398 mijë medikamente të skaduara në QSUT, për shkak të mospërdorimit në kohë
Rreth 399 mijë barna kanë rezultuar të skaduara në depot farmaceutike të QSUT, pas një monitorimi nga Kontrolli i Lartë i Shtetit.
Për vitin 2014 rezultojnë të jenë skaduar 146.863 medikamente në vlerë 38,203,099 lekë. Sipas KLSH, skadimi i medikamenteve ka ardhur për shkak të mospërdorimit në kohë të tyre ose sasive të blera mbi nevojat e pacientëve nga vitet e mëparshme.
Gjendje problematike është konstatuar edhe tek medikamentet e dhuruara të cilat nuk arrijnë të përdoren brenda afatit të tyre të përdorimit. Nga donacionet paraqiten 234,405 medikamente. Vlera totale e ilaçeve të skaduara i kalon 1 milion euro.
Sipas KLSH-së, kjo situatë tregon mungesë planifikimi bazuar mbi nevojat reale të medikamenteve për trajtimin e pacientëve, pasi ndërkohë që në depot farmaceutike gjenden rreth 400.000 barna të skaduara, QSUT ka një mungesë të theksuar ilaçesh.
KLSH i ka kërkuar QSUT të marrë masat e nevojshme për ristrukturimin e sistemit të administrimit dhe qarkullimit elektronik të medikamenteve brenda një kohe të arsyeshme. /m.g
Burimi: Monitor.al