Protesta u manipulua! Shkruan gazeta ZERI
Mijëra qytetarë nga e gjithë Kosova kishin marshuar sot në Prishtinë për të protestuar kundër ministrit për Kthim dhe Komunitete, Aleksandër Jabllanoviq si dhe në mbrojtje të “Trepçës”.
Kjo protestë e cila ishte organizuar nga shoqata “Thirrjet e Nënave” dhe Lëvizja Vetëvendosje, nuk kaloi aq e qetë në fund. Pasi që disa protestues thyen dritaret e ndërtesës së Qeverisë dhe u përleshën me pjesëtarë të Policisë së Kosovës.
Madje kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, i dha ultimatum kreut të ekzekutivit, Isa Msutafa që të hënën ta shkarkoj Jabllanoviqin, në të kundërtën të martën do të organizohen përsëri protesta.
Analistët politik dhe njohës të çështjes së sigurisë, thonë se protestat e tilla nuk duhet të manipulohen.
Avni Islami, njohës i çështjeve të sigurisë, ka thënë për “Zëri”, se ato çfarë ndodhën në protestën e sotme ndikojnë negativisht në disponimin e protestuesve. Sipas Islamit, me këtë protestë iu bë qejfi shërbimit sekret serb BIA-s.
“ Mendoj se këto ekscese do të ndikojnë negativisht në disponimin e protestuesve për protestat e ardhshme dhe se në ditët në vijim nuk do të ketë masovizim të protestuesve, pra shërbimi inteligjent BIA a ja arriti qëllimit dhe se çështja e “Trepçës” dhe të shtyhet ne kohë të pacaktuar, por edhe çështja Jabllanoviq do të minimizohet”, ka thënë Islami për “Zëri”.
Po ashtu edhe publicisti Jon Leka, ka thënë se në asnjë moment të vetëm instancat e huaja nuk e kontestojnë “Trepçën”, si një pasuri jokosovare, por siç ka thënë ai, është vetë Serbia ajo që ka deklaruar shumë herë që “Trepça është e jona”.
E pikërisht për këtë, Leka thotë se “Vetëvendosje”, AAK e të tjerët nuk është dashur ta organizojnë këtë protestë, pasi që sipas tij, me këtë protestë ata ia kanë bërë qejfin Serbisë. Sipas Lekës, Jabllanoviq, në asnjë mënyrë nuk është dashur të jetë pjesë e Qeverisë.
“ Pse VV, AAK, dhe organizatorët tjerë bëjnë aksione për t’iu përgjigjur politikës serbe, e cila thotë se edhe Hëna është e tyre dhe se Adami ka lindur në Pozharevc? Pastaj Jabllanoviç, si ish ministër serb, pse të pranohej si ministër kosovar, kur edhe sot e kësaj dite nuk e njeh shtetin? Askush nga të huajt nuk e imponoi atë, por atë e diktuan më shumë relacionet e liderëve kosovarë me të dhe serbët tjerë”, ka thënë Leka, i cili shtoi se Serbia nëpërmjet Jabllanoviçit ndikon në agjendën kosovare.
Leka ka thënë se Qeveria e Kosovës duhet ta shkarkoj Jabllanoviqin, pasi që ky i fundit nuk e njeh shtetin të cilin e udhëheq.
“ Qeveria kosovare nuk ka gjasa pa e hequr sepse ai në çdo mëngjes bie në kundërshti me detyrat që duhet të kryej: është absurde të jem ministër i një shteti që nuk e njohë. Nëse Jabllanoviç del nesër dhe thotë se jam me shtetësi kosovare, e njoh Kosovën si shtet timin, atëherë kërkesa ndoshta do të zbehej përndryshe jo”, ka thënë Leka.
Ndërkaq, Berat Buzhala ka thënë për “Zëri”, se kjo protestë ishte e manipuluar nga Lëvizja Vetëvendosje. Sipas tij, edhe pjesa tjetër e opozitës ka qenë pjesë e këtij manipulimi, madje, Buzhala thotë se edhe vetë ai është manipuluar.
“Protesta u manipulua në mënyrë agresive nga Lëvizja Vetëvendosje. Dy udhëheqës tjerë opozitar, Limaj dhe Haradinaj, u zhdukën krejtësisht, ose thënë ndryshe, u vunë në shërbim total të ambicieve të Kurtit, i cili sheshin publik e shndërroi në teatër, ku ‘merren vendime’. As që dëshiroj t’i komentoj pamjet e mëvonshme ku ishin të përfshirë elementet më radikal të LVV-së. Atë le ta gjykojë secili”, ka deklaruar Buzhala.
Sipas tij, edhe pse Albin Kurti kërkoi nga kreu i ekzekutivit që të shkarkohet Jabllanoviqi, Buzhala thotë se Mustafa nuk do ta bëj një gjë të tillë. Sipas Buzhalës, sot nuk u protestua as kundër Jabllanoviqit e as për “Trepçën”.
“Personalisht unë nuk pres që Mustafa do të shkarkojë. Në fakt nuk u protestua as për shkarkimin e Jabllanoviçit, e as për Trepçën. Kurti qëllim final të tij e ka që ta marre pushtetin prej rrugës. Nuk i intereson asgjë tjetër. Ai i konsideron vetëm si vegla të gjitha organizatat tjera joqeveritare, duke përfshirë këtu edhe nënat, e fëmijët e të cilëve janë zhdukur. Në fakt, në grackën e kësaj proteste rashë edhe unë, duke shpresuar që do të ishte një manifestim shumë më dinjitoz se sa ky që ishte”, ka thënë Buzhala për “Zëri”.