Tiranë: Përplasen dy autobuza të transportit urban
Mos respektimi i sinjalistikës rrugore është shpesherë shkak i aksidenteve. Kjo nuk i ka shpëtuar as urbanëve të linjës së Kasharit dhe Kinostudios në Tiranë. Ngjarja ka ndodhur sot rreth orës 9:00 të mëngjesit në afërsi të “pallatit me shigjeta”.
Mos respektimi i sinjalistikës nga një drejtues si dhe gjendja e dehur e shoferit tjetër, ka sjellë për pasojë përplasjen e dy autobuzëve. Autobusi i Kasharit është përplasur me atë të Kinostudios, në dalje të stacionit të përbashkët të tyre në këtë zonë.
Si pasojë e aksidentit janë plagosur lehtë disa prej pasagjerëve si dhe shoferi i autobusit të Kinostudios i cili ka përfunduar në spital pasi ka marrë disa plagë në kokë.
Nga të dhënat e forcave të policisë në vendngjarje, bëhet e ditur se shoferi i autobusit të Kasharit, gjatë testit të alkoolit, ka rezultuar i dehur, me një masë prej rreth 0.7% alkool. Për këtë arsye, është vendosur heqja e liçensës dhe patenta e tij.
Nga ana tjetër, hetimet kanë zbuluar se gjatë aksidentit, shoferi i urbanit të Kinostudios nuk ka respektuar rregullat e qarkullimit. Për këtë arsye është vendosur pezullimi i patentës për 1 vit, për drejtuesin e urbanit të Kinostudios.
/Shqiptarja.com