Në Pakistan burrat po luftojnë për të drejtën për të vrarë gratë e tyre
Grupe të vijës së ashpër, të krahut të djathtë ekstremistë islamikë në të gjithë Pakistanin janë lidhur së bashku për të protestuar e për të kërkuar të drejtën që të abuzojnë dhe të vrasin gratë dhe bijat e tyre.
Vendi më në fund ka ndërmarrë një hap progresiv përpara në barazinë gjinore, por disa burra ende besojnë se keqtrajtimi i grave është një e drejtë hyjnore e tyre, e dhënë nga Zoti.
Polemika filloi kur qeveria pakistaneze paraqiti Projekt-ligjin për Mbrojtjen e Grave nga Dhuna, i cili në mënyrë efektive penalizon dhunën ndaj grave në Punjab – rajoni më i populluar i vendit.
Para se ligji të miratohej zyrtarisht më 1 mars, ekstremistët u përpoqën ta bllokonin legjislacionin, duke thënë se ai do të “shkatërrojë sistemin familjar në Pakistan” dhe “do të shtojë mjerimet e grave.”
Projekt-ligji u miratua unanimisht nga Kuvendi i Punjabit, dhe kundërshtarët kanë paralajmëruar protesta të vazhdueshme nëse nuk shfuqizohet.
Projekt-ligji për Mbrojtjen e Grave Kundër Dhunës penalizon çdokënd dhe çdo formë abuzimi nga ana e burrave ndaj grave, qoftë ajo në familje, emocionale, psikologjike ose nëse bëhet përmes ndjekjes dhe krimit kibernetik.
Projekt-ligji u hartua në vitin 2015 nga partia politike e kryeministrit Nawaz Sharif. Kjo ishte një surprizë për popullatën, pasi partia ka fituar një reputacion se përkrah grupet fetare të krahut të djathtë.
Megjithatë, gjatë muajve të fundit, Sharif ka dënuar publikisht dhunën ndaj grave dhe vrasjet e nderit, dhe u zotua se do të mbajë qëndrim.
Në shkurt, ai i tha The Guardian: “Kjo është krejtësisht kundër Islamit dhe kushdo që e bën këtë duhet të ndëshkohet dhe të dënohet shumë rëndë.”
Pse është i rëndësishëm projekt- ligji?
Dhuna ndaj grave është një çështje e zakonshme sociale në Pakistan. Gratë dhe vajzat ende shpesh trajtohen si pronë.
Vrasjet e nderit, sulmet me acid, djegiet e nuseve, martesat e fëmijëve dhe abuzimi seksual dhe shtëpiak janë të zakonshme, gjithsesi këto krime janë shumë pak të raportuara.
Indeksi i Pabarazisë Gjinore të Kombeve të Bashkuara e vë Pakistanin të 147-in në listën e 188 vendeve.
Një Raport i vitit 2014 nga Aurat (Gruaja) Foundation, një grup i i të drejtave të grave me bazë në Islamabad, tha se çdo ditë të vitit, gjashtë gra janë vranë, gjashtë janë rrëmbyer, katër janë përdhunuar dhe tre janë vetëvrarë.
Ata gjithashtu kanë raportuar 7,010 raste të dhunës ndaj grave në krahinën e Punjab. Këto shifra nuk përfshijnë dhunën e lidhur me pajën dhe sulmet me acid, krime të cilat janë si të rënda ashtu dhe të shpeshta.
Sipas Komisionit të pavarur të Pakistanit për të Drejtat e Njeriut, rreth 1.100 gra u vranë në Pakistan vitin e kaluar nga të afërmit të cilët pretendonin se ato kishin “çnderuar” familjet e tyre.
Në shumicën e këtyre rasteve, viktima është vrarë zakonisht nga një anëtar mashkull i familjes të ngushtë.
