Që prej qershorit mungon medikamenti për pacientët me leucemi; Shoqëria civile bën thirrje për zgjidhje të menjëhershme
Shoqata “Together for Life” dhe Komiteti Shqiptar i Helsinkit kanë dalë në një deklaratë të përbashkët duke kërkuar zgjidhje të menjëhershme dhe të efektshme për t’u siguruar fëmijëve me leucemi medikamentin “L-Asparaginase”.
Komiteti Shqiptar i Helsinkit ka marrë shkas nga reagimet e vazhdueshme të organizatës “Together for Life” për mungesën e medikamentit në repartin e Onko-Hematologjisë në QSUT dhe ka zhvilluar disa takime me prindër të fëmijëve të sëmurë, personelin mjekësor të këtij reparti dhe përfaqësues të QSUT-së. Në deklaratë bëhet me dije se “në takimet e zhvilluara, stafi i specializuar mjekësor ka hezituar të japë një përgjigje se çfarë pasojash mund të kishte për shëndetin e fëmijëve që vuanin nga leucemia mungesa e preparatit të mësipërm”.
Më parë, në një njoftim për shtyp, QSUT ka deklaruar se ilaçi në fjalë nuk është bar i regjistruar në Republikën e Shqipërisë dhe rezulton se që nga viti 2015 nuk ka pasur import të këtij bari në Shqipëri. QSUT ka pasur në gjendje që prej importit të bërë në vitin 2014 dhe ka furnizuar në vazhdimësi deri në Qershor 2016 shërbimet e Onko-Hematologjisë Pediatrike dhe Hematologjisë. Ndërkohë, përfaqësuesve të KShH-së iu është komunikuar se procedurat e zhvilluara për prokurimin e barit L-Asparaginase për vitet 2015-2016 kanë dështuar disa herë për shkak të mospjesëmarrjes në garë të kompanive farmaceutike që e tregtojnë këtë medikament.
Komiteti Shqiptar i Helsinkit dhe Shoqata “Together for Life” vlerësojnë se dështimi i procedurave për të siguruar këtë medikament nuk mund të përbëjë justifikim për publikun dhe i kanë kërkuar ministrisë së Shëndetësisë dhe QSUT-së që në mënyrë urgjente të gjejnë mundësitë dhe rrugët për garantimin e këtij medikamenti.
/m.g/