Sinofobia është termi që përmbledh frikën dhe ndjesitë negative e paragjykuese ndaj qytetarëve, gjuhës dhe kulturës kineze.
Prej muajit dhjetor tashmë, Kina është përditë në titujt kryesorë të lajmeve për shkak të virusit vdekjeprurës nCov2019, ose siç njihet gjerësisht, Koronavirusi.
Ajo që nisi si një valë e panjohur gripi në qytetin Wuhan të provincës Hubei, u kthye papritur në një histeri kolektive kundër ç’do individi dhe produkti të lidhur direkt apo indirekt me Kinën.
Nga dërgesar postare, te ushqimet e importuara kineze apo qytetarët me prejardhje kineze të shpërndarë në botë, frika nga koronavirusi po sjell një rritje të ksenofobisë kolektive, e cila ditët e fundit po shpërthen dhe në dhunë.
Ditën e djeshme, në Ukrainë, një autokolonë ambulancash po dërgonte një grup qytetarësh të ardhur nga Kina drejt spitalit rajonal të Novi Sanzharit, ku do të duhej të qëndronin në karantinë për 14 ditë.
Autokolona u godit me gurë dhe bomba molotov nga një grup protestuesish, të cilët për shkak të një lajmi të rremë, besonin se personat e shoqëruar ishin tashmë të infektuar.
Presidenti ukrainas bëri thirrje për qetësi, ndërsa protestat u shkallëzuan deri në përplasje me policinë.
Në solidaritet me të prekurit, ministrja e shëndetësisë së Ukrainës deklaroi se do i bashkohet karantinës me qytetarët e sulmuar për 14 ditë dhe se do të drejtojë ministrinë e saj nga Skype.
Masa të tilla parandaluese, janë ndërmarrë në të gjithë vendet ku qytetarë të dyshuar se mund të kenë qenë të ekspozuar nga virusi, mbikqyren deri në shfaqjen ose jo të shenjave të tij.
Ndërkohë që pas protestave të ngjashme, por në masë më të vogël në disa vende të botës, autoritetet Ruse njoftuan ditën e djeshme se asnjë shtetas i Kinës nuk do lejohet të futet në Rusi, ndërsa disa qytete po inkurajojnë qytetarët të lajmërojnë autoritetet nëse shohin kinezë në rrugë apo në transportin publik.
Ndërkohë që kërkimi shkencor për një vaksinë apo kurë për simptomat e virusit po vijon, Kina ka deklaruar se karantina e qytetit Wuhan rezultoi e suksesshme në parandalimin e përhapjes së mëtejshme të virusit, ndërsa rastet e shërimit të simptomave kaluan javën e kaluar numrin e rasteve të reja të të prekurve.
Deri tashmë, përpos humbjes së mbi 2200 jetëve dhe rreth 75.000 të prekurve në të gjithë botën, koronavirusi po shkakton pasoja afatgjata për ekonominë kineze dhe rimëkëmbjen e saj, ku humbjes ekonomike prej miliona dollarësh do t’i shtohet dhe sinofobia dhe paragjykimet e shumta që po thellohen me koronavirusin.