Jo të gjithë janë të lumtur me videon “Friends Day” të publikuar sot nga “Facebook”
Facebook po feston ditëlindjen e tij të 12-të duke shpërndarë një video për atë që e ka quajtur “friends day” (dita e shokëve).
Shumë persona kanë parë sot t’i shfaqet videoja që tregon disa nga fotografitë tona të zgjedhura në mënyrë rastësore. Në këtë video, “facebook” na thotë se shokët tanë janë të mrekullueshëm e na tregon disa nga momentet që kemi ndarë me ta.
Megjithatë, kjo nisëm po sjell shumë pakënaqësi mes përdoruesve.
Për shkak se nuk kanë kohë dhe mundësi të shohin një nga një gjithë fotot e përdoruesve, punonjësit e “facebook” kanë përdorur një algoritëm për të përzgjedhur këto fotografi.
Shumë prej nesh mund të kenë fotografi me ish të dashurit/at, me të afërm ose shokë që janë ndarë nga jeta apo me të tjerë që i kanë lënduar ose larguar për arsye që nuk duan t’i kujtojnë, gjëra këto që një algoritëm nuk mund t’i kuptojë.
Kjo do të thotë se për disa njerëz videoja e facebook nuk ka sjellë gëzim, por ka rikthyer kujtime të dhimbshme.
/l.k/