Patenta me pikë. Bllokohen makinat me timon anglez
Makinat me timon anglez nuk do të lejohen më në Shqipëri. Ky propozim është bërë sot nga Komisioni i Veprimtarisë Prodhuese dhe pritet të votohet në Kuvend.
Sipas propozimit në fjalë, makinat me timon nga e djathta nuk do të lejohen të regjistrohen më në Shqipëri, për shkak të aksidenteve që shkaktohen në masë. Ato mund të qarkullojnë në territorin tonë provizorisht, por nuk do të pajisen me targa dhe dokumentacion shqiptar.
Gjithkush që shkel ligjin dhe kalon me të kuqe në semafor, do të gjobitet nga 20 deri në 30 mijë lekë.
Me ndryshimet është parashikuar edhe patenta me pikë. Çdo drejtues mjeti tashmë do të disponojë një patentë me 20 pikë, të cilat i humbet në varësi të shkeljeve që bën.
“Kur mbajtësi i leje drejtimit fiton provimin e kualifikimit, sasia e pikëve e shënuar në regjistrin kombëtar të personave të autorizuar për drejtimin e mjeteve, i shkon në 20 pikë dhe i kthehet leja e drejtimit të pezulluar “, tha Eduard Shalsi.