Në vijim ju prezantojmë gjetjet e raportit të fundit të monitorimit mbi pasqyrimin gjinor në programet televizive prime-time.
Ky projekt ka marrë në konsideratë tre emisione që transmetohen në televizionet Top Channel, TV Klan dhe Vizion Plus, përkatësisht emisionet: Top Show, Xing me Ermalin dhe Real Story.
Të tre emisionet prezantohen nga moderatorë burra. Në njërin trej tyre ka një bashkëprezantuese grua e cila ka funksion episodik, në drejtim.
Monitorimi është kryer në periudhën Prill-Qershor 2019. Në këtë studim u analizuan 26 seri në total nga të tre emisionet e marra në shqyrtim.
Përpara fillimit të procesit të monitorimit, 3 monitoruese të angazhuara në këtë projekt, janë njohur me formatin e raportimit, në mënyrë domethënësë dhe gjatë një sesioni të shkurtër trajnimi, kanë analizuar konkretisht një nga emisionet, duke e përdorur këtë përvojë si një test, për procesin e monitorimit të mëtejeshëm.
Gjetjet kryesore:
- Gjithsej në 26 seritë e monitoruara të tre emisioneve, për këtë studim, kanë qenë 112 të ftuar. Prej tyre 33 kanë qënë femra dhe 79 meshkuj.
- Ka një pjesëmarrje dukshëm më të madhe të meshkujve sesa femrave në emisionet prime-time të televizioneve shqiptare.
- Pjesëmarrja e femrave është më e madhe në ato emisione që konsiderohen argëtim ose tema sociale (Xing me Ermalin dhe Top Show).
- Ka një mungesë të madhe të pjesëmarrjes së femrave në emisione që perceptohen se trajtojnë çështje me interes të madh politik dhe shoqëror.
- Nga 31 të ftuar në programin Real Story, gjatë periudhës Prill- Maj, 2019, vetëm 2 janë femra dhe 29 janë meshkuj.
- Analiza identifikoi një seri emisionesh të cilat mbajnë si titull emrin e një burri që është i ftuar në program (psh: Erion Veliaj, Sandër Lleshaj, Fatmir Limaj, etj). Në asnjë rast nuk ka një emision që mban si titull emrin e një gruaje, edhe kur kjo është e ftuar në një program me status më të lartë se të gjithë të pranishmit e tjerë.
Për të lexuar të plotë raportin në shqip dhe anglisht, ju lutem drejtohuni në lidhjet e mëposhtme.