Turma vret dhe djeg trupin e gruas në zemër të Kabulit
KABUL, 19 mars (Reuters) – Të enjten, një turmë në kryeqytetin afgan vrau një grua, i vuri flakën trupit të saj dhe e hodhi në një lumë me baltë në zemër të Kabulit, tha një zyrtar i policisë.
Motivi i vrasjes, që ndodhi në një zonë të frekuentuar të qendrës së qytetit Kabul, nuk u bë menjëherë i ditur, tha zyrtari, që kërkon të mos identifikohet sepse nuk ishte i autorizuar të fliste me mediat.
Ndërsa Afganistani po lufton për të dalë nga shtypja e grave nën sundimin e talebanëve që filloi në vitet 1990, sulme të tilla publike, sidomos në kryeqytet, mbeten të pazakontë.
Të drejtat e grave kanë fituar terren që nga largimi i militantëve në vitin 2001, të cilët ndjekin një interpretim të ashpër të ligjit islam, por vëzhguesit shqetësohen se progresi është në rrezik pasi dhuna e përhapur ndaj grave vazhdon, dhe gratë mbeten shumë pak të përfaqësuara në politikë dhe në jetën publike.
Një raport i vitit 2013 i OKB-së vuri në dukje se dhuna kundër grave raportohet shumë pak, veçanërisht në zonat rurale.
Kanali lokal televiziv i lajmeve 1TV postoi atë që duket se janë pamjet e pas vrasjes në faqen e tij të internetit dhe tha se turma sulmoi gruan pasi ajo kishte djegur faqe nga një Kuran, libri i shenjtë të Islamit.
Familja e viktimës takoi ekipin e hetimit të policisë penale të Kabulit dhe tha se vajza e tyre vuante nga një sëmundje mendore prej shumë vitesh, tha një zyrtar i sigurisë.
Policia nuk bëri komente menjëherë mbi rrethanat që mund të kenë provokuar sulmin.
Një zëdhënës i Ministrisë së Brendshme ka konfirmuar në adresën e tij zyrtare në Twitter se katër të dyshuar janë arrestuar në lidhje me sulmin.
Grupet e të drejtave të njeriut kanë ngritur shqetësimet nëse është bërë mjaftueshëm për të ndaluar turmën.
“Unë sigurisht shpresoj se qeveria do të përpiqet që të arrestojë dhe ndjekë penalisht të gjithë ata që ishin të përfshirë dhe të bëjë një hetim të brendshëm në se reagimi i policisë ishte i përshtatshëm”, tha Heather Barr, një hulumtues i lartë për të drejtat e grave në Azi për Human Rights Watch.
Marrë nga: www.huffingtonpost.com dhe shkruar nga: Hamid Shalizi dhe Krista Mahr