Dhuna ndaj bluzave të bardha, 9 raste vetëm për vitin 2015 (Historitë)
Dhuna ndaj bluzave të bardha ka nisur të bëhet shqetësuese dhe ka marrë përmasa alarmues. Vetëm për muajt e parë të vitit 2015 ka pasur 9 raste të dhunës ndaj bluzave të bardha. Historitë e rasteve ku pacientët kanë goditur mjekë dhe infermierë pasqyrohen në këtë përmbledhje të përgatitur nga JavaNews.
Rasti më i fundit ka qenë të hënën kur një paciente e sëmurë me tumor ka goditur mjeken. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 09:00 të mëngjesit të së hënës në ambientet e spitalit, kur pacientja 56-vjeçare, Mimoza Bedini, ka goditur me grusht mjeken Silvana Çeliku dhe infermieren Sashenka Kristo. Doktoresha Çeliku është paraqitur në Komisariatin Nr.4, ku ka bërë kallëzim me shkrim për dhunën që është ushtruar ndaj saj për shkak të detyrës. Policia ka marrë në pyetje edhe infermieren, që po ashtu është goditur nga pacientja 56- vjeçare, si dhe 10 dëshmitarë, pacientë, praktikantë dhe infermierë që kanë qenë të pranishëm në zyrën e doktoreshës në momentin kur ajo është sulmuar. Të gjithë e kanë konfirmuar sulmin, madje ashtu si edhe mjekja, kanë pohuar se Mimoza Bedini e ka spërkatur me një spraj në fytyrë, që rezultoi të ishte uthull, por duke e kërcënuar se herën tjetër do e spërkaste me acid.
Burimet thanë se i është marrë deklarim edhe të dyshuarës për sulmin në spital dhe ndaj saj ka nisur procedim penal në gjendje të lirë, edhe për shkak të sëmundjes që ajo ka. Policia tha se fillimisht pacientja e ka goditur me grusht në nofullën e djathtë doktoreshën, me të cilën është përballur në korridor, pasi e kishin nxjerrë nga dhoma e vizitave ku ajo kishte hyrë pa radhë. Më pas është kthyer sërish pas një ore, është futur me forcë në zyrën e mjekes Çeliku, të cilën e ka spërkatur me uthull dhe ka goditur me grusht edhe infermieren që ndodhej aty. Mimoza Bedini, 56-vjeçarja që është marrë nën hetim nga Policia për goditjen e një mjekeje dhe një infermiereje në Spitalin Onkologjik në QSUT, akuzon mjekët se nuk i kanë dhënë mjekimin e nevojshëm.
Në një prononcim për gazetën “Panorama”, ajo tregon se është diagnostikuar me kancer në qafën e mitrës prej gati një viti, ndërsa që prej muajit maj ka shkuar vazhdimisht për vizita tek Onkologjiku. Ajo thotë se aktualisht trajtohet me rreze për sëmundjen që ka, ndërsa deri më sot ende nuk i është caktuar një datë për të bërë skanerin dhe kjo ka qenë arsyeja që ajo ka tentuar të futet me forcë dhe pa radhë në dhomën e vizitave. Bedini tregoi se, edhe nëse ka kryer ndonjë veprim të pahijshëm në spital, gjithçka ka ndodhur ngaqë ishte shumë e tensionuar për shkak të sëmundjes së saj, por edhe për shkak të sorollatjes që i kanë bërë mjekët.
23 Janar 2015
Kryebashkiaku i Poliçanit rreh mjekun
Rasti i parë i dhunës ndaj bluzave të bardha për vitin 2015 e nis një përfaques i shtetit. Kryebashkiaku i Poliçanit Adriatik Zotkaj ka ushtruar ndaj mjekut Dritan Hoxha, sipas denoncimit të këtij të fundit. Mjeku Hoxha ka bërë kallëzimin në polici dhe për këtë rast po ndiqet në gjendje të lirë kryebashkiaku i Poliçanit, Zotkaj. Ngjarja dyshohet të kenë ndodhur pas një debati në rrjetin social Facebook ku Zotkaj ka goditur mjekun Hoxha dhe dy persona të tjerë.
4 Shkurt
Pacienti i dehur dhunon mjeken në QSUT
Një mjeke është dhunuar në datën 4 shkurt në ambientet e QSUT-së nga një qytetar që kishte shkuar për të marrë shërbim shëndetësor në ambientet e Urgjencës. Rasti është denoncuar në policinë e Tiranës nga vetë mjekja, Besjana Hysi, 30 vjeçe. Komisariati numër 4 në kryeqytet ka nisur procedimin në gjendje të lirë për Hekuran Hoxhën, personi që dhunoi mjeken. Sipas policisë, mjekja ka qenë në krye të detyrës kur Hekuran Hoxha 36 vjeç, është paraqitur për të marrë serum. Sipas mjekes, ai ka qenë në gjendje të dehur dhe pak pasi është paraqitur e ka dhunuar fizikisht.
