Shtëpia e Nënë Terezës në Shkup do të kthehet në hotel; Shoqëria civile nuk reagon!
Qendrës së Shkupit do t’i shtohet edhe një hotel i ri i stilit barok, por vendodhja e tij nuk është si gjithë të tjerët, hoteli do të ndërtohet tek shtëpia ku lindi dhe u rrit Gonxhe Bojaxhiu e njohur në tërë botën si Nënë Tereza. Më parë në këtë vend ishte menduar që të ndërtohej kisha “Shën Elena dhe Kostandini “.
Agjencia e lajmeve “INA” shkruan se qeveria e Maqedonisë nuk ka hequr dorë nga zhdukja e gjurmëve të shtëpisë së Gonxhe BojaxhiutNënës Terezë. Sipas “INA”s pas dislokimit të shtëpisë së saj në një vend që nuk ka qenë asnjëherë, mbi themelet e shtëpisë së Bojaxhinjve u mendua të ndërtohej kisha, më pas shkallët spanjolle dhe tani së fundi iu dha dritë jeshile ndërtimit të hotelit të stilit barok.
Por “INA” shton se ndryshe nga vitet e kaluara, ku sektori civil ngrinte zërin, sot organizatat joqeveritare shqiptare nuk kanë zë. Mjaftohen vetëm duke thënë se ata përveç apelit që të mos ndërtohet asgjë mbi shtëpinë e Nënë Terezës, nuk mund të bëjnë asgjë tjetër.
/Gazeta Tema