Faktet/ Pse gënjen Pastori Akil Pano për gjyqin?

Pastor Akil Pano po zhvillon një gjyq në gjykatë kundër Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi, për shkak se ky institucion me vendimin nr.217 datë 15.11.2021 ka konstatuar se pastori ka përdorur gjuhë diskriminuese ndaj komunitetit LGBTI+.
Pastori përmes rrjeteve të tij sociale është shprehur se ky gjyq është për të mos zëvendësuar emrat “nënë” dhe “baba” me “prindi 1” dhe “prindi 2”.
E vërteta është krejt ndryshe.
Nuk ka asnjë gjykatë në Republikën e Shqipërisë që po shqyrton këtë pretendim, por nuk ka edhe asnjë organizatë për mbrojtjen e komunitetit LGBTI+ në Shqipëri që ka kërkuar një gjë të tillë.
Si qëndron e vërteta?
“Dje në Sallën e Gjyqit, pasi palët ishin të pranishme, me kërkesën të Avokatit të Shtetit (përmes një emaili të lexuar nga gjyqtarja) u kërkua shtyrja e seancës gjyqësore e cila presupozohej të ishte dhe përfundimi i hetimit gjyqësor në Çështjen e Pastorit Akil Pano kundër Komisionerit për Mbrojtjen kundër Diskriminimit për zëvendësimin e Nënës dhe Babait me Prindi 1 dhe Prindi 2! Kështu që, Seanca e djeshme u shty për në Shkurt 2023. “-shkruan Pastori Akil Pano, duke u munduar ta paraqesë veten si një person që po bën një betejë të madhe për të mbajtur në përdorim emrat “nënë” dhe “baba”.

Faktet janë ndryshe.
Pastori thjesht ka apeluar në gjykatë një vendim të Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi, pasi ai është gjetur se ka përdorur gjuhë diskriminuese ndaj komunitetit LGBTI+ në disa emisione televizive.
Për më tepër komisioneri e thekson qartë në vendimin e tij, se vendimi nuk ka të bëjë me termat “prindi 1” dhe “prindi 2”

“Komisioneri konstaton se, shumë prej argumenteve të paraqitura nga Pastori Akil Pano, jepen për të justifikuar dhe për të argumentuar qëndrimin e tij kundër propozimit të bërë në lidhje me përdorimin e terminologjisë “Prindi 1 dhe Prindi 2” në dokumentet zyrtare, si opsion i mundshëm krahas versionit terminologjik të përdorur deri më sot “Amësi dhe Atësi”. Në këtë kontekst, Komisioneri çëmon të sqarojë dhe të sakteësojë se, objekt shqyrtimi i kësaj çështje nuk është vlerësimi i këtij propozimi apo i kërkesave të komunitetit LGBTI, por gjuha e përdorur nga Pastori Akil Pano gjatë shprehjes së mendimeve, opinioneve apo qëndrimit, qoftë edhe në kuadër të lirisë së ndërgjegjes, fesë dhe besimit të tij, në kuadër të këtij debati. Sikurse është theksuar edhe më sipër liria e pasjes së mendimeve ose opinioneve dhe liria e ndërgjegjes së fesë dhe besimit, janë të drejta të cilat nuk mund të kufizohen, ndërsa shprehja ose manifestimi i tyrë është objekt i kufizimeve sipas përcaktimeve të mësipërme.” -Thuhet në arsyetimin e vendimit.
Më tej në vendimin e KMD arsyetohen edhe disa nga shkaqet që kanë çuar në marrjen e këtij vendimi:
Duke ju referuar permbaities se diskutimeve, gjuhës dhe fjalëve te perdorura nga Pastori Akil Pano, rezulton se personat LGBTI portretizohen si persona te cilet jane nje kercenim për traditën apo vlerat shoqërise. Këta persona, sipas referimeve të bëra nga subjekti (Akil Pano) konsiderohen si persona që çënojnë familjen tradicionale, që kërkesat e tyre janë antivlera pasi synojnë mungesë respekti ndaj prindërve duke propozuar heqjen e fjalëve “mami” dhe “babi”. Ai përdor fjalën “devijancë” për faktin e të qënit gej apo fjalët se “”Nuk ka akt më të shëmtuar dhe nuk ka akt më skandaloz” apo “Nuk ka çnderim më të madh se sa të heqësh nocionin nenë dhe t’i vendosësh një numër” dhe “dekonstruksion të nocioneve dhe vlerave” duke ju referuar propozimit lidhur me opsionin e regjistrimit të fëmijëve nga çiftet e këtij komuniteti. Deklarata e Pastorit Akil Pano se ai është kundër gjuhës së urrejtjes ndaj komunitetit LGBTI, nuk gjejnë asnjë mbështetje në gjuhën e përdorur gjatë diskutimeve të tij në këto emisione.”/ HistoriaIme



