sipas gjykatësve shtëpia është ndërtuar pas martesës dhe këta të fundit nuk kanë marrë aspak parasysh se ku do të jetonte nëna me dy fëmijët e mitur. Që nga koha kur Hajrulla është divorcuar ajo ka qënë me urdhër mbrojtjeje për shkak të rrezikshmërisë që i kanosej nga ish-bashkëshorti.
Pas pasqyrimit të këtij rasti ka reaguar zyra e punësimit, ku drejtori i përgjithshëm i Zyrës së Punësimit Genc Kojdheli i ka lënë 36 vjeçares një takim në zyrën e punës ditën e hënë në orën 10.
Pembe Hajrullau është gruaja e cila në 2012 është goditur edhe para gjykatësit nga ish-bashkëshorti i saj teksa shqyrtohej çështja e divorcit.
Për më shumë shihni:shqiptarja.com