Ylli i youtube fiton dëmshpërblim në rastin e pornografisë hakmarrëse në Mbretërinë e Bashkuar
Chrissy Chambers, 26 vjeç, festoi fitoren e saj historike në Gjykatën e Lartë duke i propozuar për martesë partneres së saj – e cila menjëherë tha po dhe e quajti Chambers “njeriun më të mrekullueshëm që kam takuar ndonjëherë”.
Në çështjen e parë civile të këtij lloji në Angli dhe Uells, Chambers paditi ish-partnerin e saj për ngacmime, shkelje të besimit dhe keqpërdorim të informacionit privat, pasi mësoi se Shërbimi i Prokurorisë së Krimit nuk do të ngrinte padi penale kundër tij.
Kushtet e marëveshjes nënkuptojnë se nuk do të zbulohet identiteti i burrit apo shuma e paguar ndaj Chambers, por avokatët e tij në firmën McAllister Olivarius thonë se shuma është e konsiderueshme.
Chambers, e cila është amerikane, është një nga krijueset më të famshme të përmbajtjeve lezbike në YouTube, së bashku me të fejuarën e saj, Bria Kam. Kanalet që ato drejtojnë së bashku kanë një milion abonentë, dhe skeçet e tyre komike, këngët dhe vloget janë parë qindra miliona herë.
Para se të dilte hapur si gej, Chambers kishte një marrëdhënie nëntë mujore me një burrë britanik kur ishte 18 vjeç. Të mërkurën, gjykata e lartë dëgjoi se në fund të marrëdhënies së tyre ai filmoi shtatë video ndërkohë që kryenin marrëdhënie seksuale pa njohurinë apo pëlqimin e saj.
Dy vjet pas ndarjes, dhe kur Chambers kishte filluar marrëdhënien e saj me Kam, ai i ngarkoi ato video në një faqe pornografike falas. Videot janë shpërndarë në më shumë se 35 faqe pornografike të ndryshme dhe janë parë qindra mijëra herë.
Edhe pse u bë e paligjshme në Angli që nga prilli i vitit 2015 që të dërgohen imazhe private seksuale në internet pa pëlqimin e personit, videot e Chambers u ngarkuan në vitin 2011, që do të thotë se ligji penal nuk zbatohej. Ajo e solli çështjen civile në mars të vitit 2016, duke rënë dakord jashtë gjykate në dhjetor të vitit 2017.
Fitorja e Chambers u bë publike të mërkurën, kur një deklaratë e marëveshjes u lexua në gjykatë me dyer të hapura.
Duke folur jashtë gjykatës, Chambers tha se rezultati ishte një fitore vendimtare në luftën kundër pornografisë hakmarrëse.
“Ne arritëm të vendosim një precedent ligjor që duhet të shërbejë si një paralajmërim serioz për ata që kërkojnë të zhvatin dhe dëmtojnë nëpërmjet pornografisë hakmarrëse: ju nuk mund ta bëni këtë pa u ndëshkuar dhe do të jeni përgjegjës për veprimet tuaja”, tha Chambers . “Për këdo që ka jetuar me frikën se pornografia hakmarrëse do të përdoret kundër jush, nuk ka pasur kurrë një kohë më të përshtatshme për të ecur përpara”.
Menjëherë pasi bëri deklaratën e saj, Chambers u ul në një gju dhe i propozoi Kamit. “Ky është fundi i një kapitulli shumë të vështirë në jetën tonë. Kjo ka marrë katër vjet e gjysmë të marrëdhënies sonë gjashtë vjeçare dhe nuk dua të humbas asnjë moment tjetër që të përfundojmë këtë kapitull para se të fillojmë një tjetër,” tha ajo.
U lumturova kur pranoi. “Ky është personi më i mrekullueshëm që kam takuar ndonjëherë,” i tha ajo turmës jashtë gjykatës. “Nuk mund të jem më e lumtur se të jem pranë saj”.
Fitorja e Chambers në gjykatat civile shënon fundin e një beteje ligjore katërvjeçare. Chambers përveç dëmtimeve, ka fituar të drejtën e autorit për videot, kështu që mund të ndjekë çdo faqe interneti që i ka ato dhe ka marrë edhe një ndjesë nga ish-i dashuri i saj.
Avokatja e saj, Georgina Calvert-Lee në McAllister Olivarius, tha: “Viktimat e pornografisë hakmarrëse gjithmonë na tregojnë për poshtërimin dhe turpin e tyre. Identitetet e tyre janë vjedhur dhe shtrembëruar dhe mendojnë se nuk janë të aftë të bëjnë asgjë për këtë. Keqbërësit e tyre – ata të cilët kanë shkelur besimin dhe kanë postuar imazhet e tyre, ose i kanë kopjuar dhe i kanë ndarë ato, ose kanë përfituar financiarisht me to, përfitojnë nga ky poshtërim dhe ndjesi pafuqie.
“Rasti i Chrissy Chambers tregon se viktimat e hakmarrjes pornografike nuk duhet të ndjehen më të pafuqishme … Gjithçka që duhet të bëjnë është të përdorin ligjin për të ndaluar pornografinë e hakmarrjes dhe industrinë që ushqehet prej saj dhe të marrin përsëri kontrollin e imazhit dhe identitetit të tyre “./A.A.