22 të vdekur në Maqedoni dhe pyetjet pa përgjigje mbi situatën
(AP Photo/Boris Grdanoski)
14 anëtarë të një grupi që qeveria maqedonase e ka konsiderruar si “grupin më të rrezikshëm në Ballkan” kanë mbetur të vrarë nga luftimet në Kumanovë. Nga ana tjetër 8 policë mësohet të kenë mbetur gjithashtu të vrarë.
Zëdhënësi i policisë Ivo Kotevski tha në një konferencë për shtyp se operacioni është mbyllur dhe se policia po punonte për identifikimin e 14 të vrarëve. Ai shtoi se rreth 30 njerëz nga grupimi janë dorëzuar. Ai tha se nuk kishte informacion për viktima mes civilëve, shkruan BIRN.
Policia ka publikuar edhe videon e mëposhtme me të arrestuarit.
http://https://www.youtube.com/watch?v=_p9Vd0GJppo
Ndërkohë qytetarët vazhdojnë të ndihen të çuditur mbi arsyet e vërteta të kësaj ngjarje.
“Ne e njohim njëri-tjetrin shumë mirë dhe do ta kishim parë nëse do të vinte ndonjë terrorist,” i tha një burrë BIRN. “Çdo gjë dukej normale deri ditën e djeshme.”
Idriz Sinani dhe familja e tij po pret për të dëgjuar se kur do të mund të shkojë të shikojë shtëpinë e tij. Ai tha se mendonte se sulmi qe një “incident i sajuar” nga kryeministri Gruevski dhe partneri i tij në koalicionin qeveritar Ali Ahmeti.
Po sipas BIRN, të tjerë thanë se ka shumë banorë që nuk janë evakuuar nga zona e luftimeve dhe se shumë njerëz kanë mbetur në shtëpi, përfshirë të moshuar dhe gra shtatzëna. Aktualisht në lagje është ndërprerë furnizimi me energji elektrike. Në Kumanovë është njoftuar mbyllja e shkollave të hënën ndërsa autoritetet vendore kanë vendosur fonde për strehimin dhe ushqimin e të shpërngulurve.