9 Mars
Dhunohet mjeku në Vlorë
Mjeku i reaminacionit në spitalin e Vlorës, Engjëll Lazaj, mjeku i është goditur nga familjarët e një pacienti më 9 mars të këtij viti. Dhuna ka ardhur pasi ata e fajësuan mjekun për vdekjen e familjarit të tyre. Sipas mjekëve, pacienti kishte pësuar infarkt dhe ndërroi jetë në ambientet e spitalit.
25 Mars
Goditet shefi i Toksikologjisë, Zihni Sulaj
Radha e gjatë e personave në pavionin e Toksikologjisë ka bërë që i afërmi i një prej pacientëve të godasë shefin e këtij pavioni Zihni Sulaj. Ngjarja ndodhi pas një debati që mjeku i njohur pati me të afërmin e pacientit.
29 Mars
I riu godet mjekun me levë në kokë
Një i ri nga Mamurrasi ka dhunuar më 29 mars mjekun e spitalit të Laçit. 26 vjeçari Ergys Prelaj, banues në lagjen “Demokracia”, të Mamurrasit ka goditur me mjet të fortë levë, mjekun e spitalit të Laçit, shtetasin N.G., duke i shkaktuar dëmtime të lehta në dorë dhe kokë.I riu është arrestuar nga policia.
17 Prill
Në Laç goditet mjeku, e shpëton i biri
Gjatë ndeshjes mes Laçit dhe Kukësit të zhvilluar më 17 prill të këtij viti është sulmuar mjeku i Kukësit. Kanë qenë minutat e fundit të ndeshjes në Laç mes Laçit dhe Kukësit, kur futbollisti Hoxha i Kukësit është dëmtuar dhe dy mjekët e Kukësit, Pertef dhe Perli Rusi, babë e bir, kanë hyrë në fushë si zakonisht për të dhënë ndihmën mjekësore. Pas ndihmës mjekësore, Hoxha, sipas rregullores, duhej të dilte jashtë fushës dhe ndërkohë ishte kërkuar edhe barela. Por në atë moment që Hoxha po zhvendosej për të dalë jashtë, mjeku Pertef Rusi u ka thënë dy personave që mbanin barelën që nuk ka nevojë, pasi ka mundësi t’ia dalë vetë. Në atë moment, njëri nga dy personat e barelës e ka goditur Pertef Rusin, duke e lënë pa ndjenja. Janë dashur disa minuta për të sjellë në vete mjekun dhe këtë e ka bërë djali i tij, Perli, i cili njëkohësisht është edhe mjeku i ekipit kombëtar U-19.
23 Gusht
Sherri për ilaçet, dhunohet barbarisht mjeku në Durrës
Një mjek kirurg në Spitalin Rajonal të Durrësit është rrahur barbarisht nga familjarët e pacientit të tij. Sipas policisë, ishshefi i krimeve, Adriatik Hoxha, së bashku me të birin e tij, Jurgen Hoxha, 23 vjeç, janë përleshur me mjekun Anton Ndoj pas një konflikti për medikamentet. Pretendimi se ky i fundit u ka kërkuar të afërmve të pacientit të blinin ilaçe në farmaci, duket se ka qenë shkaku i sherrit. Të njëjtat burime pohuan se si fillim në konflikt janë përfshirë 49-vjeçari Hoxha dhe mjeku 43-vjeçar Ndoji, të dy banues në qytetin bregdetar, e më pas është përfshirë Jurgen Hoxha, nipi i pacientit. 23-vjeçari ka goditur mjekun, duke i nxjerrë shpatullën.
9 Shtator
Goditet infermieri në krye të detyrës
Një incident është shënuar në mjediset e spitalit rajonal të Shkodres mbrëmjen e 9 shtatorit, ndërsa u godit në krye të detyrës edhe një infermier. Mark Shpataj, i cili është arrestuar në flagrancë nga policia e Shkodres, ka hyrë në mjediset e spitalit rajonal duke paraqitur shqetësime shëndetësore. Pasi është kontrolluar nga mjeku i rojes, infermieri i është drejtuar për t’i vendosur 38-vjeçarit serumin, por në këto momente është përballur me reagimin e tij, i cili e ka goditur me grusht në fytyrë.