Deri sa ky projekt-ligj u imponua, gratë në vend ishin viktima të një sistemi të dobët të drejtësisë penale dhe të një mungese të përgjithshme të mbështetjes sociale, duke rritur numrin e tmerrshëm të vrasjeve të nderit, sulmet me acid dhe abuzimin e vazhdueshëm.
Këto çështje kohët e fundit dolën në dritë në dokumentarin fitues së Academy Award “Një vajzë në lumë: Çmimi i Faljes.” Ishte historia e Saba Qaiser, një vajze 19-vjeçare pakistaneze e cila u rrah, u qëllua me armë në kokë nga babai i saj dhe u hodh në lumë sepse u martua me burrin që zgjodhi vetë.
Mrekullisht, ajo mbijetoi, dhe historia e saj mori shumë vëmendje si në Pakistan dhe në nivel global, duke bërë që së shpejti Sharif të premtonte të merrte masa të forta ndaj vrasjeve të nderit.
Në një intervistë për The Guardian, regjisorja Sharmeen Obaid Chinoy tha se problemi kryesor me vrasjet e “nderit”, është se ajo është e konsideruar si një çështje private – dhe jo një çështje publike ligjore.
“Njerëzit heshtin: Babai vret vajzën, dhe askush nuk përgjigjet, askush nuk bën denoncim. Viktima mbetet pa emër dhe pa fytyrë, dhe ne kurrë nuk dëgjojmë për to, “tha ajo.
“Njerëzit mendojnë, ‘Po të denoncojmë një rast, do ti sjellë turp familjes’”.
Kush po e kundërshton projekt-ligjin?
Krahu i djathtë, liderët ekstremistë islamikë shpenzuan shumë energji duke u përpjekur që ta bllokojnë miratimin e projekt-ligjit, dhe vazhdojnë ta kundërshtojnë atë.
Ata e kanë konsideruar projektligjin “jo islamik,” kontradiktor ndaj ajeteve të Kuranit, si dhe një përpjekje për ta laicizuar, apo për të sjellë frymën perëndimore në Pakistan.
Në një konferencë për shtyp, një nga deputetët e vendit, Muhammad Khan Sherani, thuhet se pohoi se ligji në fakt do të ketë një ndikim të dëmshëm tek gratë dhe jetën “tradicionale” të familjes.
Ai pohoi se dekreti i mbrojtjes ishte “jo-islamik”, duke thënë: “Ligji duket se ka objektivin ti nxjerrë gratë jashtë shtëpisë, dhe të shtojë problemet e tyre.”
Miku Fazlur Rehman, shefi i partisë Jamiat Ulema-e-Islam-Fazl, thuhet se i tha medias lokale se ligjet ishin “në kundërshtim me Kuranin e Shenjtë, jetën e Muhammedit, kushtetutën e Pakistanit dhe vlerat e vendit tonë.”
“Bashkëshorti dhe bashkëshortja konsiderohen partnerë në Perëndim, por nuk është kështu në Pakistan”, tha ai.
Ai e quajti këtë një “komplot perëndimor”, duke thënë se përfaqëson “ndjekjen e verbër të kulturave amerikane dhe evropiane.”
Ai madje shkoi aq larg sa të thoshte se kjo do të prishte shtëpitë, shkatërronte pozitën e burrave në shtëpi dhe të sillte zemërimin e Perëndisë në vend.
Një kontribues për New York Times, Mohammed Hanif, përmblodhi logjikën e tyre të shtrembëruar, si më poshtë: “Nëse rreh një njeri në rrugë, është një sulm kriminal. Nëse godet dikë në dhomën tënde të gjumit, je i mbrojtur nga shenjtëria e shtëpisë tënde. Nëse vret një të huaj, është vrasje. Nëse vret motrën tënde, po mbron nderin tënd.”
“Unë jam i sigurtë se burrat e mirë që po bëjnë fushatë kundër projekt-ligjit, nuk duan të rrahin gratë e tyre ose të vrasin motrat e tyre, por ata janë duke luftuar për të drejtën e tyre burrërore për të bërë pikërisht këtë.”/A.A/