Shqiptarët shpenzojnë 4 herë më shumë për ilaçe se vendet e BE
Në familjet shqiptare kujdesi për shëndetin ka një peshë të ngjashme me shpenzimet e familjeve të vendeve të Bashkimit Evropian. Por ajo që ndryshon është mënyra si këto para shpenzohen.
Sipas INSTAT, Shqiptarët shpenzojnë 3.4 për qind të buxhetit të tyre mujor për kujdesin shëndetësor, shifër kjo pak më e ulët se në vendet e BE, ku shëndeti zë 3.9 për qind të shpenzimeve.
Ajo që bie në sy është se në Shqipëri pjesa dërrmuese e këtij buxheti (75.4%), shpenzohet për blerjen e medikamenteve, dhe më pak se 1/4 e shpenzimeve shkojnë për shërbime mjekësore.
Në vendet e BE ky raport është i përmbysur.
Një studim i Organizatës për Kooperim Ekonomik dhe Zhvillim (OECD), tregon se në vendet e BE vetëm 7-15% e buxhetit familjar dedikuar shëndetit shkon për medikamente. Por përqindja vjen e rritet në vendet që janë anëtarësuar me vonë në BE. Në Hungari, Greqi dhe Lituani, përqindja e shpenzimeve për medikamenteve zë mbi 20 % të shpenzimeve për shëndetësinë.
Shqipëria bën përjashtim në rang evropian pasi ende ekziston një kulturë e konsumimit të lartë të tyre dhe për më tepër shumë barna mund blihen në farmaci pa recetën e mjekut, duke e bërë vendin tonë me një nivel të lartë shpenzimesh për medikamente.
Nga ana tjetër tendenca e konsumimit të ilaçeve po vjen në rritje edhe pse popullsia po shkon drejt tkurrjes.
ISHP 24% e antibiotikëve merren pa recetë mjekësore:
Instituti i Shëndetit Publik ka gjetur nëpërmjet një anketimi se antibiotikët merren në 24 për qind të rasteve pa recete mjekësore. Marrja në këtë mënyrë e antibiotikëve nga përdoruesit i ka bërë shumë prej tyre rezistentë ndaj veprimit të tyre.
Anketimi tregon se 73% e individëve konsiderojnë gabimisht se dhimbjet e fytit mund të trajtohen me antibiotikë. Për më tepër, 69% e pjesëmarrësve deklaruan se ftohjet e zakonshme dhe gripi duhet të trajtohen me antibiotikë. Gjithashtu, 41% dhe 34% të individët konsiderojnë të përshtatshme përdorimin e antibiotikëve për dhimbje të përgjithshme të trupit dhe të kokës. /l.k./